Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç nënkuptoi se personalisht është pro përfshirjes në këtë nismë dhe ftoi edhe Kosovën e Bosnjen që të bëhen pjesë. Por, konjukturat politike në Podgoricë, ku qeveria e tij mbahet në këmbë nga votat partisë së Presidentit, Millo Gjukanoviç nuk foli në emër të vendit që përfaqëson.
“Që të kemi një të ardhme të mirë për ekonominë, me mundësi më të mira dhe bashkëpunim më të mirë, për mua kjo është ideja e Ballkanit të Hapur. Çdo nismë që shtyn përpara bashkëpunimin dhe progresin do të mbështetet nga Mali i Zi. Ideja është të nxisim diçka të re të bëjmë ribrandim të Ballkanit Perëndimor, të përçojmë mesazhe optimiste”, tha ai, pa deklaruar nëse Mali i Zi do t’i bashkohet nismës apo jo.
Kryeministri boshnjak, Zoran Tegeltija foli gjithashtu më shumë nga këndvështrimi personal. Si pjesë e etnisë serbe në Bosnje, ai e mbështet Ballkanin e Hapur, por nuk kanë të njëjtin mendim përfaqësuesit e dy komuniteve të tjera, atij boshnjak dhe atij kroat.
Tegeltija foli për pengesa të mëdha që ndalojnë përfshirjen e Sarajevës. Mes këtyre pengesave përmendi edhe ambasada të vendeve perëndimore.
“Bosnje Hercegovina nuk ka konsensus për Ballkanin e Hapur dhe nuk e di pse. Sipas meje shkaqet janë për shkak të së kaluarës dhe se kush e propozon këtë nismë. Ka pasur edhe grupime politike që vlerësojnë se nuk do të ketë sukses. Në Bosnjë ka ndikime nga individë dhe ambasada, që vlerësojnë që Bosnje Hercegovina nuk duhet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur. Jemi dëshmitar, të atyre që janë kundër”, u shpreh ai.
Megjithatë, ai u shpreh optimist se një ditë edhe Bosnja do të jetë pjesë e nismës.
“Jam i sigurt se Bosnjë Hercegovina do të bëhet anëtare e Ballkanit të Hapur. Fakti që kjo nismë u mbështet nga SHBA më jep mundësi të besoj se do të jetë shumë shpejt pjesë e Ballkanit të Hapur”, u shpreh Tegeltija.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.