Mentor Kasa – Tre ditë më parë, me kërkesën e tij, Saimir Tahiri u paraqit në Prokurorinë për Krimet e Rënda, pikërisht aty ku po hetohet për lidhje me një grup të strukturuar kriminal që trafikonte drogë në drejtim të Italisë.
Në dalje nga Prokuroria, ish-ministri i Brendshëm tha për mediat se kishte depozituar vendimin e Gjykatës italiane për pushimin e hetimeve ndaj tij, pasi nuk u gjet asnjë lidhje me grupin e “Habilajve”. Këtë të enjte, Saimir Tahiri mbajti konferencën për shtyp, të paralajmërëuar fillimisht për të shtunën, por të anuluar me gjasa nga dorëheqja e Fatmir Xhafajt, që i rrëmbeu vëmendjen.
Në këtë konferencë të mbajtur në Hotel Rogner dhe me një sfond të gjelbëruar nga pas u kthye pas në kohë.
“Ju kujtohet se në datë 24 Tetor 2017, pra vitin e kaluar, dola në konferencë për shtyp dhe deklarova duke treguar edhe dokumentacionin nga Italia, se ndaj meje nuk kishte asnjë hetim”, tha ai, duke nënkuptuar dokumentin e paraqitur në atë kohë, që tregonte, sipas tij, se nuk po hetohej nga pala italiane në kuadër të dosjes “Habilaj”.
Ish-ministri i Brendshëm në tetor të vitit të kaluar kërkoi që të hetohej nga pala italiane. Kërkesa iu plotësua dhe në përfundim të tij, thotë se ka dalë i pastër. Saimir Tahiri foli për shumëçka, që nga “mendje të liga”, “duar të zeza”, “bilbila” e “kopila”, që tha se donin ta fusnin pas hekurave.
Por, kjo konferencë dhe pushimi i hetimeve nga pala italiane nuk shteron pikëpyetjet që mbeten në Shqipëri dhe ato nuk janë pak.
Së pari, mbetet “Audi A8”. Ish-ministri tha se ua kish shitur kushërinjëve, por nuk kishin ndryshuar pronësinë. Në 2015, ish-shefi i antidrogës, Dritan Zagani ka deklaruar se makina e ish-ministrit të Brendshëm është përdorur nga trafikantët e drogës, ndërsa me skafin e ministrit është transportuar drogë drejt Italisë.
Saimir Tahiri ngriti alibinë e tij sa i takon akuzës për përdorimin e makinës së tij Audi A8 me targë AA003GB. Ai e pranoi në shtator të 2015 se makina e tij mund të jetë përdorur nga njerëz të ndryshëm, por ai tha se makinën e kishte shitur që në 2013. Por, në 2014 makina figuronte ende me emrin e Saimir Tahirit dhe pyetjet që ngrihen janë të mëdha, që nga shitja fiktive e makinës, e deri tek mundësia që automjeti të jetë përdorur nga trafikantët për t’u shpëtuar kontrolleve policore.
Nuk morën përgjigje as akuzat e Prokurorisë se në të paktën katër raste, Saimir Tahiri ka udhëtuar me Habilajt në Audin A8, që deklaronte se e kishte shitur që në 2013. “Subjekti nën hetim Saimir Tahiri në datë 05.11.2013 ka realizuar shitjen e mjetit me targë AA03GB tek personi nën hetim Artan Habilaj, vëllai i të arrestuarit Moisi Habilaj”, ndërsa “më datë 16.08.2016, 30.08.2014, 29.08.2014, 08.08.2014 personi nën hetim Saimir Tahiri udhëton dhe përdor mjetin me targë AA03GB, i cili sipas aktit të shitjes rezulton të jetë shitur më datë 15.11.2013”, thotë Prokuroria.
Së dyti qëndron skafi. Në të vërtetë, mjeti lundrues i përdorur nga ish-ministri, kryesisht për pushime rezulton në emër të një shtetasi tjetër, i cili mohoi se e njihte Saimir Tahirin dhe i marrë në pyetje nga Prokuroria për Krimet e Rënda tha se ishte e para herë që e takonte atë.
Pika e tretë është gjetja e patentave ujore të Saimir Tahirit gjatë arrestimit të biznesmenit Orest Sota, i kapur në Elbasan me 830 mijë euro para të thata në makinën e tij. Këtu u gjetën edhe patentat e ish-ministrit të Brendshëm. Opozita deklaronte në atë kohë se paratë ishin të Saimir Tahirit dhe ai po përgatiste arratisjen, ndaj duhej arrestuar sa më parë.
Gjatë marrjes në pyetje, Orest Sota tha se patentat mund t’i ketë harruar në makinën e tij shoferi i ish-ministrit, me të cilin deklaroi se kishte shoqëri, ndërsa shumën e parave e justifikoi me blerjen e materialeve nga kompania Kurum. Vetë kjo kompani e mohoi këtë.
Pas sqaruar mbeten edhe përgjimet e italianëve. Pjesë e kësaj dosje është një përgjim i datës 16 dhjetor të vitit 2013 i një bisede mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, kur ata sipas vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve italianë, përmendin Ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri. Hetuesit italianë bëjnë një përmbledhje të kësaj bisede.
“Të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri” (deputet i Shqipërisë) njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu i thotë që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”, thonë hetuesit italianë.
Në përgjimin e datës 2 mars të vitit 2014 mes Habilajt dhe Çelajt përmendet automjeti me targë AA003GB, me të cilin të dy personat kanë udhëtuar drejt Siçilisë. Kjo makinë ishte në emër të Saimir Tahirit.
Si përfundim, për italianët nuk ka asnjë dilemë se Saimir Tahiri nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjeve të tyre, por për dosjen e Krimeve të Rënda në Tiranë, përfundimi i italianëve ka pak rëndësi dhe nuk shuan paqartësitë dhe gjithë pyetjet që ngrihen në këtë dosje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.