Nga Gazeta ‘Si’- Ditë përpara se UEFA të kthente përgjigjet e shorteut për biletat e Europianit të cilat përgjithësisht ishin refuzuese për shqiptarët, nëpër agjencitë turistike gëlonin paketat që siguronin biletat sëbashku me qëndrimin.
Të gjithë aplikuesit u informuan dje(25 janar) me anë të një e-mail-i zyrtar nga UEFA ku u kërkohej të vijonin me pagesën nëse kishin fituar ndërsa të tjerët u njoftuan se kërkesa e tyre rezultoi e pasuksesshme.
Ndërsa qytetarët që morën përgjigje pozitive ishin të paktë në Shqipëri, ‘fituesit’ në këtë mes duket se janë vetëm agjencitë turistike të cilat prej ditësh ofrojnë bileta të shumta për ndeshjet. Gjë kjo që përpos revoltës në rrjet, nxiti jo pak edhe spekulimet se në ç’mënyrë ato kanë përfituar një numër aq të lartë.
Në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri konstatoi se çmimet që ofrojnë agjencitë për një nga ndeshjet e grupit të Shqipërisë( Spanjë, Kroaci, Itali) janë shumë të kripura krahasuar me çmimet që ofronte UEFA gjatë aplikimit (60 euro në kategorinë e tretë deri në 200 euro në kategorinë e parë).
Një biletë në kategorinë e tretë nga agjencia Travel Time Tours mund të blihet tani për 400 euro, rreth 320 euro më shumë nga ç’ka ofronte UEFA. Për kategorinë e parë, çmimi është 550 euro.
Ndryshe nga UEFA e cila një individi i lejonte një numër deri në 4 bileta, agjencitë ofrojnë deri në 10 bileta. Megjithatë ata kanë vendosur një ‘kufi’ deri në 5 bileta numri i të cilave nëse kalon, vjen më një çmim më të lartë për qytetarët.
Pra në agjencinë Travel Time, nëse një qytetar kërkon të blejë 10 bileta për kategorinë 3, çmimi për 5 të parat është 400 euro, ndërsa pesë të tjerat vijnë me çmim më të lartë.
Ndërkohë, agjenci të tjera në vend nuk tregtojnë vetëm biletën por theksojnë që duhet të marrësh të gjithë paketën e plotë.
Për ndeshjen Shqipëri-Itali që do të luhet më 15 qershor, agjencia Coral Travel Albania ofron një paketë prej 1500 euro për person ku përfshihet bileta, fluturimi direkt me charter nga Tirana dhe hoteli në qytetin Düsseldorf.
Edhe për ndeshjet e tjera të grupit, kjo agjenci siguron të njëjtin çmim.
Ndërkohë paketa nga Vas Tour e cila siguron vetëm biletën, futurimin vajtje-ardhje dhe transfertat aeroportuale pa qëndrim në hotel kushton rreth 1 mijë euro për person.
Por pavarësisht kësaj, burime nga tregu deklarojnë se vëmendja drejt agjencive është e vakët duke qenë se shqiptarët që janë pranuar nga UEFA po i tregtojnë më lirë se agjencitë në treg të zi ose në web-e të ndryshme online.
Një nga këto eshtë edhe faqja Football Ticket Net e cila për kategorinë e tretë ofron një biletë nga 212-240 euro, për kategorinë e dytë përgjithësisht deri në 320 euro ndërsa në kategorinë e parë ku kanë mbetur pak vende, një biletë kushton deri në 370 euro.
Ndonëse nga UEFA nuk ka ende një reagim se përse ka ndodhur ky refuzim në masë i biletave për qytetarët shqiptarë që kanë aplikuar, burime nga tregu pohojnë për Gazetasi.al se një nga arsyet është edhe politika që ndjek UEFA.
Ata deklarojnë se institucioni i futbollit i jep përparësi banorëve të vendit që organizon turneun apo qytetit që zhvillohet ndeshja. Në këtë rast atyre që banojnë në Gjermani.
E njëjta situatë ndodhi edhe në finalen e 25 majit 2022 të Ligës së Konferencës në Tiranë ku gjatë procesit në shitjen e biletave, pjesa më e madhe u fitua nga shtetasit shqiptarë. Njësoj siç ndodhi me shqiptarët tani, kjo asokohe zhgënjeu tifozët e Romës dhe Fejnordit të cilët aplikuan nga shtetet e tyre përkatëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.