E mbani mend kur ne të gjithë do të hiqnim dorë nga jetët tona të vështira, nevojat e lodhshme fizike dhe miqtë e pamotivuar, për të jetuar një jetë të bekuar virtuale në Metaverse? Aty ku mund të hiqnim dorë nga qëllimi i pafundëm i vetëpërmirësimit për të jetuar si avatarë perfektë? Kur Facebook u riemërua Meta sepse, tani e tutje do të ishte e parë në Metaverse?
Ka vetëm një vit nga reklama distopike e Meta-s ku një grup miqsh që kanë humbur kontaktin kthehen së bashku në botën virtuale (në atë reale ata ishin të vetëm, pa shokë).
Megjithatë, që nga ajo reklamë, euforia për idenë është shuar. Shkruani “metaverse” në Google Trends dhe do të shihni se trafiku i kërkimit për fjalën është ulur me rreth 80% gjatë vitit të kaluar apo më shumë. Këto ditë, nëse doni të grumbulloni disa para, do të ishte më mirë të hiqni dorë nga “gjeneruesi AI” – inteligjenca artificiale që mund të “gjenerojë” tekst, imazhe ose të dhëna të tjera. Investimet e kapitalit sipërmarrës në atë sektor të veçantë u rritën me 425% midis 2020 dhe 2022.
Kaq jo entuziastë janë dhe vetë investitorët e Meta-s për idenë që shefi ekzekutiv Mark Zuckerberg dha, sa që ky u detyrua të thoshte se Metaverse “nuk është fokusi më i madh i asaj që po bëjmë”. Këto ditë, ai po flet më shumë për efikasitetin sesa për Metaverse. Për arsye të mirë, gjithashtu: Reality Labs, divizioni që prodhon kufjet Meta Quest, pati një humbje operative prej 13.7 miliardë dollarë vitin e kaluar. Kompania ka lënë pas dore dhe planin e saj për të punësuar 10.000 njerëz në BE që të punojnë në Metaverse. E pyeta Meta-n nëse kjo po ndodhte akoma dhe nëse dikush ishte punësuar. Ata më thanë: “Zgjerimi ynë në Europë ka qenë gjithmonë një zgjerim afatgjatë i planifikuar gjatë disa viteve. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj Europës.” Microsoft, ndërkohë, ka vrarë “ekipin e tij industrial Metaverse” vetëm katër muaj pas krijimit të tij, duke pushuar nga puna 100 anëtarë të stafit.
Çfarë shkoi keq?
Metaverse ka disa probleme të mëdha. E para është se askush nuk dakordësohet për definimin e saj, çfarë është ajo, as ata që e kanë krijuar. Ata që pëlqejn Zuckerberg e mendojnë si një botë virtuale me emocione dhe avatarë që takohen si njerëz. Të tjerë e imagjinojë si një internet që mbështetet disi nga baza e të dhënave e shpërndarë e gjithëfuqishme e njohur si blockchain, dhe që përfshin kode të njohura si NFT.
Ia shtrova problemin Robby Yung, shefit ekzekutiv të Animoca Brands, një kompani që nisi një fond investimi Metaverse deri në 1 miliardë dollarë (do të ishte deri në 2 miliardë dollarë, pasi u zvogëlua për shkak të “rrethanave të tregut”). I thashë se e kisha pak të ndërlikuar të përcaktoja Metaversin.
“Kjo për shkak se ju po mendoni për të në mënyrën e gabuar,” – tha Yung. “Ju duhet të mendoni për Metaverset në të njëjtën mënyrë që mendoni për internetin. Nuk është një gjë. Është çdo gjë.”
Më duhej të isha i sinqertë: kjo përgjigje nuk m’i qartësoi gjërat. E pyeta se si kjo “çdo gjë” që ai po e quante Metaverse ishte e ndryshme nga Ëeb3, duke qenë se ai dukej se po më thoshte se kishte të bënte vetëm me “shtimin e blockchain në internet”. Ai ndaloi, para se të thoshte: “Unë nuk mendoj se ka ndonjë ndryshim, në mendjen time.”
Dave Karpf, një profesor në universitetin George Uashington, që studion internetin, më tha se ideja e Zuckerberg për Metaverse është më pak rreth blockchain dhe më shumë rreth VR-it dhe një interneti 3D. Është më afër konsensusit, por është ende një koncept i lëmshtë. Nuk është asgjë e re: ka pasur shumë përpjekje për të krijuar një Metaverse të tillë gjatë dy ose tre dekadave të fundit.
Kjo na sjell në problemin më serioz të Metaverse: askush nuk e do atë. Karpf shpenzoi 1500 dollarë për Meta Quest Pro dhe e ka përdorur vetëm tre herë. “Është ajo që unë e quaj fushën e falsifikimit të ëndrrave: supozimi se nëse e ndërtoni, ajo do të realizohet”, thotë Karpf. “Në këtë pikë, ne duhet të shikojmë rezultatet që kemi parë deri më tani dhe problemi më i madh është se pa marrë parasysh se sa e mirë bëhet teknologjia, njerëzit në thelb nuk e duan këtë.”
E gjithë kjo nuk është për të mohuar gjasat që, ndërsa teknologjia përparon, interneti do të bëhet më gjithëpërfshirës. Por kjo do të ndodhë gradualisht dhe në mënyrë të çrregullt: ne nuk do të hyjmë së bashku në një botë virtuale të formuar papritur, të fuqizuar nga blockchain. Metaversi nuk filloi kurrë me të vërtetë dhe megjithatë tashmë ka mbaruar./Financial Times
Nga Jemimma Kelly*, gazetare e FT për kriptot dhe teknologjitë e tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.