Analize

Çfarë e pengon normalizimin e marrëdhënieve në Ballkan?

Procesi i Berlinit zyrtarisht është reflektuar me një përforcim të bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka dhënë sinjale të forta sa i përket perspektivës europiane të vendeve kandidate dhe kandidate potenciale.

Megjithatë, shoqëritë civile në këtë vende kanë paralajmëruar që prej fillimit se shumë pak progres do të realizohet në procesin e normalizimit të raporteve mes vendeve, nëse nuk adresohen problematika të caktuara të trashëguara nga e kaluara, që shërbejnë si trampolinë për lëvizjet populiste që të fitojnë terren.

Aktorë të zëshëm të shoqërisë prej vitesh tashmë pohojnë njëzëri se pushtetarët e rajonit kanë dështuar në njohjen e normalizimit të marrëdhënieve mes vendeve si një prioritet dhe praktikë që do t’u jepte fund manipulimeve për përfitime elektorale afatshkurtëra, e që do të institucionalizonte më mirë hetimet për akuzat për krime lufte.

Një prej problemeve kryesore është se institucionet e Bashkimit Europianë kanë ofruar instrumente të shumëllojta për të ndihmuar në këtë normalizim, përfshirë “karrotën” financiare me projekte të shumta zhvillimore. Por, ajo që nuk Brukseli nuk ka bërë është se nuk ofron indikatorë, apo matës të progresit real në terren të këtij normalizimi.

Në prill të këtij viti, në Vjenë u zhvillua Forumi i Shoqërisë Civile, ku u ngrit një grupim që hartoi rekomandimet për normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në të propozohet ngritja e një komisioni rajonal me ekspertë që do të mblidhnin fakte mbi krimet e kryera në ish-Jugosllavi nga vitit 1991 deri në 2001.

Së dyti, propozohet që institucionet përgjegjëse për edukimin dhe arsimimin të rishikojnë kurrikulat respektivë në mënyrë të hiqen prej tyre përmbajtjet e politizuara nacionaliste, që nxisin edhe më tej armiqësitë e vjetra rajonale.

Gjatë samitit të Triestes në 2017, si vijimësi e Procesit të Berlinit, roli i shoqërisë civile dhe nevoja e ndryshimeve në kurrikulat arsimore u kristalizua edhe më shumë si një prej mënyrave më të mira për të luftuar populizmin dhe për t’iu përafruar standardeve të shoqërive europiane.

Megjithatë, askush nuk pret që normalizimi të vijë thjesht si një rezultat i injorimit dhe harrimit të dramave të së shkuarës, por me adresimin e këtyre problematikave përmes forcimit të institucioneve ligjzbatuese në vendet përkatëse dhe vendosjes së një sistemit drejtësie të aftë për të gjykuar dhe ndëshkuar, sipas rasteve, krimet e së shkuarës dhe përgjegjësit e tyre.

Një nismë që synon t’i shërbejë këtij procesi është ajo për ngritjen e një komisionit të përbashkët rajonal që do të hetonte krimet e periudhës së luftës dhe synimi është që marrëveshja për ngritjen e kësaj strukture të firmoset gjatë samitit të Londrës më 9 dhe 10 korrik.

Burimi: European Western Balkans


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë