Irena Beqiraj
Çfarë na mëson për tregun e punës së grave Claudia Goldin, nobelistja e tretë grua në ekonomi
Vitin e kaluar për herë të tretë në historinë botërore një grua fitoi çmimin Nobel në ekonomi, Claudia Goldin e cila ka studiuar për një kohë të gjatë tregun e punës së grave.
Rezultatet e kërkimeve edhe studimeve të saj janë interesante për këdo që ka përzemër barazinë gjinore.
Së pari, ajo ka rrëzuar tezën që ekonomistët kanë besuar prej kohësh se gratë i bashkohen automatikisht fuqisë punëtore ndërsa vendet bëhen më të pasura. Konkluzioni i parë i rëndësishëm i punës së Goldin është se rritja ekonomike nuk sjell automatikisht pjesëmarrje më të lartë të grave në fuqinë punëtore apo barazi në nivelin e pagave ndërmjet dy gjinive.
Ky përfundim mund të shpjegojë edhe luhatshmërinë në shkallën e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore në Shqipëri e cila ka njohur ulje pavarësisht rritjes së shpejtë ekonomike në periudha të caktuara.
Pjesëmarrja e grave në tregun e punës varet më shumë nga faktorë të tjerë ku përfshihen normat shoqërore, statusi familjar, veçanërisht ekzistenca e fëmijëve edhe ligjet e kërkesës edhe ofertës në tregun e punës.
Përshembull një rritje në pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore shpesh ka ardhur si rezultat i rritjes së kërkesës për punë kërkesë e cila tejkalonte ofertën e punëtorëve.
Konkluzioni i dytë i rëndësishëm i kërkimeve të Goldin është se hendeku i pagave ndërmjet burrave dhe grave shpjegohet kryesisht nga ardhja në jetë e fëmijëve edhe jo diskriminimi edhe paragjykimi. Sipas saj, përfitimet e burrave dhe grave( sidomos atyre të arsimuara) priren të kenë trajektore të ngjashme deri në kohën kur një grua bëhet nënë për herë të parë.
Pra është “dënimi i ëmbël i fëmijëve” që peshon më shumë mbi pagat dhe rezultatet e karrierës sesa paragjykimet apo diskriminimi.
Goldin ia atribuon këtë rezultat karakteristikave të punës profesionale si kërkesa për energji mendore të vazhdueshme, orët e gjata, oraret jofleksibile, karakteristika këto që janë të papajtueshme me kërkesat e një familjeje në rritje.
Përshembull gratë në Shqipërinë e shekullit të 21 kanë njohur zv/kryeministra që me bllok në dorë kontrollonin çdo mëngjes në institucione të ndryshe paraqitjen në punë.
Zgjerimi i tregut të punës, arsimimi edhe trajnimi por edhe aranzhimet fleksibël profesionale si puna nga shtëpia me orare më fleksibël që i përshtaten nevojave të familjes do të ndihmonin gratë në tregun e punës Natyrisht, jo çdo punë mund të adoptohet me ndryshime të tilla; por pandemia tregoi se shumë prej tyre munden.
Çmimi Nobel në ekonomi përfaqëson celebrimin të një ideje të çmuar ekonomike edhe Libri i Goldin "Kariera dhe Familja: Udhëtimi i gjatë shekullor i grave drejt barazisë mund të ndihmonte shumë politikanë që kanë përzemër feminizmin, të gjejnë mekanizmat për të ndihmuar gratë në tregun e punës, duke i bërë ato më produktive për veten edhe për shoqërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.