Faza në grupe e Ligës së Kampionëve vazhdon sot me ndeshjet e dyta në grupet E, F, G dhe H. Spikat sfida mes Juventusit dhe Çelsit në Torino, dy skuadrat që kryesojnë Grupin H me nga 3 pikë. Pritet një sfidë interesante, një përplasje mes Alegrit dhe Tuhelit, dy trajnerë të ndryshëm në stil loje, por fitues.
Romelu Lukaku ndërkohë rigjen kundërshtarin e tij më të vështirë. Gjatë sezoneve që luajti me Interin, sulmuesi belg ka mundur të shënojë vetëm 1 gol ndaj bardhezinjve, edhe atë me penallti, më 15 maj 2021. Ndoshta fanella e Çelsit mund t’i sjellë fat. Lukaku ka luajtur në total 6 herë ndaj Juventusit, një herë si lojtar i Mançester Junajtid dhe 5 herë si lojtar i Interit. Duelet me Kielinin nuk e kanë lejuar të japë më të mirë, ndoshta sot mund të bëjë diçka ndryshe.

Si Juventusi, ashtu edhe Çelsi, vijnë në këtë ndeshje me mungesa të rëndësishme. Trajneri Alegri nuk ka të gatshëm sulmuesit Dibala dhe Morata, kurse londinezët janë pa Kante, Maunt dhe Pulisiç.
Mes ndeshjeve të tjera të mbrëmjes së sotme, mund të veçohet transferta e Barcelonës në Portugali me Benfikën. Bajerni pret Dinamon e Kievit, ndërsa Atalanta e Gjimshitit zviceranët e Jang Bojs.
Champions, ndeshjet e sotme
Ora 18:45
Atalanta-Jang Bojs
Zenit-Malmo
Ora 21:00
Bajern M.-Dinamo K.
Benfika-Barcelona
Juventus-Çelsi
Mançester J-Vilarreal
Salcburg-Lilë
Volfsburg-Sevilja
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




