Në harkun kohor brenda 24 orëve, që përfshin mëngjesin e së premtes,(3 dhjetor)dhe deri në mëngjesin e së shtunës, çmimi i Bitcoin pësoi ulje nga 57.000 dollarë në 47.000 dollarë, duke humbur 10.000 dollarë, ose më shumë se 17%.
Çmimi i Ether gjithashtu ra me afër 3.500 dollarë të shtunën.
Crypto filloi të bjerë të premten pasi stoqet u tërhoqën dhe investitorët u drejuan tek siguria e thesarit. Aksionet teknologjike ishin ndër humbësit më të mëdhenj në Wall Street me Teslan që ra 6%.
Nuk kishte asnjë arsye të qartë për rënien e vlerës së kriptomonedhave, veçanërisht të shtunën gjatë natës kur humbjet u përshpejtuan.
Nuk është e padëgjuar që kriptovalutat, të cilat tregtohen 24/7, të luhaten egërsisht gjatë fundjavave. Kjo është për shkak të disa faktorëve, duke përfshirë vëllimet më të ulëta të tregtimit dhe një strukturë tregu që përbëhet nga qindra pika këmbimi valutor të shkëputura që në fakt janë ishujt e tyre të likuiditetit.
“Si zakonisht, meqenëse tregtarët e kriptove përdorin levën e tyre, kjo rezulton në urdhra shitjesh dhe likuidime,” tha Antoni Trenchev, bashkëthemelues i huadhënësit të kriptove Nexo.
“Ne duhet të gjejmë mbështetje rreth 40.000 dollarë deri në 42.000 dollarë dhe më pas të kthehemi në radhë për një ngritje të madhe në fundvit. Nëse kjo nuk qëndron, mund të rishikojmë uljet e korrikut nga 30.000 deri në 35.000 dollarë.”
Lëkundjet në kriptovaluta vijnë në mes të një periudhe të paqëndrueshme për tregjet financiare. Inflacioni i lartë po i detyron bankat qendrore të shtrëngojnë politikën monetare, duke kërcënuar të reduktojnë shtysën e fortë të likuiditetit që u ngriti vlerën shumë aseteve.
“Rënia ka të ngjarë të jetë pjesërisht teknike, e përkeqësuar nga tregu i derivateve dhe jo e ndihmuar nga momenti i rënies pas stoqeve, të cilat patën një rritje të lartë të premten,3 dhjetor, me të cilat Bitcoin ka qenë i lidhur pozitivisht,” shkroi Katie Stockton, themeluese dhe partnere menaxhuese e Fairlead Strategies, një firmë e pavarur kërkimore e fokusuar në analizën teknike.
Varianti Omicron i Covid-19 ka çuar gjithashtu në panik për shqetësimet se çfarë mund të nënkuptojë rihapja ekonomike globale.
Stoqet globale janë ulur më shumë se 4% nga një rekord në nëntor.
Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




