Hernia inguinale është një nga sëmundjet më të zakonshme kirurgjikale.
Hernia është dalja jashtë hapësirës së barkut, përmes një ‘porte’ e organeve që barku përmban. Në varësi të vendit ku ndodhet ky defekt i murit të barkut do të jetë edhe emërtim i kësaj hernieje.
Kështu për shembull, një hernie e lokalizuar në rrëzë të barkut quhet hernie inguinale.
Fryrja që rezulton nga dalja e këtyre organeve mund të jetë e dhimbshme ose jo dhe ajo behet më e dukshme veçanërisht kur kolliteni, përkuleni ose ngrini një objekt të rëndë. Një hernie inguinale nuk është domosdoshmërisht e rrezikshme. Megjithatë, nuk përmirësohet vetvetiu dhe mund të çojë në komplikime të rrezikshme për jetën.
Shenjat dhe simptomat e hernies inguinale përfshijnë:
Një fryrje në zonën e rrëzës së kofshës e cila bëhet më e dukshme kur jeni në këmbë, veçanërisht nëse kolliteni
Një ndjesi djegjeje ose fryrje
Dhimbje ose parehati në ijë, veçanërisht kur përkuleni, kolliteni ose ngriheni
Dobësi ose presion në ijen tuaj
Trajtimi
Herniet e zgjeruara ose të dhimbshme zakonisht kërkojnë operacion për të lehtësuar simptomat ose për të parandaluar komplikime serioze. Operacioni është e vetmja alternativë për riparimin e zonës së dëmtuar dhe mbylljen e defektit në murin e barkut.
Çfarë e provokon?
1. Sforcimet
2. E lindur (mund të vijë si pasojë e defekteve të ndryshme të kësaj zone anatomike që krijohen gjatë zhvillimit të njeriut).
3. Pirja e duhanit.
4. Sëmundjet e rënda dhe patologjitë e mushkërive.
5. Shtatzënia.
6. Operacionet e mëparshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.