Shkencë

Çfarë është mburoja magnetike që mbron Tokën dhe bën të mundur zhvillimin e jetës

Nga Eva Villaver- Shpeshherë ne i marrim si të mirëqena edhe gjërat më të rëndësishme. Për shembull, kur ka qenë hera e fundit që keni menduar mbi fushën magnetike të Tokës? Përveç drejtimit të gjilpërave të busullës drejt veriut apo kursit të zogjve migrues, a ka ndonjë efekt tjetër fusha magnetike e Tokës në jetën tonë të përditshme?

Një kuriozitet: Në çdo sekondë, fusha magnetike e Tokës shmang rreth 1.5 milion ton material të nxjerra nga Dielli, që lëvizin drejt nesh me një shpejtësi shumë të madhe. Po të mos ishte aty ku është, atmosfera do të pësonte një erozion të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm.

Ajo s’do të ishte në gjendje të shmangte ndikimin e drejtpërdrejtë të atyre grimcave diellore, të cilat do të zhduknin bashkë me to edhe gjithçka që na mbron. Prandaj, pa fushën magnetike të Tokës, jeta siç e njohim ne nuk do të ekzistonte në sipërfaqen e planetit tonë.

Natyrisht, nuk do të ekzistonin dot as shoqëritë tona teknologjike, pasi fusha magnetike mbron gjithashtu edhe pajisjet tona elektronike, dhe jo vetëm ADN-në tonë, nga i njëjti bombardim nga hapësira. Toka (ashtu si Mërkuri, Jupiteri, Saturni, Neptuni dhe Urani), është e rrethuar nga një fushë magnetike relativisht intensive që e ka origjinën kryesisht nga brenda planetit.

Besohet se në fazën aktuale të evolucionit të Tokës, ajo u mundësua nga ftohja dhe kristalizimi i bërthamës. Ajo e trazon hekurin e lëngshëm që e rrethon, duke krijuar rryma të fuqishme elektrike që gjenerojnë fushën magnetike që shtrihet deri në hapësirë.

Kjo lloj fushe magnetike njihet si gjeodinamo, dhe struktura e fushës së forcës që devijon pjesën më të madhe të erës diellore dhe formon një mburojë mbrojtëse quhet magnetosferë.

Për të kuptuar se si funksionon ajo, le të udhëtojmë tani rreth 80 kilometra mbi kokat tona. Në atë lartësi, ndodh diçka shumë thelbësore. Një pjesë e konsiderueshme e gazit në këtë rajon jonizohet. Pra grimcat e gazit, kanë një ngarkesë elektrike, sepse kanë humbur një elektron në strukturën e tyre për shkak të rrezatimit energjik që vjen nga ylli ynë. Grimcat e ngarkuara sillen në një mënyrë shumë të veçantë.

Ato ndjekin linjat e fushës magnetike, dhe për rrjedhojë lëvizin si të ishin një korsi në një autostradë. Para se të vazhdojmë më tej analizën, është e rëndësishme të theksojmë se Dielli, ashtu si të gjithë yjet, nxjerr jashtë vetes sasi të mëdha të materialit në formën e grimcave të ngarkuara, të cilat lëvizin me një shpejtësi shumë të madhe.

Ai e bën këtë në të gjithë gamën. Sytë tanë janë të ndjeshëm vetëm ndaj dritës së dukshme, e cila është një gamë shumë e ngushtë. Kjo është ajo që njihet si era yjore; ose era diellore, në rastin e yllit tonë. Lidhja midis magnetosferës dhe erës diellore, është zemra e asaj që njihet si moti hapësinor.

Në rast se do të mundnim të imagjinonim fushën magnetike të Tokës, do të shihnim se është ajo që ne shkencëtarët e quajmë fushë magnetike dypolare. Këtu linjat e forcës largohen nga njëra hemisferë dhe hyjnë tek tjetra. Zakonisht, linjat e fushës dalëse janë magnetike në veri, ndërsa linjat e fushës hyrëse janë magnetike në jug.

Në rastin e Tokës, për të shmangur konfuzionin me veriun gjeografik, ndonjëherë kahjet janë të kundërta, dhe poli magnetik verior tregon në jug dhe poli magnetik i jugut drejt veriut. Në veri, vijat e fushës drejtohen nga brenda, gjë që është e kundërta e asaj që ndodh tek magnetet. Po ashtu, fusha është e prirur 11.5 gradë në raport me boshtin e rrotullimit të planetit, dhe është ajo që përcakton polet gjeografike të veriut dhe jugut.

Një strukturë magjepsëse

Fusha magnetike e Tokës, është 2 herë më intensive në pole sesa në ekuator. Ne e dimë këtë falë instrumenteve e vendosura në bordin e satelitëve, të cilët kanë eksploruar si intensitetin ashtu edhe drejtimin e fushës magnetike të Tokës, dhe e kanë konfirmuar natyrën e saj në formë dypolare.

Përveç kompleksitetit, forma që merr kjo fushë është e ndryshueshme. Disa nga komponentët e tij janë rripat e rrezatimit Van Allen, rryma e unazës, bishti magnetik dhe magnetopauza. Midis disa detajeve magjepsëse të strukturës së fushës magnetike që rrethon planetin tonë, është një rajon që përbëhet nga plazma e ftohtë dhe e dendur, e cila rrotullohet së bashku me Tokën.

Atje gjenden edhe Rripat Van Allen, ku grimcat lëvizin me energji relativiste, pra afër shpejtësisë së dritës. Në atë që njihet si rryma e unazës, jonet energjetike lëvizin me shpejtësi shumë më të ngadaltë sesa në rripat Van Allen, por ato kanë një densitet më të lartë dhe prodhojnë një rrymë elektrike që rrethon Tokën.

Elektronet lëvizin nga zona e muzgut në zonën ku është tërësisht natë. Dhe jonet e ngarkuara pozitivisht, lëvizin në drejtim të kundërt. Kjo rrymë unazore, gjeneron një fushë magnetike që tregon drejtimin e kundërt të fushës magnetike të Tokës, dhe që kur bëhet intensive e zvogëlon intensitetin e fushës së matur në sipërfaqe.

Rryma të tjera lidhin rrymën e unazës me jonosferën, dhe luajnë një rol thelbësor tek drita në polin verior dhe moti hapësinor. Për të kuptuar konfigurimin global të mënyrës së lëvizjes së grimcave në mjedisin tonë hapësinor, na duhet edhe një përbërës tjetër themelor. Magnetike është edhe era diellore.

Një mënyrë për të vizualizuar këtë ndërveprim, është të imagjinohet era diellore si rryma e një lumi, ndërsa Toka dhe fusha e saj magnetike si një gur gjigant. Meqë era diellore është supersonike, ne kemi një goditje si me hark dhe pas barrierës kemi bishtin. Në këtë rast, është një bisht magnetik.

Burimi: El Pais. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë