Futboll

Champions/ Barcelona hesht Parisin, dopietë e Rafinjës në përmbysjen e katalanasve

Gazeta Si – Ndeshja e parë çerekfinale e Championsit u zhbllokua nga braziliani, Dembele dhe Vitinja më pas përmbysën gjithçka. Një kryevepër e Rafinjës rihapi ndeshjen dhe në fund një goditje me kokë e Kristensen vendosi rezultatin. Javën e ardhshme ndeshja e kthimit në Katalonjë.

Barcelona ka mundur 2-3 PSG-në në një ndeshje të mbushur me emocione. Nëse Ksavi është me një këmbë në gjysmëfinale, duhet t’i gëzohet mbrëmjes së artë të Rafinjës, por edhe një skuadre që nuk hoqi dorë asnjëherë nga përpjekjet për fitore.

Rafinja kaloi katalanasit në avantazh në pjesën e parë, duke shfrytëzuar një dalje të gabuar të Donarumës. PSG përmbysi rezultatin sapo nisi pjesa e dytë me një të majtë të bukur të Dembele dhe 60 sekonda më pas me një diagonale të Vitinjës.

Barcelona pati forcën të përmbyste sërish rezultatin. Pedri gjeti Rafinjën, që me një të majtë fluturimthi theu sërish Donarumën. PSG goditi traversën me Barkolan dhe shtyllën me Dembele. Në minutën e 77-të erdhi goditja finale për PSG-në, pas një gjuajtjeje me kokë të Kristensen, që sapo kishte hyrë në fushë.
Ndeshja tjetër e mbrëmjes, Atletiko Madrid-Borusia Dortmund, përfundoi me fitoren e spanjollëve, 2-1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë