Kosova

Çfarë mund të sjellë për dialogun Kosovë-Serbi një emisar i mundshëm si Borut Pahor?

Nga Gazeta ‘Si’- Ai u vetëofrua për të qenë i dërguari i Bashkimit Europian mbi dialogun Kosovë-Serbi.

Përpara do ditësh, ndërsa dorëzoi zyrtarisht kandidaturën, ish-presidenti slloven Borut Pahor, deklaroi se ka një sërë idesh me të cilat rreket të shpëtojë dialogun mes palëve.

Për shumë analistë dhe njohës të mirë të diplomacisë, fytyra e re e mundshme e udhëheqjes së dialogut Kosovë-Serbi është e motivuar nga kalkulimet politike.

Duke e njohur ngushtë konfliktin rajonal, si një figurë politike dhe diplomatike që është ngritur dhe ndërtuar në realitetin e hapësirës ballkanike të ish-Jugosllavisë, ata konsiderojnë se Pahor është më i mirë se shumica dërmuese e kandidaturave që mund të vijnë në rend.

Ndryshe nga Sllovakia e Lajçak, Sllovenia e Pahor e njeh pavarësinë e Kosovës

Analisti Mentor Nazarko, në një prononcim për Gazetasi.al thotë se ai ngjan i kuotuar mirë duke marrë parasysh marrëdhëniet e shkëlqyera që Sllovenia ka mbajtur jo vetëm me Kosovën por edhe me botën shqiptare në tërësi.

“Nëse e shohim në një prizëm, krahasuar me paraardhësin Miroslav Lajçak, Borut Pahor ka patur profil më të lartë dhe duket se kemi të bëjmë me një ngritje niveli. Pra, nga një ministër i jashtëm sllovak tani kemi një president slloven i cili supozohet që i njeh mirë rrethanat”, vëren Nazarko ndërsa shton se detyra e tij do të jetë jetëzimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe asaj të Brukselit.

Edhe pse kanë mbetur disa muaj nga mbarimi i mandatit të Lajçakut në gusht, bilanci i rezultateve që ai ka arritur është vënë tashmë në peshore dhe pritshmëritë për një rrjedhë të re dialogu, në momentin kur Kosova ndodhet në nivelin më të ulët diplomatik, janë të mëdha.

Megjithatë, fakti që ‘mekanizmat e presionit’ nga Bashkimi Europian nuk janë fort të ndryshme, për Nazarkon, nënkupton që Pahor nuk do të jetë ‘më i armatosur’ se Lajçak.  

“Krahasuar me Lajçak, Borut Pahor ka patur profil më të lartë dhe duket se kemi të bëjmë me një ngritje niveli”, citon Nazarko.

 “Duhet patur parasysh diçka që e kapërcen Pahorin dhe palët. Konflikti në Ukrainë ka bërë që të zbutet presioni ndaj Serbisë, diçka që Kosova e denoncon ndonjëherë dhe në mënyrë joelegante.

Tani kemi një ndryshim në objektivat e dialogut, nëse në presidencën Trump por edhe në fillimet e Bidenit dialogu duhet të kishte njohjen reciproke në qendër, tani në letrat e Bidenit nuk bëhet më fjalë për të”, thotë Nazarko ndërsa shton për Gazetasi.al se sipas tij, vetëm angazhimi amerikan dhe joshja eventuale e Trump nëse fiton, që të rikthehet në përmbylljen e kësaj marrëveshje, me qasjen e vitit 2019, mund ta zgjidhe krizën.

Përse Serbia mund të mos e pranojë Pahorin?

Për shumë prej diplomatëve ndërkombëtarë, Serbia nuk do të jetë fort e hapur ndaj kësaj kandidature.

Jo prej faktit se Pahor ka ndonjë histori anti-serbe por sepse Serbia nuk e konsideron Slloveninë vend mik, madje as vend asnjëanës.

Pretendimi i Serbisë, thonë ata, do të jetë se “Sllovenia e ka njohur shtetin e Kosovës dhe mban anën e saj”, gjë që do e bëjë atë një ndërmjetësues jolegjitim nga shteti serb.

Peshë mund të luajë edhe fakti që Pahor nuk mund të ketë harruar se fillimi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë pati nisur pikërisht me sulmin që forcat ushtarake serbe ndërmorën, kundër shtetit të tij Sllovenisë.

Ish-presidenti slloven dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç

Koha po ikën dhe kriza duhet të zgjidhet

Në arenën ndërkombëtare ai konsiderohet si një ndër politikanët më të mirë të karrierës dhe mbështetja për të këto ditë është afirmuar nga shumëkush.

Vetë Pahor i cili prej momentit kur në qarqet dhe tryezat diplomatike zërat për të u shpeshtuan, tha se ishin diplomatët ata që e inkurajuan të kandidonte. Ai shprehet se do donte një mundësi për të punuar në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, dialogu “ka ngecur për shkak të mungesës së besimit” dhe situata duhet të marrë kthesë.

“Unë kam vendosur të kandidoj dhe pastaj, nëse e pranojnë atë vendim, do të them dhe do të ofroj të gjitha referencat e mia, do të jap planin tim. Dialogu është në ngërç, ka mungesë besimi dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara me besim më të madh”, tha Pahor.

Ai theksoi se pa progres në dialog, as Kosova e as Serbia nuk mund të arrijnë asgjë për një të ardhme më të sigurt.

I pyetur nëse është e mundur që i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë në BE në vitin 2030, ai pranon se ndoshta nuk është e mundur, por pa optimizëm as 2050 nuk do të jetë as një vit realist.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë