Analize

Çfarë ndodhi më 15 korrik?

Turqia përkujton këtë 15 korrik 2-vjetorin e grushtit të dështuar të shtetit. Ceremoni të shumta organizohen në të gjithë vendin për të nderuar viktimat e asaj që Recep Taip Erdogan e pagëzoi më vonë Dita e Demokracisë dhe Heronjëve.

Por dy vite nga përpjekja për të rrëzuar Erdoganin shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje. Vetë Presidenti turk e ka të qartë se kush qëndron pas grushtit të shtetit, por akuzat e tij nuk bindin Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të Perëndimit.

Çfarë ndodhi natën e 15 korrikut të 2016?

Turqia dëshmoi tentativën më të përgjakshme për grusht shteti në historinë e saj moderne. Seksione të ushtrisë ndërmorën një operacion të koordinuar në qytetet më të mëdha të vendit me synim rrëzimin e Recep Taip Erdogan.

Ushtarë dhe tanke dolën në rrugët e qyteteve dhe një numër shpërthimesh u raportuan në Ankara dhe Stamboll.

Në veprim u aktivizuan edhe avionët luftarakë, që hodhën bomba mbi Parlamentin vendas, ndërsa Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Ushtarak, Hulusi Akar u mor peng nga truprojat e veta. Për disa orë u duk se Turqia do të kalonte grushtin e katërt ushtarak në 95 vite histori moderne. Pikërisht këtu ndryshuan gjërat.

Qytetarët u përballën me ushtrinë

Lajmi se po ndodhte një grusht shteti u përhap me shpejtësi nëpër mediat sociale. Qindra-mijëra qytetarë dolën në rrugë “të armatosur” me mjetet e kuzhinës për të kundërshtuar grushtin e shtetit.

Turmat u rezistuan gjuajtjeve me tank dhe bombardimeve ajrore dhe të ndihmuar nga pjesa besnike e Erdogan në ushtri dhe polici mposhtën grushtin e shtetit pa zbardhur ende dita. Qeveria shpalli fitoren dhe pjesa e ushtarëve pjesëmarrës në këtë grusht u dorëzuan në Urën e Bosforit. Kostoja e fitores ishte e lartë: 241 persona u vranë dhe mbi 2 mijë të tjerë mbetën të plagosur.

Kush qëndron pas grushtit të dështuar të shtetit?

Qeveria turke fajëson Fethullah Gulen, një predikues dhe biznesmen turk që jeton prej vitit 1999 në Shtetet e Bashkuara.

Fethullah Gulen, themelues i lëzjes "Hizmet"

Gulen është themluesi dhe udhëheqësi i lëvizjes “Hizmet”, që zotëron fondacione, organizata, shkolla dhe grupe mediatike.

Dikur Gulen ishte një aleat i fortë i Erdogan, kur së bashku në Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) luftonin për t’i dhënë fund pushtetit të zgjeruar të ushtrisë në politikën e vendit. Ishin vitet e para të mijëvjeçarit të ri dhe “Hizmet” kishte vitet e saj të arta.

Gjatë kësaj periudhë, aleanca AKP-Gulen do të krisej. Anëtarët e lëvizjes gyleniste zunë pozicionet më të mira në administratë. Aleanca u kris më tej në vitin 2010, kur zëvendëskreu i shërbimeve inteligjente turk (MIT), Hakan Fidan, një njeri i afërt i Erdogan u thërrit nga oficerë të policisë për të thënë sqarime mbi sulmin e forcave izraelit mbi anijen “Mavi Marmara”, që ishte nisur me ndihma drejt Gazas.

Gjërat nuk ishin më si më parë dhe tre vite më vonë palët dalin hapur. Në 2013, një hetim masiv antikorrupsion çoi në pranga dhjetra zyrtarë dhe biznesmenë të afërt me AKP-në. Erdogan shpërtheu në akuza se arrestimet ishin një sulm i gylenistëve ndaj atij personalisht dhe demokracisë turke në tërësi. Ai u zotua se do t’u jap fund “atyre që po përpiqen të formojnë një shtet brenda shtetit”, duke iu referuar lëvizjes “Hizmet”.

