Shendet

Çfarë i ndodh trupit (dhe mendjes) 30 ditë pa alkool?

Fillimisht jeni të irrituar, por cilësia e gjumit përmirësohet. Pastaj filloni të tretni më mirë, keni më shumë energji dhe lëkurë më të pastër dhe më të hidratuar

Gazeta Si – Konsumi i rregullt i alkoolit shkakton plakjen e parakohshme të trurit, rrit rrezikun e tumoreve dhe sëmundjeve neurodegjenerative dhe përkeqëson cilësinë e gjumit.

Edhe nëse interesi për pijet alkoolike duket se po ulet paksa midis brezave të rinj, përhapja e “pirjes së tepërt”, ose pirjes për t’u dehur, madje edhe midis të miturve, është shqetësuese.

Duhet thënë se lëvizje të tilla si “Dry January” po bëhen gjithnjë e më popullore: një muaj abstinencë nga alkooli është shoqëruar me një ulje të yndyrës në mëlçi, sheqerit në gjak dhe kolesterolit, si dhe përfitime të shumta psikologjike.

Sipas ekspertëve, kushdo mund të përpiqet të eliminojë pijet alkoolike për 30 ditë (ose edhe më gjatë): rreziku i simptomave të abstinencës mund të shqetësojë vetëm ata që pinë shumë alkool.

Një qëllim i paarritshëm?

“Marrëdhënia midis konsumit të alkoolit dhe shëndetit është në thelb lineare: ndoshta nuk është e vërtetë që një sasi e vogël alkooli është e mirë për ju”, thotë Marcus Munafò, rektor i Universitetit të Bath (Mbretëri e Bashkuar), i intervistuar nga “BBC Science Focus Magazine”.

Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk ka një sasi “të sigurt” që nuk ndikon në shëndetin tuaj në asnjë mënyrë.

Heqja dorë absolute nga alkooli padyshim kontribuon në një jetë të shëndetshme. Por ky qëllim mund të duket i paarritshëm dhe jo vetëm për ata që pinë shumë alkool. Kjo është arsyeja pse të fillosh me një test 30-ditor është një strategji e mirë.

Gjumi, përqendrimi dhe humori

Sapo të vendosni ta lini, përfitimet e para janë çuditërisht të shpejta. Për ata që pinë rregullisht alkool, pas 24 orësh pa alkool, ka hidratim më të mirë dhe nivele më të qëndrueshme të sheqerit në gjak.

“Njerëzit në studimin tonë menduan se u deshën disa javë për të parë përfitimet”, shpjegon Gautam Mehta i “University College London”.

Studimi shqyrtoi gati 100 persona që morën pjesë në “Dry January” në 2018 (me një grup kontrolli prej 50 personash).

Pas dy javësh, cilësia dhe kohëzgjatja e gjumit, përqendrimi dhe gjendja shpirtërore u përmirësuan. Dhe pastaj është humbja e peshës: mesatarisht, pjesëmarrësit humbën gati 2 kg në një muaj.

Ndjeshmëria ndaj insulinës

Cili është ndikimi i 30 ditëve të njëpasnjëshme të abstinencës nga alkooli në shëndetin afatgjatë? Ndërsa nuk ka studime të mëdha mbi këtë temë, hulumtimi i “Mehta”-s ofron disa të dhëna interesante se si mund të ndryshojnë trupat tanë.

“Përfitimet metabolike ishin mjaft mahnitëse për të gjithë në studim (asnjë nuk ishte diabetik, red.), – thotë “Mehta”. – Rezultati kryesor ishte një përmirësim prej 25 përqind në ndjeshmërinë ndaj insulinës”.

Kjo nuk duhet nënvlerësuar, duke pasur parasysh se njerëzit nën 40 vjeç që diagnostikohen me diabet të tipit 2 kanë një shkallë vdekshmërie katër herë më të lartë se popullata e përgjithshme.

Eksperimenti tregoi gjithashtu një rënie të niveleve të ankthit dhe depresionit tek pjesëmarrësit.

Faktorët e rritjes

“Ne gjithashtu gjetëm një ndryshim të madh në dy proteina që janë faktorë rritjeje dhe mund të përshkruhen si molekula potencialisht kancerogjene, –  vazhdon studiuesi. – ‘Janari i thatë’ uli ndjeshëm nivelet e faktorit të rritjes endoteliale vaskulare (VEGF) dhe faktorit të rritjes epidermale (EGF) në gjak. VEGF ndihmon në rritjen e tumoreve duke ndërtuar rrjete të enëve të gjakut dhe EGF nxit rritjen e kancerit duke inkurajuar qelizat të shumohen: këto janë objektiva të njohura për ilaçet kundër kancerit”.

Bakteret e zorrëve

Mikrobioma e zorrëve gjithashtu mund të pësojë ndryshime të shpejta. Studime të shumta në kafshë kanë treguar se alkooli i tepërt mund të ndikojë në bakteret e zorrëve, të cilat nga ana tjetër ndryshojnë modelet tona të sjelljes, duke na shtyrë të pimë më shumë.

Nuk është e qartë nëse këto gjetje vlejnë plotësisht për njerëzit, por një eksperiment i kohëve të fundit tregoi se edhe ata që pinë shumë alkool me mikrobioma të varfëruara rëndë për shkak të konsumit kronik të alkoolit, mund të rivendosin ndjeshëm shëndetin e zorrëve brenda katër javësh.

