Teknologji dhe Inovacion

ChatGPT ‘pi’ një shishe ujë për një bisedë

Sipas një studimi të ri, konsumi i ujit nga qendrat e të dhënave që përdoren për funksionimin e Inteligjencës Artificiale ChatGPT prej miliarda përdoruesve në botë është “mjaft i lartë”.

ChatGPT, chatbot i Inteligjencës Artificiale i OpenAI, u bë i famshëm vitin e kaluar për aftësinë e jashtëzakonshme për t’iu përgjigjur një sërë pyetjeve të përdoruesve, me një gjuhë të thjeshtë të ngjashme me atë të njeriut.

Në pak kohë tregoi aftësi të mëdha, duke përfshirë atë për të përmbledhur studimet kërkimore dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve logjike. Ajo gjithashtu ka kaluar provime të ekonomisë dhe mjekësisë, që përgatiten për studentët universitarë.

Ndërsa studime të mëparshme kanë hedhur dritë mbi gjurmën e karbonit të këtyre modeleve të IA, konsumi i ujit që ato të funksionojnë, në një shkallë të madhe ka “mbetur nën radar”, sipas shkencëtarëve, duke përfshirë edhe ata të Universitetit të California Riverside në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Studimi i ri vlerëson se një bisedë me rreth 20 – 50 pyetje me chatbot AI, në një sistem të vetëm, mund të “pijë” një “shishe ujë 500 ml”.

Për kërkimin u zhvillua një tablo për të vlerësuar sasinë e ujit të pastër që përdoret për të prodhuar energji elektrike, e cila ushqen serverët e qendrave të të dhënave dhe për të ftohur serverët që të funksionojnë modelet e Inteligjencës Artificiale.

Duke përmendur një shembull, shkencëtarët thanë se vetëm për mësimin e GPT-3, Microsoft mund të ketë përdorur 700.000 litra ujë, sasi e mjaftueshme për të prodhuar 370 automobila BMW.

Gjiganti i teknologjisë ka nënshkruar një marrëveshje me OpenAi, krijues i ChatGPT, duke investuar 10 miliardë dollarë te kompania.

Modele të tjera të Inteligjencës Artificiale, si LaMDA i Google mund të konsumojnë një sasi uji “të pabesueshme”, e vlerësuar në miliona litra, thanë shkencëtarët.

Në përgjigje të mungesës globale të ujit, studiuesit u kërkuan kompanive që drejtojnë modele të IA të “marrin përgjegjësi sociale” dhe të analizojnë gjurmën e tyre të ujit.

“Modelet e Inteligjencës Artificiale mund dhe gjithashtu duhet të marrin përgjegjësi sociale dhe të japin shembuj në përpjekjet e përbashkëta për të luftuar sfidën globale të mungesës së ujit, duke reduktuar gjurmën e tyre të ujit”, shkruajnë shkencëtarët në studim.

“Edhe pse një shishe me ujë 500 ml mund të duket pak, gjurma e ujit në total, si konkluzion, është ende shumë e madhe, nëse merren në konsideratë miliarda përdoruesit e ChatGPT”.

Studiuesit thanë se këto shifra mund të rriten me “disa herë” për sistemin e ri të Inteligjencës Artificiale, GPT-4, i cili ka një model me përmasa më të mëdha.

Megjithatë, kërkuesit thanë se nuk ka të dhëna publike të disponueshme për të vlerësuar në mënyrë të saktë gjurmën e ujit të GPT-4.

Shkencëtarët bëjnë thirrje për rritjen e transparencës së gjurmës së ujit të modeleve të IA, duke përfshirë më shumë informacione mbi të dhënat operative dhe efektivitetin e konsumit të ujit gjatë funksionimit të sistemeve të tilla.

“Gjurma e ujit të modeleve të IA nuk mund të qëndrojë më nën radar – gjurma e ujit duhet të trajtohet me përparësi, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar sfidat globale të ujit”, thanë studiuesit.

Burimi: The Independent/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë