Analize

Çfarë kërkojnë grekët që ne nuk mund t’ua japim

Një vit e më shumë kohë pas ngecjes së negociatave dhe projektit Bushati-Kocias për delimitimin e hapësirës detare, çështja e detit është rikthyer edhe një herë në vëmendje, këtu në Shqipëri, pas takimit të së martës Rama-Mitsotaqis në Athinë. Megjithatë, takimi thjesht sa ngriti sërish në vëmendje këtë problematike të mbetur varur mes të dy vendeve, por nuk sqaroi asgjë më shumë se kaq, qoftë me burime, qoftë me deklaratën e përbashkët zyrtare të dy kryeministrave. Kjo gjithsesi nuk ka penguar të nisin aludimet në këtë anë të kufirit se çfarë po ndodh, çfarë do të ndodhë dhe si do të ndodhë. Aq sa edhe një VKM për një grup pune në nivel zv.ministrash në media paraqitet si ndryshim grupi negociator. Në një kohë kur negociatat kërkojnë plotfuqishmëri dhe plotfuqishmërinë e jep vetëm Presidenti dhe jo VKM-ja, që gjithsesi nuk ka lidhje me negociatorët.
Ajo që flitet dhe që thuhet, duket se është shumë larg asaj që në të vërtetë dy kryeministrat diskutuan. Në parim, të dy ranë dakord për zgjidhjen e problemit të detit, por kjo vetëm në parim, pa hyrë në detaje se si. Ajo që dihet është se Greqia kërkon të zgjidhë në favor të saj - me të drejtën e saj, sikurse edhe Shqipëria - problemin e zonës ekskluzive ekonomike në marrëveshjen detare. Mënyra se si Athina sot kërkon ta zgjidhë këtë mbetet për t’u parë, por nuk është e njëjtë me projektin e çuar deri afër fundit nga dyshja Bushati-Kotzias. Duhet thënë se negociatat dhe rezultatet e të dy ish-ministrave, që në fakt jepnin zgjidhje të kënaqshme për të dy palët dhe rrëzonin marrëveshjen Basha-Bakojani të vitit 2009, mund të quhen në mos zyrtarisht të vdekura, të paktën në koma ose vdekje klinike. Pa kthim.
Në këtë aspekt, është e vështirë që Shqipëria dhe Greqia të arrijnë një zgjidhje të afërt të detit, sepse Mitsotaqis dhe Demokracia e Re do ta kenë të vështirë të pranojnë një marrëveshje më të keqe se ajo e vitit 2009 për Greqinë, ndërsa Shqipëria një marrëveshje të rëndë për të, po aq sa ajo marrëveshje e 2009-s. Cipras dhe Kotzias ishin gati të ridiskutonin marrëveshjen e 2009 sepse nuk mbanin asnjë përgjegjësi për të, por në momentin që Shqipëria e rrëzoi, ishin të detyruar të arrinin një kompromis. Nëse marrëveshja Bushati-Kotzias do të ishte konkluduar dhe firmosur sikurse ajo e Prespës, pavarësisht se mund ta kundërshtonte, Mitsotaqis do të deklaronte më pas se edhe pse nuk ishte dakord do ta pranonte siç po bën me "Prespën".
Por deti nuk është shqetësimi i vetëm i Greqisë. Kemi dëgjuar shpesh të flitet për minoritetin, madje nga kryeministri aktual grek, ndonjëherë edhe si kusht për negociatat. Por çfarë kërkojnë grekët për minoritetin? Kërkojnë atë që Rama ua premtoi këtë herë në Athinë, vetëpërcaktimin. Dhe këtu problemi mund të jetë pak i rrezikshëm. Çfarë është vetëpërcaktimi me të cilin grekët janë të kënaqur? E drejta e qytetarëve të deklarojnë se çfarë janë. Dhe këtu Greqia shpreson që të ketë një shifër më të madhe se sa në të vërtetë ka minoriteti grek sot. Kjo edhe sepse ka mundësi që të joshë shumë Mehmetë të deklarohen Jorgo, me lehtësi si financiare dhe juridike, pensione, karta, nënshtetësi, punë e çfarëdolloj formash të tjera, të aplikuara deri më tani dhe aspak të panjohura. Deri sot, Shqipëria nuk e ka pranuar këtë lloj forme, vetëpërcaktimin. Shqipëria ka dy mënyra në census se si të llogarisë nënshtetasit e saj. Dikush mund të vetëdeklarohet brazialian, por ai duhet ta vërtetojë këtë, jo thjesht se në një moment të caktuar nga shqiptar ndjen se është dikush tjetër, për arsye emocionale apo për interes. Dhe kjo është e përcaktuar me ligj.
Çfarë kërkon Shqipëria? Atë që dihet sot e mot: heqjen e ligjit të luftës dhe trajtimin e pronave të qytetarëve të Çamërisë. Edhe në kohërat e muajve të pakët të mjaltit mes Tiranës dhe Athinës, Greqia nuk ka bërë asnjë hapje, qoftë edhe me gjysmë zëri për këto çështje. Aq më tepër tani. Nuk ka asnjë shenjë, nuk ka asnjë hap zyrtar apo jo zyrtar në këtë drejtim. Sidomos nga qeveria Mitsotaqis, e cila erdhi në pushtet edhe me kartën e nacionalizmit.
Në këtë konteks, duket sikur marrëdhëniet Shqipëri-Greqi anojnë nga unilateralizmi. Grekët kërkojnë minoritetin dhe detin, por nuk premtojnë të zgjidhin ligjin e luftës dhe pronat e çamëve. Shqipëria nga ana e saj e ka të pamundur me ligj - vetëm nëse Rama e ndryshon atë, por kjo do të ketë kosto të madhe politike - vetëm vepërcaktimin grek edhe të shqiptarëve, ndërsa gati të pamundur edhe sikur qeveria e Tiranës të çmendet e gjitha të pranojë një marrëveshje për detin të përafërt me atë të 2009. Për detin nuk vendos vetëm qeveria, por edhe Presidenti. Dhe dihet konflikti me Presidentin që ka qeveria sot.
Për këto arsye takimi vërtet shërbeu për të shkrirë paksa ngricën, por është larg zhurmës që po bëhet në shtypin e Tiranës. Pak a shumë, shumë zhurmë për asgjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë