Ekonomi

Çfarë e ‘mbyti’ euron?

Nga Gazeta 'SI' - Zhvlerësimi i euros në një pikë të panjohur më parë (1€=100.31 L), riktheu përsëri sytë nga kursi i këmbimit. Nga turizmi tek borxhi publik, analiza e kryer nga qendra Altax mbi të gjithë faktorët që kanë fuqinë të dobësojnë euron, konfirmon se nuk është ekonomia formale që po e shkakton këtë.

Nga fundi i 2023-shit në fillim të 2024-s, euro është zhvlerësuar me 3.8% (kur ishte rreth 103 lekë), duke konfirmuar prezencën e një sasie të pazakontë të monedhës europiane që futet ilegalisht në tregun shqiptar.

Nisja e hershme e sezonit turistik

Në muajt e parë të vitit dhe në prag të sezonit turistik 1,54 të huaj vizituan Shqipërinë, 43.3% më shumë se një vit më parë. Në mungesë të të dhënave nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e parë 2024 të vlerës së gjeneruar nga këto turistë, në një bazë krahasuese të lidhur me numrin e rritur të vizitorëve prej 43.3% më shumë, llogaritja arrin në një hyrje të valutave kryesore deri në 900 milionë euro.

Në tremujorin e parë 2023, nga Shqipëria dolën 435 mln euro dhe duke ndjekur të njëjtën logjikë si më lart për të gjetur shumën e arkëtuar në tremujorin e parë 2024, del një shifër prej 550 mln eurosh.

Diferenca e vlerave nga 2023-shi në 2024-n ështëë 350 mln euro. Këto shifra tregojnë se zhvlerësimi i euros ishte më i fortë këtë vit se sa në 2023-shin.

Bilanci tregtar

Bilanci tregtar për tremujorin e parë 2024 rezulton me deficit 113.7 mld lekë (1.09 mld euro), ndërsa një vit më parë deficiti ishte 85.7 mld lekë (790 mln euro). Diferenca prej 300 mln eurosh tregon se këto euro kanë mbetur në vendet ku Shqipëria ka importuar produkte.

Efekti i daljeve të valutave nga vendi për importet është me ndikim në vlerësimin e kursit të valutave të huaja.

Remitancat

Në tre muajt e parë të 2023-shit, remitancat arritën në vlerën e 214 mln eurove. Altax parashikon të njëjtën shifër edhe për 2024-n, në mungesë të shifrave nga BSH.

Efekti i hyrjeve të valutave në vend nga dërguesit jashtë Shqipërisë është me ndikim në zhvlerësimin e kursit të këmbimit të valutave të huaja.

Investimet e huaja

Për shkak të tërheqjes së investimeve të SHELL dhe qëndrueshmërisë së tregut imobiliar në 2024-n, Altax parashikon që investimet e huaja të jenë në të njëjtat nivele me tremujorin e parë 2023, 308 mln euro. Efekti i hyrjeve të valutave në vend nga investimet e huaja është me ndikim në zhvlerësimin e kursit të këmbimit të valutave të huaja.

Borxhi publik

Në fund të tremujorit të tretë 2024, borxhi publik i Shqipërisë ishte 5.65 mld lekë më i ulët se e njëjta periudhë e 2023-shit. Mosmarrja e një borxhi të ri nga tregjet e huaja është tregues pozitiv për dobësimin e lekut dhe vlerësimin e kursit të këmbimit të valutave të huaja.

Qeveria

Shpenzimet e përgjithshme publike (kryesisht korrente) nga 2023-shi në 2024-n janë rritur me 49 mln euro. Sa më të larta shpenzimet e qeverisë aq më shumë forcohen valutat dhe dobësohet leku.

Normat e interesit

Norma e interesit të kreditimit të ekonomisë për tremujorin e parë 2024 mbeti në nivelet e vitit 2023, me 3.25%. Në krahasim me Tr.1 në vitin 2023 duket se ka pak ndryshim në drejtim të normës së interesit të kreditimit të ekonomisë, ndërkohë që dukshëm kjo rritje e normës së interesit vitit 2023 e ka tkurrur kreditimin e ekonomisë dhe individëve. Efekti i rënies së kreditimit nga sistemi financiar është me ndikim në vlerësimin e kursit të këmbimit të valutave të huaja, pasi forcohet oferta e Lekut.

Kështu, efekti neto nga turizmi është me ndikim në zhvlerësimin e Euros dhe valutave të tjera, por i amortizuar në masë të madhe nga efekti i bilancit tregtar negativ. Efekti nga shpenzimet publike jep ndikim në dobësimin e lekut duke amortizuar plotësisht edhe ato ndikime nga faktori i turizmit. Efekti nga remitancat dhe investimet e huaja nuk janë me ndikim në zhvlerësimin e euros, pasi efekti i tyre amortizohet nga mosmarrja e një borxhi të ri, pra nuk ka hyrje të re të euros.

Paqëndrueshmëria e çmimeve e shkaktuar nga paraja informale në sistemin financiar po ndikon në besueshmërinë e ekonomisë, ku sipërmarrësit  investojnë kryesisht te pasuritë e paluajtshme të vendit, që përbëjnë 1/4 e investimeve të huaja, pasi kanë marrë parasysh rrezikun e vendit në investime në sektorë të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë