Katër hajdutë vodhën tetë palë bizhuteri me vlerë të paçmuar nga Muzeu i Luvrit në Paris, përfshirë dhe Kurorën e Francës. Por shitja e tyre duket se është mision thuajse i pamundur – e gjithë bota tani i njeh thesaret e vjedhura, dhe çdo polic në vend po i kërkon ato.
Por pse i dëshironin grabitësit pikërisht këto eksponate të famshme, që tërheqin kaq shumë vëmendje? A ishte thjesht joshja për të grabitur muzeun e njohur të artit apo ndoshta diçka më e madhe fshihet pas këtij akti?
Sipas Fabian Kahl (34 vjeç), tregtar me përvojë i artit, duhen marrë në konsideratë këta skenarë: “Në të vërtetë ka vetëm dy shpjegime. Ose një porositës dëshiron të pasurojë koleksionin e tij, ose gurët do të nxirren, do të ripunohen, ari do të shkrihet — dhe më pas do t’i shesin në tregun e zi”.

Eksperti sheh paralele të qarta mes sulmit në Paris dhe një grabitjeje gjermane të bizhuterive: “Kjo më kujton shumë rastin e Dhomës së Gjelbër në Dresden”, thotë ai. Atëherë, anëtarë të famshëm të klanit të njohur berlinez Remmo u futën po ashtu përmes një dritareje në muzeun saksonez. Aty vodhën nga vitrinat e dhomës së thesareve disa bizhuteri historike.


Grabitësit më pas i shkatërruan bizhuteritë dhe nxorën gurët e çmuar. Në kuadër të një marrëveshjeje me drejtësinë, pjesa më e madhe e objekteve u kthye më vonë plotësisht e dëmtuar, ndërsa disa prej tyre janë zhdukur deri sot — si “Sächsischen Weißen”, një diamant 50 karatësh i princit August der Starken (1694–1733).

Anëtarët e familjes së madhe duket se dëshironin t’i shisnin gurët veç e veç në tregun e zi. Një sy me përvojë nuk do ta kishte të vështirë që të pikaste origjinën e këtyre gurëve, thotë Dr. Haidrun Wietler (69 vjeç), vlerësuese e artit. “Dallimi qëndron në prerjen e vjetër dhe të re. Që nga vitet 1920, gurët priten sipas formulave matematikore, në mënyrë që drita të depërtojë në këndin më të mirë dhe guri të shkëlqejë”.
Bizhuteritë nga Luvri, si p.sh. kurora e humbur gjatë arratisjes së gruas së Napolonit, Eugénie (1826–1920), u punuan në shekullin e 19-të.

Grabitja ndodhi të dielën në mëngjes, kur muzeu tashmë ishte hapur. Katër hajdutë të maskuar hynë nëpërmjet një ashensori për mallrat në galerinë e famshme botërore d’Apollon, në katin e parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