Një ndjenjë më e madhe kontrolli

Përfitimet më të mëdha të heqjes dorë nga alkooli, ose thjesht të pirjes me sasi të vogla, arrihen gjatë muajve dhe viteve.

Por abstenimi afatshkurtër mund të ndihmojë në arritjen e një qëllimi në dukje të pamundur. “Kemi prova se njerëzit që ia dalin mbanë gjatë gjithë muajit, kanë një ndjenjë më të madhe kontrolli mbi pirjen e tyre”, thotë Richard de Visser i Universitetit të Sussex, pas një studimi mbi pijedashësit “e thekur” dhe “Janarin e thatë”.

“Zbuloni alternativa ndaj alkoolit, mësoni një mënyrë të ndryshme të socializimit, si të menaxhoni dëshirën për të pirë dhe si të refuzoni një ofertë alkooli. Kjo ndihmon të shpjegojë pse, gjashtë muaj pas ‘Janarit të thatë’, shumë njerëz pinë më pak se më parë dhe, edhe pse kthehen në nivelet e mëparshme, ata kanë tendencë ta bëjnë këtë me një ndjenjë më të madhe kontrolli”.

Ditët e para

Sipas “Mehta”-s, abstenimi afatshkurtër mund të “rivendosë” marrëdhënien tonë me alkoolin. Gjashtë deri në tetë muaj pas periudhës 30-ditore të lënies së alkoolit, përqindja e pjesëmarrësve në studim që pinin në nivele të dëmshme ra me rreth 50%.

“Ata gjithashtu kishin më pak ditë me pirje të theksuara”, thotë ajo. “Dhe kjo është me të vërtetë domethënëse”.

Çfarë ndodh në të vërtetë gjatë muajit të abstinencës? Mund të jeni të irritueshëm gjatë ditëve të para, por cilësia e gjumit tuaj përmirësohet.

Brenda tre ditësh deri në një javë, do të filloni të përjetoni tretje të përmirësuar, si dhe rritje të energjisë dhe lëkurë më të pastër dhe më të hidratuar. Është e rëndësishme të pini shumë ujë.

Efektet pas një muaji

Në javët e para, ndryshimet bëhen të dukshme: mund të humbni peshë dhe të përmirësoni cilësinë e gjumit tuaj, por kjo është gjithashtu koha kur trupi juaj fillon procesin e riparimit.

Studimet kanë treguar se mëlçia dhe zorrët e pijedashësve të shumtë fillojnë të përfitojnë pas tre javësh.

Një muaj i plotë abstinence çon në një ulje të ndjeshme të faktorëve të rrezikut kardiovaskular dhe faktorëve të rritjes që lidhen me kancerin, ndërsa pijedashësit e moderuar ose të shumtë, tregojnë një përmirësim në rezistencën ndaj insulinës dhe presionin e gjakut, si dhe ndryshime pozitive në peshë.

Truri riparon veten

Në muajt në vijim, këta tregues vazhdojnë të përmirësohen, por mund të vërehen edhe përfitime të tjera: për shembull, funksioni seksual tek burrat është treguar se përmirësohet pas tre muajsh. Disa muaj pa alkool lejojnë që truri të riparojë veten, madje edhe tek pijedashësit e shumtë.

Nëse ndaloni së piri për një kohë të gjatë (një vit ose më shumë), atëherë mund të merrni përfitime të mëdha: një studim korean zbuloi se ish-alkoolistët nuk treguan shëndet dukshëm më të keq se njerëzit që gjithmonë kishin qenë joalkoolistë.

Këshilla për t’ia dalë

Pyetja është: si ta kaloni muajin e parë pa u dëmtuar? Mund të gjeni mbështetje dhe këshilla në internet (për shembull në faqen e internetit në anglisht “Alcol Change”, me një aplikacion që ju ndihmon të llogaritni sa kalori dhe sa para kurseni duke mos pirë).

Për më tepër, gradualisht koncepti “Nuk mund të pi” duhet të transformohet në, “Nuk dua të pi”, duke rritur ndjenjën e autonomisë personale.

Kur përballeni me një ofertë alkooli, thjesht mund të përgjigjeni, “Nuk pi këtë muaj”. Mund të jetë e dobishme të eliminoni alkoolin nga shtëpia, ose të paktën nga shikimi juaj. Dhe është e rëndësishme të mendoni për një rutinë që mund të zëvendësojë gotën e verës ose birrës, ndoshta pas një dite të vështirë.

Të jesh në gjendje të thuash “jo”

Një muaj abstinencë është pak i dobishëm nëse më pas ktheheni të pini shumë. “Të ndryshosh vetë, pa ndonjë lloj mbështetjeje të jashtme, është e vështirë. Por është treguar se pjesëmarrja në “Janarin e Thatë” rrit besimin e njerëzve në aftësinë e tyre për t’i thënë “jo” pirjes së alkoolit në të ardhmen.

Është padyshim diçka që ia vlen ta bësh, megjithëse është sigurisht e vështirë të qëndrosh në rrugën e duhur”, përfundon Matt Field, profesor i psikologjisë në Universitetin e Sheffield.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë