Një investim i parashikuar i dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner në Serbi dhe Shqipëri ka nxitur debate.
Të premten Kushner konfirmoi planin e tij për "New York Times" e cila më vonë analizoi projektin. Artikulli solli reagime nga qeveria serbe.
"New York Times" raportoi se projekti në Beograd përfshinte ndërtimin e një hoteli dhe një ndërtese me 1.500 njësi rezidenciale, ndërsa në Shqipëri përfshinte rezorte luksoze në bregun mesdhetar. “Ne jemi shumë të lumtur. Ende nuk i kemi finalizuar marrëveshjet dhe ndoshta nuk ndodhin. Por ne kemi punua fort dhe jemi pranë”, i tha Kushner gazetës.
Sipas artikullit, ish-ambasadori i Trump në Gjermani dhe Ballkan, Richard Grenell luajti një rol në negociatat e këtyre marrëveshjeve. Në 2019-n, Trump emëroi Grenell si “i dërguari i tij special për negocimin Kosovë-Serbi”. Atë kohë, Grenell krijoi marrëdhënie të mira me kreun e qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Ai nuk e fsheh faktin se këto lidhje do t’i kthejë në para.
“Askush nuk duhet të kërkojë falje pse dëshiron të bëjë para”, tha Grenell në një intervistë për planet në Shqipëri.
Për Ramën dhe Vuçiç, mbështetja e dëshirave të tilla mund të rezultojë politikisht e dobishme, në rast se Trump bëhet përsëri president dhe sidomos nëse rimerr Grenell në ekipin e tij. Kur Grenell ishte i dërguari i Trump në Ballkan, Rama, Vuçiç dhe ish-presidenti kosovar Hashim Thaçi do të ndanin Kosovën ndërmjet tyre. Sipas një plani të atëhershëm, që u cilësua si “shkëmbim toke”, veriu i Kosovës do t’i jepej Serbisë dhe jugu do të shkonte drejt Shqipërisë.
Një marrëveshje e rrezikshme u parandalua
Nëse do të ishte arrirë ndonjë dakordësim, do të ishte preludi i një zhvendosje të mëtejshme kufijsh, arsyeja kryesore e luftërave të përgjakshme në Ballkan. Gjithsesi marrëveshja dështoi dhe shkak ishte rezistenca e Gjermanisë dhe kancelares Angela Merkel. Krijimi i një marrëdhënie pozitive me presidentin e mundshëm të SHBA-së mund t’i hapë derën Ramës dhe Vuçiç për rijetësimin e planit të tyre origjinal.
Brenda vendit, planet kanë ngjallur emocione në Serbi, pasi ish selia e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, e cila u bombardua gjatë luftës ajrore të NATO-s kundër Serbisë në 1999, është në qendër të projektit të Kushner. Është e vetmja ndërtesë e madhe në Beograd që u shkatërrua në atë kohë dhe sot është ende e rrënuar. Ministria e Jashtme e Serbisë dhe ndërtesa e qeverisë janë të vendosura në anën tjetër të rrugës, kështu që rrënojat me sipërfaqe prej 50.000 metrash katrorë janë në një pikë të mirë strategjike. Ndërtesa është një ndërtesë me vlera historike, por dizajnet e paraqitura nga Kushner kanë pak ngjashmëri me atë origjinale.
Gjatë fundjavës, qeveria serbe u përgjigj ftohtë për projektin, më shumë për artikullin e NYT. Ministri i Infrastrukturës Goran Vesiç tha se ka pasur disa aplikues për këtë projekt dhe asgjë nuk është firmosur ende.
“Kjo do të varët nëse ne do të biem dakord me partnerët. Nëse jo, nuk do të ketë marrëveshje”, citoi ministrin një media serbe. Nga ana tjetër, mediat pro-qeveritare kanë shkruar me optimizëm për projektin. Me miratimin e presidentit Vuçiç, çdo kundërshtim nga Zyra për Mbrojtjen e Monumenteve do të jetë i papërfillshëm për investitorë, pasi autoritetet mbikëqyrëse të shtetit në Serbi janë thjesht fasadë nëse nuk përputhen me fjalët e presidentit.
Një politikan i opozitës serbe, pati deklaruar më herët se Vesiç kishte nënshkruar një memorandum ose të paktën ishte autorizuar nga qeveria për të nënshkruar një letër, sipas së cilës një kompani amerikane e regjistruar në Delaware dhe e themeluar në mars 2022 e quajtur "Kushner Realty" dhe një kompani tjetër e quajtur "Atlantic Incubation Partners" do të lejohej të zhvillonte në pronat e Beogradit. Vesiç e hodhi poshtë këtë deklaratë dhe theksoi se qeveria nuk ka pse pret për të zhvilluar pronat e kohës së luftës.
Burimi: Frankfurter Allgemeine Zeitung/Përshtati:Gazeta ‘SI’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.