Kombetarja

Ç’na tregon dhe sa shpresë jep vërtet rekordi i 18 pikëve të Shqipërisë?

Fatjon Rupi – Shifrat mbeten në kanalet e historisë dhe 18 pikët e marra nga Shqipëria në kualifikueset e Botërorit 2022 shënojnë një arritje historike në këtë drejtim. Kurrë më parë kuqezinjtë nuk kanë marrë 18 pikë në një fazë eliminatore. Është një fakt i pamohueshëm, por çfarë na tregojnë realisht këto 18 pikë dhe sa shpresë na japin vërtet për të ardhmen e Kombëtares sonë?

Kuqezinjte festojnë golin e Brojës në Hungari. Gazeta Si, 29 dhjetor 2021

Në arritjen e rezultateve të caktuara ndikojnë rrethana të caktuara dhe faktorë të ndryshëm. Për shembull, Shqipëria e De Biazit shkoi në Europianin e Francës me 14 pikë në fazën kualifikuese. Një arritje historike kjo, që u ndikua drejtpërdrejt nga fitorja në tavolinë ndaj Serbisë për shkak të ngjarjeve të Beogradit. Me atë fitore, dy 3-pikëshat ndaj Armenisë dhe ndonjë barazim, kuqezinjtë hynë në histori.

Po tani, a është rekordi i 18 pikëve një sukses për t’u trumbetuar me të madhe? Gjasat janë që të jetë një pikënisje për një kapitull të ri në Kombëtare. Më shumë se këto 18 pikë, arritje mund të konsiderohet vendi i tretë, që Shqipëria e ka zënë edhe në eliminatoret e Botërorit të 2018-ës, por me 13 pikë dhe duke lënë pas ekipe si, Izraeli, Maqedonia e Veriut dhe Lihtejshtejni.

Këtë herë Shqipëria mori 12 pikë ndaj 2 skuadrave më të dobëta të grupit, San Marinos dhe Andorrës, apo skuadrave të “Astirit”, siç u ironizua nga ish-sulmuesi i Kombëtares, Sokol Kushta, i cili, ashtu si dhe shumë të tjerë, gjykon se rekordi i 18 pikëve nuk është një arritje e madhe.

Ajo që duhet vlerësuar për eliminatoret e fundit është suksesi i dyfishtë ndaj Hungarisë, që kuqezinjtë e lanë pas në renditjen përfundimtare dhe nuk është pak. Ndaj këtij kundërshtari Shqipëria nuk kishte fituar dhe shënuar asnjëherë, këtë herë e mundi dy herë me 2 gola trepikësh të Armando Brojës. Është pa dyshim një hap i madh përpara dhe inkurajues për të ardhmen.

Kombetarja para ndeshjes me Andorren. Gazeta Si, 29 dhjetor 2021

Që kur u hodh shorti, shumë ish-lojtarë të Kombëtares dhe trajnerë apo ish-trajnerë, theksuan se vendi i tretë ishte një objektiv real, ndërsa vendin e dytë, që kuqezinjtë e diskutuan deri në fund me Poloninë, e konsideronin si “mrekulli”. Shqipëria iu afrua mrekullisë dhe arriti objektivin, por vetëm kaq.

Historia e rekordit 18 pikëve i takon vetëm historisë statistikore, arritja e madhe e vërtetë është një kualifikim në fazën finale të një Botërori. Me lojërat që ka zhvilluar dhe disa lojtarë të rinj premtues që ka, me në krye Brojën, Shqipëria duket se e ka realisht potencialin për të bërë diçka të madhe, pa e kthyer kokën pas për të parë 18 pikët e rekordit…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë