Kosova është tronditur të mërkurën mbrëma nga vdekja e dy kandidatëve të lartë të Partisë Demokratike në Pejë, të cilët mësohet se në konflikt e sipër kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar njëri-tjetrin.
Kandidati për kryetar të Pejës në zgjedhjet e ardhshme lokale, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati për kryetar të Deçanit, Blerand Kadrijaj kanë mbetur të dy të vdekur. Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, PDK-ja u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe ka vendosur të anulojë fushatën elektorale në Pejë.
“Partia Demokratike e Kosovës është e tronditur nga lajmi tragjik për vrasjen e dyfishtë në Pejë, të kandidatit tonë për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijajt, ish kandidat për Kryetar të Komunës së Deçanit më 2017. Ju shprehim ngushëllimet më të ndjera familjeve të tyre. Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre e lutemi që të gjejnë forcën që të përballin humbjen e rëndë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Vrasja ndodhi pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti dhe ka tronditur opinionin publik, pasi asnjë nga kandidatët nuk kishte leje për armëmbajtje. Detajet e konfliktit mes dy politikanëve mbeten ende të paqartë.

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri thotë se sipas informacioneve se vrasja e dyfishtë ishte pasojë e një konflikti të çastit ndërmjet dy viktimave, të cilat mësohet se ishin edhe nën efektin e alkoolit.
“Ka ndodhur një konflikt i momentit, për të cilin nuk ka shumë dëshmitarë. Ishte vetëm vëllai i Astritit. Nga të shtënat kanë mbetur të dy të vdekur. Janë dërguar nga fqinjët në spital, as fqinjët nuk e dinin nëse dikush ka shtënë kundër tyre apo ata kanë sulmuar njëri-tjetrin. Më pas është sqaruar se ka qenë konflikt që ka ndodhur mes Ademajt dhe Kadrijajt”, ka deklaruar Muhaxhiri. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë përmes një postimi në Facebook se përveç të vdekurve, është plagosur edhe një person i tretë, i cili është arrestuar.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta të udhëheqësve te institucioneve të cilët bën thirrje për zbardhjen e saj. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar organet e rendit për zbardhje të rastit të kësaj vrasje të dyfishtë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ngjarja e rëndë në qytetin e Pejës është tronditëse . “U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Në këto momente të vështira ndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike”, thuhet në reagimin e kryeministrit Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