Menjëherë nisën masat kundër organizatave të Fethullah Gylen dhe gylenistëve. Shërbimet inteligjente vunë në shënjestër dhe u bënë nismëtare të shumë dosjeve hetimore ku përfshiheshin figura të njohura dhe ndjekës besnikë të Gylenit.

Sot, zyrtarët turq e lidhin grushtin e shtetit me hetimet e nisura nga shërbimet sekrete. Sipas Qeverisë turke, gylenistët kundërvepruan dhe u përpoqën të rrëzojnë qeverinë pasi besonin se hetimet po shkonin drejt fundit dhe atyre do t’u zbuloheshin veprimet antiligjore dhe do të arrestoheshin.

Vetë Gulen mohon përfshirjen në grushtin e shtetit, madje hamendëson se ky grusht mund të jetë orkestruar nga vetë Erdogan për ta dërguar vendin drejt diktaturës, një pretendim që hidhet poshtë si nga Presidenti e qeveria turke, madje edhe nga vetë opozita.

Si dështoi shërbimi inteligjent, MIT?

Grushti i shtetit dështoi, por pas la një mal me pyetje serioze mbi aftësitë e shërbimeve inteligjente turke. Pas 15 korrikut, zyrtarët e MIT pranuan se informacionet e para për grushtin e shtetit i kishin marrë vetëm pak orë para se ai të niste dhe vetë zyrat e tyre të ishin objekt i një sulmi me artileri.

Erdogan gjatë fjalimit të mbajtur vitin e kaluar në 1-vjetorin e grushtit të dështuar të shtetit

Pranohet se zv.sekretari i shërbimit u përpoq të kontaktonte me Erdoganin rreth orës 07:00 të mbrëmjes së asaj dite, por askush nuk i ishte përgjigjur në anën tjetër. Njëra prej pyetjeve që nuk ka marrë përgjigje është se përse MIT nuk ka telefonuar kryeministrin Binali Yildirim atë natë, pasi panë që nuk iu përgjigj Erdogan?

“E pyeta zv.sekretarin e MIT për këtë çështje, por nuk mora një përgjigje që të më kënaqte”, deklaroi fill pas grushtit të shtetit, kryeministri Yildirim.

Vetë Erdogan pranoi se më 15 korrik shërbimet inteligjente turke dështuan, megjithëse në muajt paraardhës kishin dëshifruar miliona mesazhe të gylenistëve, sërish nuk kishin arritur që të binin në gjurmët e grushtit të shtetit.

Cila ishte kundërpërgjigja?

Ende mbetet e paqartë se si MIT dështoi të zbulojë përgatitjet për grushtin e shtetit dhe po ashtu të njoftojë për këtë grusht Presidentin apo Kryeministrin e vendit.

Më 22 korrik, një javë pas grushtit të shtetit qeveria turke deklaroi gjendjen e emergjencës, si mjet për të luftuar “të gjithë elementët dhe organizatat terroriste të përfshira në këtë aksion”.

Mijëra persona u arrestuan brenda pak javëve, mes të cilëve drejtues të lartë të policisë e ushtrisë

Brenda pak javësh numri i atyre që u arrestuan dhe përfunduan në gjyq shkoi në mijëra, që të gjithë persona të dyshuar ose me lidhje me lëvizjet e Gulenit.

Mes të ndaluarave qindra ishin zyrtarë të ushtrisë, pilotë, oficerë të policisë, punonjës të administratës, ndërsa akademikë dhe mësues u pushuan nga puna dhe u vendosën nën hetim ose nën mbikëqyrje.

Dhjetra media televizive, të shtypura apo online u mbyllën për lidhjet me lëvizjen Hizmet. Hetimet vazhdojnë dhe deri më sot 100 mijë persona janë pushuar, ose pezulluar nga puna dhe 50 mijë të tjerë janë arrestuar në një masë të pashembullt më parë për vendin. Qeveria e cilësoi operacionin si jetik për të larguar nga aparati shtetëror të gjithë mbështetësit e grushtit të shtetit.

Mes ndryshimeve ishte edhe abrogimi i të drejtës së universiteteve për të zgjedhur rektorët e tyre dhe sot, Erdogan ka pushtetin për ta bërë këtë vetë drejtpërdrejtë.

Si u vendos kush duhej arrestuar e kush duhej pushuar në një periudhë kaq të shkurtër?

