Para

Çfarë po e rrëzon euron?

Euro ka humbur plot 9 pikë kundrejt lekut që nga muaji janar i këtij viti, një shifër e lartë po të kihet parasysh që monedha e përbashkët europiane në tregjet globale është e qëndrueshme.

Shkaktarët e kësaj rënieje po kërkohen gjithandej, por asnjë institucion nuk mund të drejtojë gishtin prerazi drejt një faktori të vetëm. Por, opozita është e bindur dhe për të ka vetëm një faktor; paratë e drogës.

“Këtë vit janë futur 460 milion euro shtesë, 35 për qind më shumë. Nga kanë ardhur? A kemi investime të huaja shtesë? Nuk kemi! Remitancat janë pak a shumë në të njëjtat kuota. Siç e pohojnë të gjithë, këto janë lekë që kanë ardhur nga tregtia e drogës”, deklaroi të martën në Komisionin e Ekonomisë, deputeti demokrat, Aldo Bumçi.

Jorida Tabaku identifikon edhe sektorët, ku sipas opozitës, po pastrohen këto para.

“Sektorë si ndërtimi dhe turizmi janë duke pastruar para dhe pastrimi i parave po ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve, që nga fermeri i thjeshtë e deri tek pensionisti dhe ky duhet të ishte shqetësimi kryesor i qeverisë”, tha Jorida Tabaku.

Ngritja e këtij shqetësimi nga Aldo Bumçi, që është pjesë e Komisionit për Integrimin Europian u vu re edhe nga kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe.

“Faleminderit shumë që në emër të kolegëve tuaj që janë pjesë e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave vini ju nga Komisioni i Politikës së Jashtme ta ngrini këtë çështje. E kemi në plan për t’u marrë me këtë gjë”, tha ai.

Por, mazhoranca kërkon që të mos dilet në përfundime të nxituara.

“Është në integritetin e këtij Komisioni të Ekonomisë dhe të gjithë deputetëve që këtë diskutim ta bëjë sa më serioz dhe sa më të ftohtë se, në qoftë se ka një fenomen ku efekti psikologjik mund të ndikojë negativisht është politika monetare dhe politika fiskale, kështu që çdo qëndrim pasionant i paargumentuar, i pabazuar, i supozuar mund të shkaktojë dëm shumë të madh”, u shpreh Anastas Angjeli nga PS.

Angjeli kujtoi edhe programin e deeuroizimit, të shpallur nga Banka e Shqipërisë dhe në kuadër të këtij programi këshillon që BSH të përdorë instrumentat e nevojshëm për të stabilizuar situatën.

Rënia e euros dëmton më së shumti prodhuesit, eksportuesit dhe turizmin, ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë një efekt domino, që mund të prekë edhe çmimet në treg.

“Në një situatë, kur një monedhë i afrohet zhvlerësimit në masën 7, 8, dhe 10 për qind në periudhë qoftë njëvjeçare, kjo hyn në ato situatat e krizave monetare për një vend të caktuar dhe ne duhet të jemi shumë më të vëmendshëm dhe të kujdesshëm, edhe me politika ekonomike e financiare, të paktën për ta kontrolluar me kujdes dhe për të marrë ato masa që mund të marrim për ta balancuar disi situatën”, thotë Adrian Civici, ekspert ekonomie.

Por, medalja ka edhe anën e saj pozitive. Përfituesit kryesorë të zhvlerësimit të euros janë kryesisht personat, apo bizneset që kanë kredi në monedhën e përbashkët europiane.

Ndërkohë, parashikimet e ekspertëve janë që rënia të vazhdojë, pasi përpara është sezonit turistik dhe prurjet e valutës së huaj në treg të shtohen.

Në Komisionin e Ekonomisë janë thirrur për të raportuar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë