Champions League rikthehet për të luajtur ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8-ave. Në 21:00 luhet në Torino, aty ku Juventus ka detyrën e vështirë të përmbysë Porton. Portugezët kanë fituar në shtëpinë e tyre me shifrat 2-1 dhe Juventusit do i mjaftonte edhe një fitore minimale me shifrat 1-0. Nëse Porto gjen golin, bardhezinjtë duhet të fitojnë me dy gola diferencë për të siguruar kualifikimin.
E ka të qartë Pirlo, që i kishte rezervuar pankinën Cristiano Ronaldos, pikërisht në funksion të kësaj ndeshje, edhe pse natyrisht të qenit jashtë fushe nuk është diçka që kapërcehet nga CR7. Ndoshta nervi që ka portugezi në këtë rast mund ti bëjë punë bardhezinjve, që duhet të shënojnë një gol pa pësuar për tu kualifikuar. Detyrë që Pirlo ia ka besuar tredhëmbëshit Chiesa-Ronaldo-Morata. Në mesfushë Rabiot e Arthur kanë rimarrë pozicionet e tyre, ndërsa Bentancur është me Covid. Dilemat e Pirlos janë në mbrojtje ku Bonucci është gati për të qenë krah De Ligt, në vend të Demiral.
Ndërsa Porto ka probleme serioze: dy titullarët e qendrës së mbrojtjes, Pepe dhe Mbemba, ndonëse janë grumbulluar, duket e vështirë që të jenë nga minuta 1, pasi kanë probleme muskulore, të mbartura që nga ndeshje me Gil Vicenten në kampionat. Ndërkohë, edhe fantazisti Korona ka një hematomë në kokë, pas një përplasjeje në fundjavë, ndaj edhe ai është e vështirë që të ketë shanse për të luajtur.
Në të njëjtën orë në “Signal Iduna Park” Borussia Dortmund pret spanjollët e Sevillas. Ndeshja e parë ishte plot me gola. Haaland hyri në skenë dhe përmbysi andaluzit, me sfidën që u mbyll 2-3 dhe i shkon shumë përshtat gjermanëve. E megjithatë gjermanët nuk duan t’ia lënë rastësisë në dorë, duke e patur të qartë se Sevilla është një skuadër vërtetë eksperte e Europa League, por di të bëjë mirë edhe në Champions.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