Shpejtësia me të cilën ndodhen arrestimet, pushimet e pezullimet nga puna të mijëra personave nxitën zërat se Erdogan po e shfrytëzonte grushtin e shtetit për të goditur kundërshtarët e tij politikë.

Por, Qeveria turke thotë se ishte në gjendje që të vepronte me këtë shpejtësi pasi personat e prekur nga arrestimet, pushimet e pezullimet ishin të skeduar nga shërbimet inteligjente që kishin prej vitesh nën mbikëqyrje elementët dhe mbështetësit e lëvizjes “Hizmet”.

Nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi hetimet e MIT për këtë rast, por në media kanë qarkulluar disa artikuj se shërbimet inteligjente kanë hetuar gylenistët prej të paktën 2013-s.

Në maj të 2015-s, dy muaj para grushtit të shtetit, ministri i Mbrojtjes, Ismet Yildiz pyetej se sa ishte numri i gylenistëve në radhët e ushtrisë. “Deri më tnai kemi identifikuar mbi 1 mijë persona”, deklaronte ai.

Pak ditë më vontë, gazetari Sertac Es nga gazeta “Cumhuriyet” raportonte se MIT i kishte dorëzuar shefit të shtabit të përgjithshëm një listë të gjatë me emrat e gylenistëve në radhët e ushtrisë. Bëhej fjalë për një listë me 1200 emra, mes të cilëve edhe dy gjeneralë.

Por, sipas Qeverisë turke vendimtar në reagimin e shpejtë ishte zbulimi nga ana e agjentëve të sistemit të komunikimit të gylenistëve. Që prej 2014, ata përdornin një aplikacion të quajtur Bylock. MIT ra në dorë të këtij aplikacioni dhe e dëshifroi atë. Në 2015, gylenistët ndryshuan aplikacion dhe nisën të përdorin një tjetër të quajtur “Eagle”.

Autoritetet thonë se nga shkodimi i aplikacioneve u bë i mundur identifikimi i të paktën 40 mijë gylenistëve, mes të cilëve 600 zyrtarë të laartë të vendit. Kjo listë ishte baza e arrestimeve, pushimeve dhe pezullimeve nga puna menjëherë pas grushtit të shtetit.

Si ndikoi grushti i shtetit në marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin?

Bashkimi Europian u tregua mosbesues fillimisht për grushtin e shtetit, ndërsa më vonë akuzoi Erdoganin se po përdorte ngjarjet e 15 korrikut për të goditur dhe eleminuar kundërshtarët e vet politikë.

Erdogan dhe Angela Merkel. Gjermania ka qenë kritike e fortë e rrugës së ndjekur nga Turqia pas grushtit të shtetit

U përkeqësuan edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Erdogan kërkoi menjëherë ekstradimin e Gylenit, por kërkesa u refuzua.

Formalisht, Ministria turke e Drejtësisë u kërkoi autoriteteve amerikane në shtator të 2015 arrestimin e Gulen me akuzën e “organizimit dhe komandimit të grushtit të dështuar të shtetit”. Por, ende sot SHBA këmbëngulin se nuk ka prova bindëse që e lidhin Gulen me këtë tentativë, që do të çonin në arrestimin dhe nisjes e procesit të ekstradimit për të.

Por, nëse shtypja në masë e grushtit të shtetit e zhvendosi Ankaranë në një kurs përplasjeje me Perëndimin, në vend, të paktën për një periudhë të shkurtër prodhoi një unitet të pazakontë politik.

Të gjitha partitë politike turke dolën me një deklaratë të përbashkët ku dënohej përpjekja për të rrëzuar qeverinë me forcë, ndërsa më vonë u nis një tryezë mbarëpartiake për situatën e krijuar.

E vetmja parti që u përjashtua nga kjo tryezë ishte Partia Demokratike Popullore e Selahattin Demirtas, udhëheqës i kurdëve. Më vonë, duke shfrytëzuar gjendjen e emergjencës Erdogan mbylli mediat prokurde dhe arrestoi gazetarë e punonjës të administratës që i akuzonte si të lidhur me PKK-në, që Ankaraja e konsideron organizatë terroriste. Edhe vetë Demirtas përfundoi në burg dhe në zgjedhjet e fundit presidenciale të vendit kandidoi nga qelia ku mbahet i izoluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë