Analize

Çfarë po ndodh në Rumani dhe pse po hesht BE?

Protestat kundër koalicionit qeverisës në Rumani nisën një vit më parë, por kulmuan më 10 gusht të këtij viti, ku një pjesë e madhe e protestuesve ishin emigrantë rumunë që u rikthyen në atdhe jo për të pushuar, por për t’iu kundërvënë përpjekjeve të pashembullta të qeverisë socialidemokrate për të dobësuar sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht institucionet antikorrupsion të këtij sistemi.

Protestuesit akuzojnë qeverinë se po punon për interesa të ngushta të politikanëve të akuzuar për afera korruptive. Protesta u shndërrua e dhunshme në momentin kur grupe të vogla manifestuesish u përplasën me forcat e sigurisë. Ajo që pasoi ishte një përdorim i zhdrejtë dhune nga ana e policisë. Gaz lotsjellës, bomba tymuese, topa me ujë dhe shkopat e gomës u përdorën për të shpërndarë protestuesit.

Bilanci ishte më shumë se 400 protestues të plagosur dhe 350 të akuzuar nga prokuroria. Presidenti Klaus Iohannis dhe partitë opozitare e dënuan forcën e tepruar të policisë, që sipas tyre, shtypi një protestë paqësore me dhunë.

Megjithatë, në një letër zyrtare drejtuar Komisionit Europian, Kryeministrja Viorica Dancila deformoi kronologjinë e ngjsarjeve që ndodhen, madje edhe faktet kyçe që nxitën këtë protestë, duke deformuar imazhin e Rumanisë dhe çfarë po luhet me sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit. Argumente të ngjashme janë përdorur më pas edhe nga figurat qëndrore të Partisë Socialdemokrate dhe Aleancës së Liberalëve, partitë që formojnë koalicionin qeverisës. Të gjithë ata minimizojnë dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, por ajo që bën habi është se qoftë para, qoftë edhe pas kësaj letre të Kryeministres, Brukseli nuk ka dalë me një pozicion koherent dhe të qartë që të dënojë dhunën.

Pse po protestohet?

Gjatë protestave të 10 gushtit dhe përplasjeve të policisë me protestuesit

Koalicioni qeverisës dhe figura të rëndësishme të partive pjesë e tij po përballen me akuza të forta për korrupsion. Në të tillë situatë, koalicioni ka propozuar disa ndryshime, që dobësojnë dhe synojnë të kapin sistemin e drejtësisë. Janë disa, që nga përpjekja e qeverisë për të kaluar me shpejtësi disa masa që dekriminalizonin disa akuza në përpjekje për të mbrojtur politikanë që ishin nën hetim nga prokuroria. Rezultati ishte protesta më e madhe e ndodhur ndonjëherë në Rumani që prej vitit 1989 kur u rrëzua komunizmi. Qeveria i tërhoqi mbrapsht masat, por koalicioni gjeti një rrugë tjetër për të vënë në funksion përmbajtjen e tyre; parlamentin. Ky i fundit miratoi disa amendime të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, ndryshime që u qortuan fort nga Komisioni i Venecias, Komisioni Europian dhe magjistratët rumunë. Mes ndryshimeve ishte edhe reduktimi i rëndësisë së Presidentit në zgjedhjen e prokurorëve kryesorë, përfshirë këtu edhe të kryeprokurorit të zyrës antikorrupsion.

Menjëherë pas këtyre ndryshimeve Ministria e Drejtësisë nisi auditimin e punës së Laura Codruta Kovesi, emri i së cilës trembte politikanët rumunë deri në ato momente. Ajo drejtonte Zyrën Kombëtare Antikorrupsion dhe në momentin që qeveria nisi procedurat e shkarkimit për të, nën hetim për korrupsion ndodheshin mbi 720 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të vendit, që të gjithë me akuzën e korrupsionit.

Kërkesa për shkarkimin e saj u refuzua nga Presidenti Klaus Iohannis, por me amendimet e reja që i ishin bërë Kushtetutës, ai e kishte të pamundur që të frenonte nismën e mazhorancës. E refuzoi herën e parë, por më vonë nën presionin e ankimimit të bërë nga qeveria në Gjykatën Kushtetuese dhe mediave pranë qeverisë u detyrua që ta firmosë shkarkimin e Kovesit.

BE e ngrirë

Pyetja që ngrihet tani është se sa efikase janë instrumentat dhe mekanizmat e BE-së për këto raste? Brukseli duket se e ka humbur betejën me Poloninë dhe Hungarinë, e gjasat janë që ta humbasë edhe me qeverinë e Rumanisë. BE ka kompetenca të kufizuara për të ndërhyrë në këtë pjesë, por gjithmonë e më shumë po dobësohet edhe ndikimi i grupeve të Parlamentit Europian. Në 2012, kur Victor Ponta pezulloi presidentin e asaj kohe, Traian Basescu përmes disa masave ligjore kontraverse u përball me kritika të ashpra nga Komisioni Europian, i udhëhequr në atë kohë nga Jose Manuel Barroso. Por, më i ashpër ishte qëndrimi i dhënë nga socialistët e Parlamentit Europian, të udhëhequr nga Martin Schulz.

Kjo formë e kritikës ishte e vakët, për të mos thënë që mungoi fare gjatë 2018. Sot nuk jemi dëshmitarë vetëm të bashkëfajësisë së BE-së, por edhe të ngurtësisë së grupeve politike tradicionale të saj që po dështojnë në përpjekjet për të ndikuar tek partnerët e vendeve anëtare për të izoluar aktorët problematikë. Në një periudhë afatgjatë, këta aktorë mund të shndërrohen në një kërcënim edhe për vetë politikanët tradicionalë të BE-së, të dobësuar ndjeshëm nga rritja e euroskepticizmit, populistëve dhe fraksioneve antisistem.

Për më shumë se një viti e gjysmë rumunët po mbrojnë pavarësinë e sistemit të tyre të drejtësisë në rrugë, ndërsa Brukseli nuk ka zhgënjyer me qëndrimin e zbehtë dhe deklaratat tradicionale, ku shpreh shqetësimin për ato që po ndodhin. Por, kur një protestë paqësore në rrugë përballet me dhunën e institucioneve qëndrore dhe kur politikanët e korruptuar po ja dalin mbanë që të intimidojnë dhe minojnë drejtësinë, me të drejtë shoqëria civile, aktivistët dhe qytetarët e thjeshtë rumunë presin më shumë nga Europa…shumë më shumë.

Nga Bianca Toma dhe Alexandru Damian. Artikulli është botuar në “The London School of Economics and Political Science”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë