Mjedis

Çfarë ndikimi ka pluhuri i Saharasë në mbarë botën

Ditët e fundit, qielli në shumë zona të Evropës Jugore, përfshirë Shqipërinë, është përfshira nga erëra të forta që kanë sjellë sasi të mëdha pluhuri nga shkretëtira e Saharasë në Afrikën e Veriut. Është një dukuri jo e rrallë: në shkretëtira ka sasi të mëdha sedimentesh të lehta dhe të thata, të cilat mund të ngrihen nga era deri në mijëra metra lartësi dhe më pas të transportohen nëpër dete dhe oqeane.

Më shumë se gjysma e pluhurit në atmosferën e Tokës, vjen vetëm nga Saharaja, e cila është shkretëtira më e madhe në botë. Në varësi të stinëve të vitit, të cilat ndikojnë në drejtimet e erërave, pluhuri i saj transportohet në drejtime të ndryshme.

Fillimi i pranverës, është periudha në të cilën ndodh më shpesh që ai të mbërrijë në Evropë. Por mjegullimi i qiejve (dhe pasojat e mundshme për cilësinë e ajrit), janë vetëm një nga efektet e pluhurit saharian, që ndoshta kontribuon në rritjen e bimësisë në Amazonë, por edhe në shkrirjen e akullnajave në Alpe.

Po ashtu, mendohet se ajo ndikon tek klima në mënyra të ndryshme, ndoshta duke kundërshtuar formimin e stuhive tropikale në Atlantik, edhe pse studimet mbi këtë temë janë ende në vazhdim. Kur flasim për pluhurin që vjen nga Saharaja, nuk duhet të imagjinojmë rërën nga dunat që zakonisht i lidhim me këtë shkretëtirë.

Kokrrizat e rërës janë shumë të rënda për t’u ngritur në lartësinë e rrymave atmosferike. Pluhuri përbëhet nga grimca shumë më të vogla që grumbullohen në zonat e sheshta të shkretëtirave, ku dikur ka pasur ndoshta liqene, si ultësira Bodélé nën nivelin e detit që ndodhet në Çadin Verior.

Por efekti ndoshta më befasues i transportit të këtij pluhuri nëpër atmosferë, është fekondimi i fitoplanktonit në Oqeanin Atlantik dhe Mesdhe, pra i mikroorganizmave bimorë që jetojnë në shtresat sipërfaqësore të ujërave detare. Në fakt, pluhuri i Saharasë përmban substanca të rëndësishme për rritjen e bimëve, si fosfori, hekuri dhe azoti.

Një studim i botuar vitin e kaluar në revistën “Science”, zbuloi një korrespondencë midis mbërritjes së pluhurit nga shkretëtira dhe periudhave të rritjes së madhe të fitoplanktonit, gjë që mund të shihet edhe nga fotografitë satelitore falë ngjyrës së gjelbër të klorofilit të prodhuar nga këta organizma.

Kjo do të thotë se Saharaja kontribuon në jetën në oqeane, sepse fitoplanktoni është baza e zinxhirit ushqimor detar, si dhe e thithjes së dioksidit të karbonit (CO2, gazi kryesor serrë) nga atmosfera. Po ashtu, brenda komunitetit shkencor ka një debat i vazhdueshëm mbi rolin e dekompozues që mund të luajë pluhuri i Saharasë në një kontekst tjetër, përkatësisht në pyllin tropikal të Amazonës.

Është një nga mjediset në planetin tonë, në të cilin rriten më shumë lloje të ndryshme bimore, megjithatë ajo ka një tokë shumë të varfër në lëndë ushqyese. Për këtë arsye, bimët e marrin atë që u nevojitet për t’u rritur nga mbetjet e bimëve të thara, të cilat zhvendosen pjesërisht nga shiu dhe rrjedhat ujore.

Për këtë arsye, për dekada besohet se mungesa e lëndëve ushqyese duhet të kompensohet, edhe nga ajo që mbërrin përmes atmosferës. Të paktën për një pjesë të Amazonës, ky ushqim vjen nga pluhuri i Saharasë. Kjo sipas disa studimeve: në vitin 2015, duke përdorur të dhënat satelitore, një grup shkencëtarësh të NASA-s vlerësuan se mesatarisht çdo vit 22 mijë ton fosfor shkojnë në Amazonë nga Saharaja.

