Politike

Çfarë kanë dakordësuar PS-PD për skemën e re të reformës territoriale

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Socialiste dhe ajo Demokrate arritën një dakordësi paraprake për reformën territoriale pavarësisht se kjo e fundit më vonë bojkotoi Komisionin pas zgjedhjes së Endri Shabanit si Avokat Populli.

Sipas burimeve, deri tani socialistët dhe demokratët kanë rënë dakord për mënyrën se si do të ndryshojë harta e pushtetit vendor në vend, duke e ndarë atë në dy nivele funksionimi.

Reforma administrativo-territoriale mësohet se është shtrirë jo vetëm në ridizenjimin e hartës së pushtetit vendor por edhe në ndryshimin e kompetencave. Palët kanë gjetur dakordësinë për të rritur numrin e tyre, nga 61 aktualisht në mbi 90 të tilla, por me kompetenca më të cunguara.

Këtë gjë e pati paralajmëruar edhe Luciano Boçi, bashkëkryetari i opozitës, në një tryezë të mbajtur në 27 nëntor.

“Ajo që na ka bërë bashkë nuk është në fakt BE por dështimi i reformës së 2015, që u kthye në një centralizim duke i hequr kompetenca pushtetit lokal dhe duke e çuar qeverisjen vendore në mos funksionim në disa territore. Kërkesa kryesore është më shumë bashki dhe më shumë shërbime. Pra një Reformë e re Territoriale. Jemi këtu për të bashkëpunuar, por jo për të qenë bashkë për një rezultat që mazhoranca ka parapërgatitur”, tha Boçi.

Sipas kësaj dakordësie paraprake, socialistët kishin pranuar rritjen e numrit të bashkive me kushtin që ato të kishin kompetenca më të reduktuara fokusuar vetëm te çështjet e administrimit të qytetit, ndërsa kompetencat e mëdha do t’i kalojnë qarqeve, të cilat mund të ndryshojnë emër, me opsionin që mund të quhen superbashki.

Qarqet sipas propozimi do të drejtohen nga të zgjedhur vendor të cilët do të kenë kompetencë jo vetëm financat e territorit që do të administrojnë, por edhe politikat dhe strategjitë e zhvillimit.

Kryetar dhe Këshilli i Qarkut do të duhet të zgjidhen direkt nga qytetarët me votë.

Megjithatë, në sfondin e ri ku PD ka zgjedhur të bojkotojë komisionet, si për reformën Territorale ashtu edhe për atë Zgjedhore, kjo dakordësi mbetet e ngrirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë