Shendet

Çfarë është ‘Sëmundja X’ që sipas ekspertëve mund të shkaktojë pandeminë e ardhshme

Organizata Botërore e Shëndetësisë mban një listë të shkurtër të "sëmundjeve prioritare" që mund të shkaktojnë pandeminë e ardhshme vdekjeprurëse.

Shumica e sëmundjeve janë tashmë të njohura për ne si Ebola, SARS dhe Zika por sëmundja më e re duket se ka më shumë mundësi që të jetë pandemia e ardhshme.

Quhet “Sëmundja X”, term që përdoret nga OBSH për të përshkruar një sëmundje që është e panjohur për shkencën.

Dhe si një sëmundje e re, nuk ka një vaksinë apo trajtime të disponueshme.

“Mendoj se duhet të përgatitemi për këtë sëmundje”, thotë Richard Hachett, epidemiolog.

“Nuk është ekzagjerim të thuhet se ekziston potenciali i një pandemie të Sëmundjes X së shpejti”, thotë Pranab Chatterjee, studiues.

Disa ekspertë të shëndetit publik besojnë se Sëmundja e ardhshme X do të jetë zoonotike, që do të thotë se do të ketë origjinën nga kafshët e egra ose shtëpiake dhe më pas do të përhapet për të infektuar njerëzit.

Ebola, HIV/AIDS dhe COVID-19 ishin shpërthime zoonotike.

“Mundësia e një patogjeni pandemik gjithashtu nuk mund të injorohet”, thanë autorët e një artikulli të vitit 2021 në revistën Infection Control & Hospital Epidemiology.

"Lëshimi i patogjenëve të tillë, qoftë përmes aksidenteve laboratorike ose si një akt bioterrorizmi, mund të çojë gjithashtu në një sëmundje X dhe është vërejtur si një rrezik katastrofik global”, shtuan autorët.

Një burim tjetër i mundshëm mund të jenë viruset "zombie" që janë ngrirë për shekuj, por që çlirohen nga ngrohja e klimës.

Sëmundjet e tjera prioritare në listën e OBSH përfshijnë virusin Marburg, ethet hemorragjike Krime-Kongo, ethet Lassa, sëmundjet Nipah dhe henipavirale dhe sindromën e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS).

Për të parandaluar dhe luftuar një shpërthim të Sëmundjes X, ekspertët mjekësorë në mbarë botën po kërkojnë një rritje të fondeve për të mbështetur mbikëqyrjen dhe kërkimin mbi këtë sëmundje.

“Pandemia e COVID-19 nuk ishte e para që bëri kërdi në botë dhe nuk do të jetë e fundit”, shkruan autorët e artikullit. "Kështu, ne duhet të përgatitemi për shpërthimin e ardhshëm sa më shpejt të jetë e mundur”.

Burimi: New York Post. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë