Nga Gazeta Si – Pas një mbrëmjeje spektakolare dhe e udhëhequr nga Cole Palmer, Chelsea fitoi edicionin e parë të “FIFA Club World Cup” me formulën e re, kur mundi Paris Saint-Germain me 10 lojtarë. Në Finalen e luajtur në “MetLife Stadium”, Palmer shënoi dy herë në 8 minuta gjatë pjesës së parë dhe shërbeu për Joao Pedro-n përpara pushimit për golin e 3. Ishte një sukses i merituar për fituesit e Conference League ndaj kampionëve të Evropës në fuqi.

Në këtë mënyrë skuadra e Luis Enrique-s nuk e realizoi dot “quadruple”-n e trofeve madhorë në fundin e sezonit 2024/25. Paraqitja e londinezëve cimentoi statusin e tyre si një ndër skuadrat për tu mundur në Premier League dhe UEFA Champions League sezonin e ardhshëm. PSG nuk kishte përgjigje për lojën e Chelsea-t madje mund të ishte ndëshkuar dy herë nga Liam Delap që hyri në pjesën e dytë.

Ndonjë shpresë e mbetur për ta rihapur ndeshjen, u shua kur Joao Neves u ndëshkua me kartonin e kuq, 6 minuta nga fundi kur i shkuli flokët Cucurella-s ndërsa Chelsea zuri një vend në historinë e futbollit. Në fund cmimet: Cole Palmer rrëmbeu “Golden Ball” falë tre golave dhe dy asistëve gjatë turneuut. Robert Sanchez fitoi “adidas Golden Glove” pas paraqitjes së shkëlqyer edhe në Finale ndërsa Desire Doue u shpall “FIFA Best Young Player”. Sa i përket Shënuesit më të mirë, ishin 4 lojtarë që shënuan nga 4 gola si Di Maria (Benfica), Garcia (Real Madrid), Guirassy (Dortmund) dhe Leonardo (Al Hilal).

Në fund Enzo Fernandes, që pas titullit Kampion Bote me Argjentinën në Katar, fitoi edhe botërorin e vogël me blutë e Londrës. Fituesit e Kupës së Botës për klube si më poshtë:
5 – Real Madrid
3 – Barcelona
2 – CHELSEA
1 – Liverpool, Sao Paulo, Internacional, Milan, Manchester Utd, Inter, Manchester City
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



