Ana e errët

Çfarë gjeti policia në shtëpinë e të kërkuarit të veshur me luks Orgest Bilbili

I kërkuar prej muajsh, por kokë e këmbë me veshje luksi, Orgest Bilbili nga qyteti i Lushnjës nuk bënte aspak një jetë të vështirë si një person në telashe me drejtësinë. Përkundrazi, ai lëvizte edhe me tabela dhe distinktivë të policisë. Provat materiale të sekuestruara nga policia kriminale menjëherë pasi ai u plagos nga forcat "Shigjeta" tregojnë sqimën e 30 vjeçarit, jo vetëm për veshjet që u përkasin firmave të njohura, por edhe armët nga Izraeli. Burimi i policisë kriminale i tha gazetasi.al/  se mes provave të sekuestruara ishte një celular  Iphone 11, ai mbante laptop Acer, pëlqente çantat krahëqafë të firmave të ndryshme siç rezultoi se kishte tre të tilla. Një efektiv i 'Shqiponjave" i tregoi  gazetasi.al/ se  në momentin e arrestimit, teksa ishte shtrirë përtokë dhe kur policia nuk e dinte ende se kujt po i shtrëngonte prangat, agjentët panë se djali shkërmoqi telefonin. “Por ndërkohë,  çanta e krahut 'Luis Vuitton' u mor bashkë me mbetjet e aparatit si provë materiale”, - thotë burimi. Ai kishte gjithashtu një kapele ngjyrë të bardhë të firmës së njohur "Adidas".  “Arma e zjarrit që i’u bllokua ishte pistoletë  moderne  e  prodhuar në  Izrael, brenda së cilës gjendeshin 18 fishekë.  Ndësra tek krehëri i  fishekëve lexohej mbishkrimi “Made in Italy”. Ndërsa në shtëpinë  ku Orgest Bilbili jetonte me qira policia gjeti edhe një çantë tjetër të firmës “Borboneze" dhe një të firmës "Calvin Clain”, - i tha gazetës “Si” një tjetër  ekspert i përfshirë në ekzaminimin e vendngjarjes, që tregon dobësinë e të riut për aksesorët e shtrenjtë.

I shumëkërkuari për disa ngjarje kriminale Orgest Bilbili

Burimet e gazetës "Si" pranë prokurorisë pohuan se në spitalin ushtarak ku edhe mbahet Orgest Bilbili, prokurori i tha sot gjykatësit se 30 vjeçari paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore jo vetëm sepse kërkohej për disa precedentë penalë, por edhe sepse qëlloi ndaj policisë.

Orgest Bilbili është i njohur si shoku i ngushtë i një tjetër të kërkuari, Laert Haxhiu, i cili ka armiqësi të vjetra që burojnë nga 1997 me bandën e Aldo Bares.  Ngjarjet e rënda kulmuan me planin për të vrarë nipin e Aldo Bares, që është djali i vëllait të vrarë të të fortit të Lushnjës. Vrasja e Xhulio Shkurtit dështoi. Ai njihet si djali i Ramadan Shkurtit për të cilin egziston legjenda se pas vrasjes së tij nga Artur Daja, i vëllai Aldo Bare apo Alfred Shkurti u betua që do merrte hak. Orges Bilbili dhe Laert Haxhiu nga njëra anë dhe nipi i Bares hyjnë mes atyre që mbijetuan nga 1997 pasi në atë kohë ishin fëmijë por siç kuptohet asgjë nuk harrohet në krim. Më tepër se kaq, policia beson që edhe gjatë këtyre viteve kanë ndodhur një seri vrasjesh, me emra që ose janë në kërkim ende ose u vranë përgjatë viteve. Orgest Birbili është një nga ata eksponentë për të cilin policia mendon se është përfshirë edhe në disa ngjarje të tjera të rënda.

Momenti i arrestimit te Orgest Bilbilit

Lidhur me zbulimin e tij rastësor, prokuroria përmendi në seancën e  zhvilluar në spital se Orgest Bilbili u konstatua teksa po ecte në këmbë së bashku me një person tjetër me drejtim sheshin "Shtraus". “Ecja e tyre na bëri përshtypje, - raportojnë policët e forcave "Shqiponja", - ndaj dhe u kërkuam dokumentet në kuadër të masave për të parandaluar infeksionin Covid -19". "Kështu kishim vepruar herë pas here me qytetarë që i shikonim në rrugë kur edhe u kërkonim dokumentet e identifikimit. Njëri nga të dyshuarit mbante kapele ndërsa tjetri kapuç, sapo na panë filluan të lëviznin me shpejtësi. Ndaj edhe u bindëm që ishin të dyshimtë", - përshkruhet më tej në dëshminë e  policëve. Policia, pasi i ka bërë thirrje të ndalojne, njëri nga të dyshuarit nuk u ndal po vijoi vrapin duke kërcënuar me armë deri sa efektrivi i policisë i është kundërpërgjigjur duke qëlluar në drejtim të tij.

Në vendngjarje mbeti e plagosur edhe një grua tjetër e cila gjendej aty krejt rastësisht, ndërkohë që i plagosuri është vet-identifikuar vetëm pasi është dërguar në spital. "Unë jam Orgest Bilbili", - ka thënë ai, i datëlindjes 13 qershor 1990

Kur policia kontrolloi shtëpinë aty mendohet se janë gjetur materiale me vlerë për hetimet e mëtejshme, që do të zbulojnë se kush e ndihmonte 30 vjeçarin e rrezikshëm, çfarë fshihej por edhe çfarë veprimtarie kriminale kryente ai gjatë kësaj kohe.

“Një sërë kartvizitash të lokaleve të njohura na bëjnë të besojmë se i këkuari frekuentonte lokale të njohura në kryeqytet ose bënte porosi përmes tyre”,- shtoi një zyrtar i policisë për gazetën "Si", mes të cilave edhe disa numra telefoni të shkruar me shkrim dore ku lexohet 0693xxxxx4 Benz /fratja, letër e dytë e shkruar “krahë anglez  6500 euro Shkodër”, letër me mbishkrimin  5 mijë euro  069xxxxxxx benz kjrah ag,  Hotel J.., rruga pazari i Ri, Restorant  B… Policia shpjegon se është në gjurmim të të dhënave që ka zbuluar nga një sërë letrash e dokumentash, mes të cilave edhe disa kontrata për shitje toke, apo dhe dokumenta identifikimi me emrat e disa personave të tjerë. Por ajo që ka habitur policinë, sipas burimeve të gazetës "Si" ashtu si edhe në rastin e Dritan Dajti, është fakti që i shumëkërkuari qarkullonte  me dokumenta policie. Burime të sigurta i thanë gazetës “Si” se Orges Bilbili posedonte gjithashtu një distinktiv policie që e kishte të fshehur në portofol, si edhe një tabelë të qarkullimit rrugor që me shumë mundësi ai duhet ta ketë përdorur gjatë udhëtimeve të tij. Ka një sërë materialesh dhe të dhënash që po verifikohen shton një burim tjetër që tregon se disa prej tyre janë transferuar menjëherë për egzaminim kriminalistik, dhe biologjik. Pas masës së ditës së kësaj të diele, Orgest Birbili do të ballafaqohet edhe me disa ngjarje të tjera, që e lidhin atë me akuzën e vrasjeve në Lushnjë, por edhe trafikun e drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë