Ushqim

Çfarë është ‘dieta e portofolit’ që ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës

Nga Gazeta ‘Si’- Dieta mesdhetare është e zakonshme për shëndetin e zemrës, por ka një opsion tjetër që mund të jetë gjithashtu kyç për të ulur kolesterolin dhe rrezikun e sëmundjes së arterieve koronare: dieta e portofolit.

Më poshtë, ekspertët ndajnë përmbledhjen e këtij plani ushqimor dhe pse ia vlen ta provoni.

Cila është dieta e portofolit?

"Dieta e portofolit u propozua rreth 20 vjet më parë dhe ka shumë të përbashkëta me dieta të tjera të shëndetshme për zemrën që keni dëgjuar, të tilla si dieta mesdhetare, dieta DASH dhe një dietë e plotë me bazë bimore" tha Dr. Sarah Hull, një profesoreshë e asociuar e mjekësisë në kardiologji në Shkollën e Mjekësisë Yale në Konektikat.

"Emri vjen nga fakti se kjo dietë përfshin një portofol ushqimesh që ulin kolesterolin, pra ushqime që reduktojnë kryesisht kolesterolin e keq në dietë," vuri në dukje Kristina Petersen, një profesoreshë e asociuar në departamentin e shkencave ushqyese në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë.

Dieta e portofolit përbëhet nga katër profile të ndryshme ushqimore, tha për HuffPost përmes emailit  Melissa Perst , një nutricioniste klinike dhe zëdhënëse e Akademisë së Ushqyerjes dhe Dietologjisë. Ajo inkurajon konsumimin e proteinave me bazë bimore, ( një përbërës natyral që ndihmon në uljen e niveleve të kolesterolit), fibrave të tretshme dhe yndyrave të pangopura.

Kjo do të thotë “të hani shumë ushqime si fasulet, thjerrëzat, soja, arrat dhe farat si dhe frutat e perimet”.

Disa dieta të tjera të shëndetshme për zemrën, si dieta mesdhetare dhe plani i të ngrënit DASH , përfshijnë gjithashtu produkte shtazore si peshku dhe shpendët, dhe produktet e qumështit si kosi dhe djathi.

Duhet të hiqni dorë nga produktet e mishit

Por dieta e portofolit është vegane – që do të thotë se nëse keni ndërmend të ndiqni saktësisht dietën, do t'ju duhet të hiqni çdo produkt shtazor nga rutina juaj.

Sipas Petersen, dieta e portofolit nuk është aq e studiuar sa dieta mesdhetare, por të dhënat që janë në dispozicion tregojnë se ajo mund të ndikojë ndjeshëm shëndetin tuaj kardiovaskular.

"Ka pasur disa studime të kryera ku ata kanë treguar një ulje mjaft të konsiderueshme të kolesterolit LDL - pra kolesteroli i keq që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës - me këtë dietë," tha Petersen. " Në studimin fillestar, ulja ishte rreth 29% në katër javë."

Ulja e kolesterolit të keq është "një pjesë e rëndësishme e parandalimit dhe trajtimit të sëmundjeve kardiovaskulare, të tilla si sulmet në zemër dhe goditjet në tru", tha Hull.

Hulumtimet tregojnë gjithashtu se njerëzit që ndjekin dietën e portofolit kanë 14% më pak gjasa të zhvillojnë sëmundje koronare të zemrës dhe të kenë një goditje, sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës.

Ka edhe përfitime të tjera shëndetësore nga dieta e portofolit: Është anti-inflamatore dhe mund t'i ndihmojë njerëzit të arrijnë qëllimin e tyre të përditshëm të fibrave. Gratë kanë nevojë për 21 deri në 25 gramë fibra çdo ditë , dhe burrat kanë nevojë për 30 deri në 38 gramë në ditë.

Arrat dhe farat janë një pjesë kyçe e kësaj diete të shëndetshme për zemrën.

Burimi: Huffington Post/ Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë