Nga William Partlett- Ka shumë pak kureshtje mbi zgjedhjet presidenciale të Rusisë që do të mbahen këtë fundjavë. Sepse të gjithë e dimë se ato do të fitohen nga Vladimir Putin. Pyetja e vetme që ngrihet është nëse ai do të marrë apo jo më shumë se 75 për qind të votave.
Mund të jetë joshëse që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të shihen si shenjë e fuqisë së sistemit rus. Dhe sukseset e fundit të ushtrisë ruse në Ukrainë duket se e mbështesin më tej këtë qasje. Por hulumtimi im, që së shpejti do të botohet në një libër, tregon se rezultatet e zgjedhjeve dhe arritjet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, fshehin një realitet shumë më problematik për vendin.
Sistemi i qeverisjes në Rusi nuk është vetëm jo-demokratik, abuzues me të drejtat e njeriut dhe i paparashikueshëm. Por ai gjithashtu është gjithnjë e më jofunksional, i bllokuar në një cikël qeverisjeje me një cilësi të dobët dhe kjo problematikë nuk mund të zgjidhet dot nga një njeri, pavarësisht se sa pushtet ka ai.
Dobësia e tij buron nga hiper-centralizimi i pushtetit rreth presidentit. Ky centralizim është produkt i një logjike gjithnjë e më të zakonshme, të cilin unë e quaj “artet e errëta kushtetuese”. Sipas kësaj logjike, demokracia dhe mbrojtja e të drejtave garantohen më së miri në një sistem kushtetues që centralizon autoritetin tek një lider i zgjedhur me votë. Kjo linjë të menduari është e pranishme në shumë vende populiste dhe autoritare, si Hungaria dhe Turqia.
Në themel të këtij sistemi në Rusi është Kushtetuta e vitit 1993. Në parim, ajo u hartua nga presidenti i atëhershëm Boris Yeltsin dhe mbështetësit e tij (shumica në Perëndim) si një mjet për çmontimin e komunizmit dhe zbatimin e reformave ekonomike radikale.
Ajo përmban një sërë dispozitash për të drejtat dhe garancitë demokratike, krahas dispozitave që e centralizojnë pushtetin e madh tek një president i zgjedhur. Yelstin (dhe mbështetësit e tij perëndimorë) e përshkruan këtë sistem si demokratik, pasi ai e detyronte presidentin të jepte llogari para njerëzve.
Po ashtu, ata argumentuan gjithashtu se nenet mbi të drejtat, do t’i lejonin gjykatat të kufizonin çdo lloj abuzimi nga shteti i centralizuar. Këta reformatorë shpresonin që Yelstin ta përdorte atë pushtet të përqendruar për të ndërtuar demokracinë në Rusi. Por 30 vite më vonë ne po shohim se si përdorim i “arteve të errëta kushtetuese”, solli efektin e kundërt.
Dhe që nga viti 2000, Putin e ka përdorur pa mëshirë këtë autoritet të centralizuar për të eliminuar çdo kontroll mbi pushtetin e tij. Po ashtu ai i ka shndërruar zgjedhjet, mediat dhe gjykatat, duke i shndërruar nga burime llogaridhënieje, në mekanizma që projektojnë imazhin e pushtetit të tij të fortë presidencial.
Zgjedhjet presidenciale të kësaj fundjave, janë vetëm shembulli më i fundit. Ndonëse ky sistem i centralizuar i ka dhënë mundësi Putinit ta dominojë politikën, ai po nxit një qeverisje të dobët, sidomos jashtë Moskës. Në lojë janë të paktën dy faktorë.
Së pari, vendimmarrja e centralizuar në Rusi ndodh shpesh duke përdorur informacione jo të plota ose të rreme. Një shembull është fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Ai u bazua tek të dhënat e shërbimeve sekrete se operacioni do të përfundonte shumë shpejt dhe ukrainasit do t’i mirëprisnin forcat ruse.
Së dyti, direktivat e centralizuara u delegohen institucioneve që kanë burime të pamjaftueshme dhe që janë të paafta dhe të dobëta. Përgjigja e Rusisë ndaj pandemisë së Covid-19 ishte katastrofike, kryesisht për shkak të autoriteteve rajonale me burime të dobëta, të cilat u dorëzuan përballë një krizë në atë shkallë.
Ky mos-funksionim ka qenë një mesazh qendror i lëvizjes politike të udhëhequr nga lideri i opozitës Alexei Navalny. Para vdekjes së tij muajin e kaluar, Navalny dhe ekipi i tij kritikuan ashpër korrupsionin dhe dobësinë e regjimit rus dhe paaftësinë e tij për të rregulluar rrugët, për të ofruar kujdesin e duhur shëndetësor dhe për të paguar si duhet mësuesit apo mjekët.
Ai ishte një mesazh i fuqishëm, duke e bërë Navalny politikanin e parë të opozitës që arriti të ndërtojë një koalicion të gjerë që përfshinte të gjitha rajonet e Rusisë. Ky koalicion i gjerë e frikësoi aq shumë Kremlinin, saqë çoi në helmimin e Navalny-t në gushtin e vitit 2020.
Edhe pse mbetet të shihet sesi do të vazhdojë më tej lëvizja e tij politike, kjo kritikë themelore ndaj qeverisë ruse mbetet një nga mesazhet e saj më të fuqishme. Edhe pse është e pamundur të kryhet një sondazh i pavarur për çështjet e brendshme gjatë luftës në Ukrainë, duket se Putin dhe administrata e tij janë të shqetësuar për këtë dobësi.
Në fjalimin e tij të 29 shkurtit në parlament, Putini i pranoi në mënyrë të tërthortë këto probleme, duke premtuar zbatimin e projekteve të reja kombëtare për të përmirësuar infrastrukturën, për të mbështetur familjet dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës.
Gjithsesi, këto lloj premtimesh nuk kanë gjasa që të realizohen. Putin i ka premtuar tradicionalisht këto lloj ndryshimesh në prag të zgjedhjeve presidenciale. Por kur vjen puna për zbatimin e tyre, nën-njësisë rajonale të Rusisë nuk i jepen shpeshherë burime për ta bërë këtë.
Me kaq shumë para që tani po shkojnë për luftë, nuk ka gjasa që premtimet e fundit të kenë një fat të ndryshëm. Me Putinin që do të fillojë së shpejti mandatin e tij të pestë presidencial, ky centralizim dhe personalizim i pushtetit vetëm sa do të rritet.
Nga jashtë, ky centralizim ka të ngjarë të prodhojë një Rusi gjithnjë e më të paparashikueshme, të udhëhequr nga një njeri që merr vendime në bazë të një botëkuptimi gjithnjë e më paranojak dhe informacioneve të pasakta ose të manipuluara. Siç e përshkroi dikur Putinin ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, ai “po jeton vërtet në një botë tjetër”.
Kjo ka të ngjarë të çojë në më shumë aventurizëm dhe agresion në politikën e jashtme ruse. Po ashtu, ka të ngjarë të nxisë shtypjen më të ashpër të çdo zëri kundërshtues brenda Rusisë. Por është e mundur që të shohim një Rusi gjithnjë e më jofunksionale, në të cilën rrugët, banesat, shkollat, kujdesi shëndetësor dhe infrastruktura të tjera do të vazhdojnë të përkeqësohen, sidomos jashtë Moskës.
Kriza do të shtrihet edhe tek ushtria, e cila mbetet e dobët pavarësisht nga arritjet e fundit në fushën e betejës. Për shembull, struktura komanduese tejet e centralizuar e Rusisë, e ka shkatërruar klasën e oficerëve dhe ka çuar në një humbje të rëndë të pajisjeve.
Edhe pse Rusia ka arritur të përmirësojë rendimentin duke u mbështetur tek burimet e saj të mëdha njerëzore dhe industriale, këto probleme sistematike po e dëmtojnë seriozisht kapacitetin e saj luftarak. Pavarësisht nga përshkallëzimi i shtypjes, këto probleme paraqesin një mundësi për ndonjë sfidant demokratik, sidomos në momentin kur Putin do të zëvendësohet në mënyrë të pashmangshme nga një lider tjetër.
Qeveria jofunksionale e Rusisë, është gjithashtu një kujtesë e rëndësishme për mediat, politikë-bërësit dhe analistët perëndimore. Megjithëse kjo nuk duhet të shërbejë si arsye për vetëkënaqësi, nxjerrja në pah e qeverisjes së dobët të Rusisë, është një mjet i rëndësishëm në luftimin e imazhit të kuruar me kujdes të Kremlinit mbi pushtetin dhe kontrollin e fortë të tij.
Burimi: The Conversation/Përshtati Gazeta Si
William Partlett është një profesor i asociuar në Shkollën Juridike të Melburnit. Ai shkruan dhe jep mësim në fushën e së drejtës publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.