Futboll

Champions/ Siti-Atletiko një sfidë stilesh. Guardiola dhe Simeone, liderët e kundërt

Gazeta Si – Futboll ofensiv apo futboll difensiv, të sulmosh apo të mos humbësh, futbolli ‘show’ kundër substancës: kush do të triumfojë në Europë? Mbrëmjen e sotme luhet akti i parë i çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve me dy ndeshjet Mançester Siti-Atletiko Madrid dhe Benfika-Liverpul.

“Futbolli brilant kundër atij mbrojtës? Nuk humbas asnjë sekondë për një debat idiot”. Pep Guardiola dje e mbylli menjëherë çdo diskutim të mundshëm në lidhje me temën ‘guadiolizmi kundër çolizmit’.

Pep Guardiola. Gazeta Si, 5 prill 2022

Fakt është se çerekfinalja mes Sitit dhe Atletikos është një përplasje stilesh, mes dy mesfushorëve të mëdhenj të rritur njëri nga Krojf dhe tjetri nga Bilardo. Që të dy edhe në stol vazhdojnë të mendojnë shumë dhe në mënyra të ndryshme. Për Sitin fillojnë 12 ditë të vështira, që vlejnë sa i gjithë sezoni: Atletiko-Liverpul-Atletiko-Liverpul. Dy ndeshjet e para në shtëpi, pastaj një në Madrid dhe e fundit në “Wembley”.

Në lojë janë gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve, një pjesë e mirë e titullit në Premier Ligë dhe finalja e FA Cup. Gjithçka, diçka ose asgjë. Për Pep Guardiolën janë dy 0-0 në 4 sfidat e fundit, por edhe 23 fitore në 28 ndeshjet e fundit.

Diego Pablo Simeone. Gazeta Si, 5 prill 2022

Atletiko Madrid e mori veten para 7 javësh, pas humbjes me Levanten. Javët e fundit regjistron 1 barazim dhe 7 fitore, 6 të fundit radhazi dhe me 3 gola të shënuar. ‘Çolo’ i ka futur në shina të tijtë dhe tani kërkon të nxjerrë nga skena e madhe Pep Guardiolën.

Precedentët
Më 26 shkurt 2012, në një mbrëmje të ftohtë në “Calderon”, Atletiko i Simeones u mund 2-1 nga Barcelona e Guardiolës, me një gol të Mesit në 81’. ‘Çolo’ kishte marrë drejtimin e ‘Colchoneros’ vetëm 2 muaj më parë. Ajo ndeshje ndaj skuadrës më të bukur në botë i shkaktoi humbjen e parë, por i la të kuptonte se ishte në rrugën e duhur.

Guardiola feston nje gol me lojtaret e Sitit. Gazeta Si, 5 prill 2022

Në 2016-ën dy trajnerët u përplasen në gjysmëfinale të Championsit, me Pep Guardiolën që drejtonte Bajernin. Në ndeshjen e parë në “Calderon” vendosi një gol spektakolar i Saul, në ndeshjen e kthimit Ksabi Alonso kaloi bavarezët në avantazh, barazoi Grizman e më pas shënoi Levandosvki. Atletiko, mes vuajtjesh dhe pritjeve të Oblak, kaloi në finale të Championsit, e dyta në 3 vjet.

Pep u ndal sërish te porta e lavdisë europiane: tre gjysmëfinale radhazi në tokën gjermane për të, ku u mund nga tre skuadra spanjolle, Real Madrid, Barcelona dhe Atletiko. Më pas Pep shkoi te Mançester Siti, kurse Simeone qëndroi aty. Tani rrugët e tyre kryqëzohen sërish. Stilet e tyre të ndryshme të futbollit përplasen sërish në skenën më të madhe të futbollit europian.

Simeone dhe Atletiko ne delir pas nje fitoreje. Gazeta Si, 5 prill 2022

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë