Gazeta Si – Mbrëmjen e sotme përcaktohen dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të Ligës së Kampionëve, pas sfidave Real Madrid-Çelsi dhe Bajern Mynih-Vilarreal.
Reali vjen më komod në këtë ndeshje, sepse fitoi 1-3 në Londër, me tripletën e sulmuesit Karim Benzema. Ekipi ekspert i Championsit kërkon trofeun e 14-të dhe gjysmëfinalja është shumë pranë. Trajneri Karlo Ançeloti gjithsesi ka bërë apel për përqendrim maksimal. Ai ka pranuar se fitorja e ndeshjes së parë e favorizon Realin, por nuk e bën të sigurt kualifikimin.
Madrilenët nuk kanë të gatshëm sot mbrojtësin Militao të skualifikuar, por edhe disa lojtarë të dëmtuar, si Isko dhe Hazard. Te Çelsi mungon sulmuesi Lukaku për shkak dëmtimi, por edhe Çilluel, Barkli e ndonjë tjetër.

Më e hapur është ndeshja që luhet në Gjermani mes Bajernit dhe Vilarrealit. Bavarezët u mundën 1-0 në ndeshjen e parë nga “Nëndetësja e verdhë” dhe sot e kanë detyrim fitoren për të synuar gjysmëfinalen. Trajneri Nagelsman e vlerëson shumë ekipin spanjoll, por sot pret nga të tijtë të bëjnë një ndeshje tjetër dhe të arrijnë objektivin për të shkuar në gjysmëfinale.
Vilarreali i trajnerit Emeri bëri surprizën me eliminimin e Juventusit, por nuk është aspak çudi nëse bën një tjetër goditje ndaj Bajernit. Në ndeshjen e parë spanjollët treguan një nivel të lartë. Të dyja skuadrat vijnë në këtë ndeshje pa mungesa të rëndësishme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