Pluhuri i Saharasë mbërrin në brigjet amerikane me të ashtuquajturën “shtresë ajrore saharane”, një masë ajri të nxehtë dhe e thatë që shtyhet periodikisht drejt Perëndimit nga Saharaja midis fundit të pranverës dhe fillimit të vjeshtës. Ky ajër besohet se kontribuon tek moti në Atlantik dhe rajonet përreth tij, ndonëse nuk është ende plotësisht e qartë se në çfarë mënyrash.

Para së gjithash, pluhuri që mbetet pezull në atmosferë, mendohet se e mbron Tokën nga rrezet e diellit. Hija e krijuar nga pluhuri, shkakton me gjasë një rënie të temperaturës, por në të njëjtën kohë thithja e rrezatimit diellor nga grimcat e pluhurit, mund të shkaktojë edhe një ngrohje të lokalizuar në pjesën e atmosferës ku gjenden ato.

Nuk dihet ende nëse bilanci neto i këtyre efekteve është ngrohja apo ftohja. Njëkohësisht, nuk dihet mirë se si pluhuri i Saharasë ndikon në formimin e stuhive tropikale në Atlantik (ndoshta të uraganeve, stuhitë tropikale më të forta). Në teori, prania e pluhurit në atmosferë duhet të favorizojë formimin e reve, pasi sasitë e vogla të ujit të lëngshëm që i formojnë ato kanë nevojë për grimca të ngurta në ajër për t’u kondensuar përreth.

Por në të njëjtën kohë, temperatura relativisht e lartë e shtresës ajrore të Saharasë dhe lagështia e saj e ulët, mund të zvogëlojnë zhvillimin e stuhive, të lidhura me lëvizjen e masave ajrore shumë të lagështa. Megjithatë, dihet se pluhuri i Saharasë mund të përshpejtojë proceset e shkrirjes, pra të borës dhe akullit të Pirenejve dhe Alpeve, vargmalet kryesore në Evropë.

Në fakt, duke u mbështetur tek bora dhe akulli, pluhuri zvogëlon albedon, pra sasinë e rrezatimit diellor të reflektuar në atmosferë. Kjo do të thotë se një sasi më e madhe energjie thithet nga bora dhe akulli, që shkrihet. Sipas një studimi të vitit 2019 , i botuar në revistën “The Cryosphere” i kryer nga një grup kërkimor ndërkombëtar, përfshirë disa shkencëtarë nga Universiteti Bicocca i Milanos, pluhuri i Saharasë e redukton periudhën e vitit në të cilën Alpet mbulohen nga bora,

Ndaj ai mund të ketë efekte në ekuilibrin hidrogjeologjik të rajonit, dhe ta bëjë Italinë Veriore më të prekshme nga thatësirat e verës. Një efekt tjetër negativ i pluhurit të Saharasë, është reduktimi i cilësisë së ajrit për shëndetin e njeriut. Është një problem që mund të shqetësojë sidomos vendet e Mesdheut jugor si Spanja dhe Italia.

Në fakt, pluhuri i Saharasë ka madhësinë e grimcave të ngurta dhe të lëngshme, të cilat përfaqësojnë një nga format e ndotjes së ajrit, dhe që nëse thithen në sasi të mëdha mund t’i shkaktojnë dëme sistemit të frymëmarrjes së njeriut.

Për këtë arsye, në rajonet më të prekura nga pluhurit saharian, si Ishujt Kanarie, që ndodhen në Atlantik në brigjet e Afrikës Veriperëndimore, lëshohen alarme të veçanta meteorologjike për të sinjalizuar praninë e tyre. Në ditë të tilla njerëzit ftohen nga autoritetet që të qëndrojnë brenda sa më shumë që të jetë e mundur.

Në Ishujt Kanarie, erërat që transportojnë pluhurin e shkretëtirës kanë një emër specifik: Calima. Në Spanjë, është studiuar në detaje pluhuri saharian dhe efektet e tij. Në shkurt të këtij viti, një grup kërkimor spanjoll publikoi një studim në revistën “Science of The Total Environment”, sipas të cilit gjatë viteve 1940- 2021 u rrit shpeshtësia e ngjarjeve atmosferike që sjellin pluhurin e Saharasë në Spanjë.

Supozohet se kjo rritje, e vënë re sidomos vitet e fundit, madje edhe në dimrin e fundit, lidhet me disa ndryshime në qarkullimin atmosferik që kanë ndodhur dekadat e fundit. Në këtë dukuri, mund të përfshihen rritja e temperaturës së Detit Mesdhe, e cila është e lidhur me ngrohjen globale, dhe thatësirat në Afrikën e Veriut.

Burimi: Il Post. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë