Keshilla

Çfarë është ‘çrregullimi emocional i verës’ dhe si ta trajtoni

Nga Gazeta 'Si'-Keni dëgjuar ndonjëherë për mërzitjen e verës? Nuk e kemi fjalën për “Summertime Sadness” nga Lana Del Rey, por një çrregullim që ka lidhje me shëndetin mendor dhe që mund të ndikohet negativisht nga ndryshimet sezonale.

Ky fenomen shpesh quhet 'depresion sezonal' ose 'çrregullim emocional sezonal' dhe përkon me një lloj trishtimi, i shkaktuar nga ndryshimet e stinëve, por nuk lidhet domosdoshmërisht me dimrin, të ftohtin dhe ditët e shkurtra që shkaktojnë lodhje dhe mungesë motivimi. 

10-15% e njerëzve me çrregullim emocional sezonal përjetojnë simptoma gjatë verës, sipas mjekut psikiatër Norman Rosenthal, i cili ishte i pari që shpiku këtë term në “Institutin Kombëtar të Shëndetit Mendor” në vitin 1984.

Cilat janë simptomat e këtij çrregullimi?

Megjithëse çrregullimi emocional sezonal karakterizohet nga depresioni pavarësisht nga stina, simptomat që njerëzit përjetojnë në dimër dhe verë mund të ndryshojnë në mënyrë drastike. Llojet e çrregullimit emocional në dimër manifestohen në trajtën e një depresioni "me mendim dhe lëvizje të ngadalta" dhe konsumin e ëmbëlsirave. Nga ana tjetër, ky çrregullim në verë çon në humbje të oreksit dhe pagjumësi.

Çfarë e shkakton depresionin në verë?

Ka disa shkaktarë të mundshëm, nga ndryshimi i temperaturave deri te ndryshimet në rutinën tuaj.

-Nxehtësia dhe drita: Mjeku Rosenthal thotë se nxehtësia dhe drita mund të jenë dy faktorë kryesorë kur bëhet fjalë për depresionin sezonal të verës. Provat tregojnë se trupat e disa njerëzve nuk reagojnë shumë mirë ndaj temperaturave të larta dhe dritës, duke krijuar një çekuilibër fiziologjik që mund të dëmtojë shëndetin e tyre mendor.

-Faktorët shoqërorë: Rrobat e banjës apo udhëtimet gjatë verës mund të çojnë në krijimin e një imazhi negativ për trupin, ndërsa aspekti financiar mund të kthehet shpesh në trishtim gjatë këtij sezoni.

-Ndryshimet e rutinës: Ka shumë persona që shkojnë në punë, ndërsa të tjerët shkojnë në plazhe e pishina. Kjo i bën ata që të ndihet pa motivim dhe të pakënaqur me veten, ndërkohë që u duket sikur pjesa tjetër e botës shijon stinën.

-Ndjenjat e izolimit: Në verë, njerëzit mendojnë për pushimet dhe argëtimin, por për personat që nuk e arrijnë dot këtë standard, kjo çon në një ndjesi izolimi dhe trishtimi gjatë muajve të nxehtë të këtij sezoni.

Si ta trajtoni?

Mjeku Rosenthal sugjeron idenë e të gjetur kohë për veten, për pak pushim dhe qetësi gjatë verës.

Ai vuri re se disa nga pacientët e tij ndiheshin më mirë pasi kishin notuar në det apo pishina, duke qëndruar brenda me ajër të kondicionuar ose duke mbajtur syze dielli. Pra, sa më pak ekspozim në diell dhe dritë. Gjithashtu, mund të vini trupin në lëvizje duke ndjekur një kurs kërcimi apo noti, duke parë një film të lezetshëm etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë