Futboll

Champions/ Lautaro Martinez çon Interin në Stamboll, Milani humb dhe derbin e dytë

Gazeta Si – Në finalen e Stambollit shkon Interi, që fiton edhe derbin e kthimit, 1-0. Asnjë shans për Milanin, edhe me Leaon në fushë. Dëshira e kuqezinjve nuk ka mjaftuar, skuadra e Piolit nuk kishte forcën e duhur për të përmbysur humbjen e ndeshjes së parë. Aventura e Championsit mbyllet këtu.

Kapiteni i Interit, Lautaro Martinez, realizoi golin e vetëm në minutën e 74-t, duke prerë çdo shpresë të Milanit. Sulmuesi argjentinas mposhti Maignan me një gjuajtje të fortë në zonë.

Në pjesën e parë Milani iu afrua golit vetëm në një rast me Rafael Leaon, i cili nuk gjeti kuadratin, kurse Interi rrezikoi me Xhekon, që u ndal nga portieri Maignan. Në fundin e pjesës së parë Interi humbi Mkhitarian për dëmtim, në vend të tij u fut Brozoviç.

Në pjesën e dytë skuadrat u hapën disi dhe loja zhvendosej sa në njërin krah në tjetrin. Më konkretë u treguan zikaltrit, që gjetën golin e fitores me Lautaro Martinez. Interi e meritoi plotësisht kualifikimin me atë që dha në fushë në të dyja ndeshjet. Tani pret fituesin e sfidës mes Sitit dhe Realit për aktin përmbyllës të Championsit, ku kthehet pas 13 vitesh nga finalja e Madridit. Kristjan Asllani, mesfushori kuqezi, nuk luajti asnjë minutë në ndeshjen e sotme.

Milanit tani i duhet të japë gjithçka për vendin e 4-t në kampionat, që të mos mungojë në Champions sezonin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë