Trupat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani, duke përmbushur zotimin e Presidentit Joe Biden për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës pas një evakuimi kaotik dhe të dhunshëm nga Kabuli.
Por një tërheqje e tillë ishte asgjë, veçse një ngjarje e paralajmëruar: Talibanët kishin dëshmuar të ishin një armik kokëfortë, që nuk po shkonte askund, dhe që kontrollonte de fakto gati gjysmë ne territorit të vendit.
Edhe pse me rreth 140.000 ushtarë dhe me disa prej pajisjeve më të sofistikuara në botë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të NATO-s dështuan që të mposhtin talibanët. Fuqitë perëndimore harxhuan më shumë se 2 trilionë dollarë dhe humbën 3 500 ushtarë, plus një numër shumë më të madh ushtarësh të plagosur rëndë, duke u angazhuar në atë që udhëheqësit e dinin prej kohësh se ishte një luftë e pamundur për t’u fituar.
Në fillim ndërhyrja ushtarake në Afganistan u duk një histori suksesi. Shtetet e Bashkuara hynë në Afganistan në tetorin e vitit 2001 me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara, dhe të nxitur nga zemërimi mbarëbotëror për sulmet terroriste të 11 Shtatorit.
SHBA dërgoi bombarduesit B-52, raketat e drejtuara me lazer dhe Beretat e Gjelbra, të cilat bashkëpunuan me milicitë lokale për të rrëzuar talibanët brenda 60 ditësh, me humbjen e vetëm 4 ushtarëve amerikanë.
Operacioni u duk si shembull dhe kushtoi në total 3.8 miliardë dollarë. Presidenti George W.Bush e përshkroi si një nga “sukseset” më të mëdha të të gjitha kohërave. Talibanët u rrëzuan nga pushteti, Osama bin Laden u arratis në Pakistan, dhe administrata Bush nuk dinte të thoshte se çfarë tjetër synonte të arrinte në Afganistan.
Por çfarë ndodhi më tej gjatë dy dekadave luftë dhe çfarë arriti SHBA në Afganistan?

- 13 nëntor 2001 – Forcat e Aleancës Veriore të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara hyjnë në Kabul ndërsa talebanët tërhiqen në jug. Brenda një muaji, udhëheqësit talebanë kanë ikur nga Afganistani jugor për në Pakistan.
- Dhjetor 2001 – Forcat amerikane bombardojnë kompleksin e shpellave Tora Bora në Afganistanin lindor, ku thuhej se ishte fshehur Bin Ladeni, por ai arrin të kalojë kufirin me Pakistanin, ku ai zhduket.
- 2 maj 2003 – Zyrtarët amerikanë deklarojnë përfundimin e operacioneve të mëdha luftarake në Afganistan. Nën Presidentin George W. Bush, fokusi i Shteteve të Bashkuara orientohet ndaj përgatitjes për pushtimin e Irakut, që kërkoi një devijim të trupave amerikane, pajisjeve dhe operacioneve të zbulimit nga Afganistani. Kjo i mundësoi talebanëve të ribashkohen gradualisht, në fillim në jug dhe lindje.
- 2006-2008 – Me forcat amerikane që luftojnë kryesisht një fushatë të fortë në Irak, vetëm një kontigjent shumë më i vogël është vendosur në Afganistan. Talebanët nisin avancime të mëdha duke kërcënuar të rimarrin pjesë të mëdha të territorit, veçanërisht në jug. Në përgjigje, një mision i zgjeruar i NATO-s sjell mijëra forca të tjera, veçanërisht ushtarakë britanikë, qindra prej të cilëve vriten në beteja intensive kundër talebanëve në provincën Helmand.
- 17 shkurt 2009 – Ndërsa Uashingtoni po tërhiqet në Irak, Presidenti i sapo inauguruar Barak Obama vendos të rrisë praninë në Afganistan. Në vendimin e tij të parë madhor ushtarak si komandant i përgjithshëm, ai urdhëron dërgimin e 17’000 forcave të tjera luftarake për të përforcuar 38 000 forcat amerikane dhe 32 000 forca nga rreth 40 vende aleate të NATO-s tashmë në terren. Më vonë atë vit, me gjeneralët që rekomanduan një fushatë “të fortë” të ngjashme me atë të zhvilluar në Irak në 2006-2007, Obama do të urdhëronte një prani edhe më të madhe. Kontigjenti amerikan do të tejkalonte 100 000 deri në mesin e vitit 2010, duke kryer operacione të gjera kundër rebelëve në të gjithë vendin.
- 1 maj 2011 – Bin Ladeni vritet në një sulm të forcave amerikane në Pakistan.
- Dhjetor 2011 – Zyrtarët amerikanë thonë se diplomatët amerikanë kanë mbajtur gati dymbëdhjetë takime sekrete me talebanë afganë gjatë 10 muajve të mëparshëm, kryesisht në Gjermani dhe Katar.
- 27 maj 2014 – Pas fushatës në rritje të mandatit të parë të ish-Presidentit Obama, Uashingtoni tërheq shpejt forcat e tij dhe e kalon theksin tek trajnimi dhe mbështetja e ushtrisë afgane. Obama paraqet një plan për t’i tërhequr të gjithë deri në fund të vitit, përveç 9 800 forcave amerikane që do të tërhiqen deri në fund të vitit 2016.
- 28 dhjetor 2014 – Misioni luftarak amerikan përfundoi zyrtarisht pas tërheqjes së shumicës së forcave luftarake dhe kalimit në një luftë “të udhëhequr nga Afganistani”.
- 21 gusht 2017 – Presidenti amerikan Donald Trump shpall strategjinë e tij, duke bërë thirrje për një dislokim të vogël dhe pa afat të caktuar të forcave amerikane që ofrojnë mbështetje për afganët, me qëllimin që t’i detyrojnë talebanët të negociojnë për paqen me qeverinë e Kabulit.
- 29 shkurt 2020 – Nën ish-Presidentin Trump, Uashingtoni nënshkruan një marrëveshje me talebanët në Doha për të tërhequr të gjitha forcat amerikane. Talebanët bien dakord të ndalin sulmet ndaj forcave amerikane, të mos lejojnë që territori i tyre të përdoret për terrorizëm dhe të zhvillojnë bisedime me qeverinë afgane, edhe pse ato bisedime më pas do të rezultojnë të pafrytshme.
- 14 prill 2021 – Presidenti Biden njofton se forcat amerikane do të tërhiqen pa kushte deri më 11 shtator, duke zbatuar marrëveshjen e arritur me talebanët nga paraardhësi i tij, ish-Presidenti Trump.
- 2 korrik 2021 – Trupat amerikane tërhiqen papritmas nga baza e tyre kryesore në aeroportin e Bagramit 60 km në veri të Kabulit.
- 15 gusht 2021 – Pas një avancimi tronditës njëjavor duke kapur qytete në mbarë vendin, talebanët kapin Kabulin pa luftë. Presidenti Ashraf Ghani largohet nga vendi. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë nisin një operacion transportimi urgjent ajror nga aeroporti i Kabulit për të nxjerrë qytetarët e tyre dhe dhjetëra mijëra afganë që i ndihmuan.
- 26 gusht 2021 – Shteti Islamik fillon një sulm vetëvrasës me bombë ndaj portave të mbushura me njerëz të aeroportit të Kabulit, duke vrarë një numër civilësh dhe 13 ushtarakë amerikanë, incidenti më vdekjeprurës ky për forcat amerikane në Afganistan në më shumë se një dekadë.
- 30 gusht 2021 – Gjenerali amerikan Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, njofton përfundimin e tërheqjes së forcave amerikane.

Ku dështoi SHBA-ja?
Por Shtetet e Bashkuara bënë disa gabime të rënda midis viteve, të cilat hodhën bazën për dështimin. Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, nuk donte të investonte në ushtrinë afgane, dhe deri në fundin e vitit 2003, ishin trajnuar vetëm 6.000 ushtarë afganë.
Kryekomandantët, të cilët shumica e afganëve i fajësojnë për zhytjen e vendit në kaos, endeshin të lirë dhe madje u bënë ministra dhe anëtarë të parlamentit afgan. Njëkohësisht, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i përjashtuan talibanët nga negociatat për një zgjidhje politike, duke mos e kuptuar se grupimi radikal përfaqësonte një këndvështrim që ndahet nga pashtunët, komuniteti etnik dominues në Afganistan.
Shtetet e Bashkuara duhet ta kishin shfrytëzuar avantazhin e tyre, në kohën kur qeveria afgane kishte mbështetje popullore dhe kur talibanët ishin në kaos. Por në vend të kësaj, administrata Bush e cilësoi Afganistanin si një histori suksesi, duke e kthyer vëmendjen nga Iraku.
Talibanët u larguan përtej kufirit në Pakistan, ku u rigrupuan, grumbulluan fonde, rekrutuan të rinj nga medresetë, dhe u stërvitën me ndihmën e shërbimit sekret të Pakistanit (ISI). Shumë nga oficerët të ISI kishin punuar për dekada me udhëheqësit talibanë, dhe ndanin të njëjtat ide.

Pavarësisht kësaj, administrata e Bush jo vetëm që bëri një sy qorr, por i dha Pakistanit 12 miliardë dollarë, më shumë se gjysma e të cilave ishte si një rimbursim për operacionet ushtarake, pasi zyrtarët amerikanë besonin se Islamabadi po e ndihmonte në luftën kundër Al Kaidës.
Për më tepër, siç e përshkruan në detaj, talibanët i shfrytëzuan rivalitetet fisnore, të cilat nuk i kuptonin dot forcat perëndimore. Këto të fundit ishin të panjohura me terrenin, si gjeografik ashtu edhe kulturor. Udhëheqja amerikane ishte e shpërqendruar nga Lufta në Irak, dhe kur lufta civile po dilte jashtë kontrollit; Afganistani nuk kishte as një ushtri të aftë për të vendosur rregull.
Në fund, tërheqja u shty me vetëm 4 muaj. Duke njoftuar tërheqjen në shtator, Biden argumentoi se Shtetet e Bashkuara duhet të “përqendroheshin në arsyen se pse shkuan në Afganistani, për t’u siguruar që ky vend të mos përdorej më si një bazë nga e cila të sulmohet sërish atdheu ynë”. “Ne e përmbushëm këtë objektiv”.
Por edhe ky argument nuk është plotësisht i qartë. Është e vërtetë, se që prej 11 Shtatorit 2001 nuk ka pasur ndonjë sulm nga Afganistani. Por Al Kaida nuk është zhdukur. Në fakt, situata është më e komplikuar se më parë, pasi ekziston jo vetëm Al Kaeda por edhe Shteti Islamik, i cili orkestroi edhe sulmin e fundit në aeroport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




