Futboll

Chelsea bastis Strasbourg-un për pasuesin e Maresca-s

Nga Gazeta Si – Liam Rosenior është trajneri i ri i bluve të Londrës. 41-vjeçari anglez i bashkohet klubit me një kontratë 66 mujore, me opsion për një sezon shtesë, duke zëvendësuar Enzo Maresca-n, i cili u largua në Ditën e Vitit të Ri.

Rosenior do të jetë në tribunën e “Craven Cottage” kur Chelsea të përballet me Fulham-in në “Premier League” të mërkurën, ndërsa do të drejtojë seancën e parë stërvitore të enjten, përpara ndeshjes së raundit të tretë të “FA Cup” kundër Charlton Athletic të shtunën.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar që jam emëruar trajner i Chelsea Football Club” – tha Rosenior.

“Të më besohet ky rol do të thotë gjithçka për mua dhe dua t’i falënderoj të gjithë ata që u përfshinë për mundësinë dhe besimin që më kanë dhënë. Do të jap gjithçka për të sjellë suksesin që ky klub e meriton.”

Në konferencën e tij të fundit për shtyp si trajner i Strasbourg, të martën, Rosenior konfirmoi se kishte “rënë dakord verbalisht” për të marrë drejtimin e Chelsea-t.

Liam Rosenior

“Nuk mund ta refuzoj këtë mundësi për t’iu bashkuar një klubi të jashtëzakonshëm, me një skuadër të jashtëzakonshme që është kampione në fuqi në Botërorin për Klube,” shtoi ai.

Strasbourg është pjesë e grupit “BlueCo”, në pronësi të Todd Boehly dhe “Clearlake Capital që kontrollon edhe Chelsea-n.

Rosenior tha se trajneri i ekipit të parë të Strasbourg, Kalifa Cisse, ndihmëstrajneri Justin Walker dhe shefi i analizës, Ben Warner do t’i bashkohen atij në Stamford Bridge.

Liam Rosenior u emërua te Strasbourg në Korrik 2024 dhe e udhëhoqi klubin francez drejt vendit të 7-të në “Ligue 1” sezonin e kaluar, duke siguruar pjesëmarrjen në futbollin evropian për herë të parë pas 8 vitesh.

Ndeshja e fundit ishte barazimi 1-1 në fushën e Nice-s të shtunën, ndeshja e pestë rradhazi në kampionat pa fitore.

Strasbourg aktualisht ndodhet në vendin e 7-të në “Ligue 1” dhe kryeson “Conference League”.

“Do ta dua këtë klub për gjithë jetën time, por nuk mund ta refuzoj Chelsea-n” – e mbylli Rosenior

Ish-mbrojtësi i Fulham-it dhe Hull City-t, Rosenior, nuk ka drejtuar kurrë më parë në “Premier League”.

Trajneri i përkohshëm Calum McFarlane e drejtoi Chelsea-n në barazimin 1-1 kundër Manchester City-t të dielën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë