Nga Michael Peck-Për shkak se është i rrethuar nga armiq por edhe miq të luhatshëm, Izraeli ka zakonisht një vigjilencë të vazhdueshme ndaj kërcënimeve, të cilat variojnë nga terroristët deri tek raketat balistike.
Atëherë si mundën më shumë se 1.500 militantë të Hamasit të sulmonin pjesën jugore të Izraelit, pa hasur shumë rezistencë?
Pse u deshën orë dhe ditë që ushtria izraelite të dërgonte përforcime për të shpëtuar qytetet kufitare dhe kibucet (fermat) e rrethuara nga militantët e këtij grupimi? Askush nuk e dëshiron më shumë një përgjigje për këtë sesa vetë publiku izraelit.
Sapo të ndalojë lufta, do të ketë me siguri një hetim – ashtu si Komisioni Agranat që u ngrit pas Luftës së Yom Kippur-it të vitit 1973 – i cili mund të sjellë deri edhe rrëzimin e kryeministrit aktual Benjamin Netanyahu. Megjithatë, izraelitët nuk janë të vetmit që duhet t’i bëjnë vetes pyetje të tilla të vështira.
Nëse Izraeli mund të kapet kaq lehtësisht në befasi, atëherë çfarë mund të thuhet për NATO-n? Nëse Rusia – apo ndonjë grup kryengritësish të sponsorizuar nga Kremlini – do të niste një sulm të ngjashëm me atë të Hamasit një muaj më parë, sa të përgatitura do të ishin vendet evropiane?
Sulmi i Hamasit, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 1.400 izraelitëve, kryesisht civilë, ka ngritur çështje shumë shqetësuese. Edhe vetë organizata ekstremiste nuk e priste të depërtonte kaq lehtë deri 16 km brenda territorit të Izraelit.
Një ushtri që zotëron teknologjinë u fundit, u mposht – të paktën përkohësisht – nga një kundërshtar me një teknologji më të dobët duke përdorur kamionçina, buldozerë dhe motoçikleta.
Dronët e vegjël që rrëzuan sensorët dhe tanket e pozicionuar në kufirin izraelit, dhe paragliderët e motorizuar që fluturuan mbi gardhet me tela me gjemba, mund të blihen në internet nga çdokush që ka një kartë krediti. Vëmendje tërhoqën edhe raketat artizanale të Hamasit, që mund të ndërtohen edhe në një garazh.
Dhe kjo na jep përgjigjen e parë ndaj pyetjes se çfarë ndodhi atë ditë. Arroganca teknologjike, ishte në qendër të dështimit të bujshëm të forcave izraelite të sigurisë. Për shembull, mediat u përqendruan shumë mbi sistemin mbrojtës të Izraelit në kufi me Gazën, që përfshinte automjete të blinduara autonome dhe mitralozë të kontrolluar nga Inteligjenca Artificiale.
Për Izraelin dhe NATO-n, që preferojnë të rrezikojnë makineritë dhe jo njerëzit, kjo dukej të ishte e ardhmja e luftës pa viktima. Megjithatë, kullat e shtrenjta të armëve robotike, u rrëzuan nga dronët robotikë relativisht të lirë. Sulmuesit nuk u ndalën as nga robotët.
Numri i të vdekurve nga radhët e izraelitëve, do të kishte qenë shumë më i lartë, por të mos ishte për disa roje të dëshpëruar të kibuceve dhe rezervistë, që rrëmbyen me shpejtësi armët, hipën makinat tyre dhe shkuan drejt kufirit. Hetimi mbi ngjarjet e 7 tetorit 2023, do të përqendrohet në misterin më të madh të katastrofës:Si ka mundësi që shërbimet sekrete izraelite, nuk pikasën shenjat paralajmëruese të një pushtimi?
Izraeli e mbante Gazën – ose supozohej se ndodhte kështu – nën një vëzhgim të kujdesshëm, përmes dronëve nga ajri si dhe një rrjeti spiunësh dhe informatorësh. Dështimi për të zbuluar një celulë të vogël të kamikazëve është një gjë. Ndërsa dështimi për të zbuluar përgatitjet, për atë që ishte pothuajse një sulm i përmasave të një brigade ushtrie, është diçka krejtësisht tjetër. Problemi qëndron sërish tek teknologjia. Përgjimi i telefonave celularë, nuk mundi të zbulonte asgjë sepse Hamasi komunikonte përmes linjave fikse të varrosura në kompleksin e madh të tunelit nëntokësore në Gaza. Dhe sidoqoftë ka raporte se Izraeli – dhe SHBA – e kishin ndalur prej kohësh monitorimin e komunikimeve të Hamasit, përfshirë atë të shtabeve të tij.
Kjo lloj neglizhence u nxit nga izraelitët, të cilët arritën të besonin atë që donin të besonin, pra që Hamasi po reagonte pozitivisht ndaj stimujve ekonomikë dhe se kishte frikë nga hakmarrja. Dhe se kjo do ta mbante grupin relativisht jo aktiv, në një kohë që vazhdonte normalizimi i marrëdhënieve midis Izraelit dhe botës arabe.
Por asnjë teknologji nuk mund ta kompensojë vetëkënaqësinë, dhe besimin e tepruar tek aftësitë vetjake. Atëherë cilat janë mësimet që duhet të nxënë nga ky sulm Amerika, Evropa, Tajvani dhe pjesa tjetër e botës?
I pari është se dronët dhe përgjimet elektronike, nuk e kanë eliminuar dot mundësinë e një sulmi të befasishëm strategjik. Hamasi nuk kishte avionë apo tanke, por zotëronte aftësinë për të vëzhguar me kujdes pikat e dobëta të Izraelitit dhe kryer një planifikim të përpiktë të sulmit. Leksioni i dytë, është se aktorët jo shtetërorë, si Hamasi dhe Hezbollahu, kanë fituar aftësi në përmasat e një shteti. Njësia e Hamasit që çau kufirin nuk ishte një grup militantësh, por një forcë e lehtë këmbësorie apo komando e aftë në taktikat e bastisjes. Sulmi i 7 tetorit, na tregon gjithashtu se kufijtë duhet të ruhen jo vetëm nga robotët ose sensorët, por edhe nga trupat ushtarake në terren.
Me 2575 km kufij për t’u mbrojtur nga Rusia – disa prej tyre në zona të largëta dhe të vështira si në Evropën Veriore – NATO përballet me një sfidë të madhe, edhe sepse disa nga ushtritë e saj janë të papjekura dhe pak vigjilente. Në nivelin taktik, Hamasi arriti një sukses të madh.
Por synimi i tij, nuk ishte gjë tjetër veçse të vriste apo rrëmbente sa më shumë izraelitë që mundej. Shumë nga atentatorët u vranë, dhe tani 2 milionë banorë të Gazës po vuajnë pasojat e një hakmarrje të tmerrshme. Por për Hamasin, kjo e fundit nuk ka rëndësi. Ata janë vetëm martirë të kauzës palestineze.
Kjo qasje nuk është dhe aq e ndryshme nga ajo e Rusisë, që përdor si mish për top mijëra rekrutë dhe të burgosur, që janë të armatosur dhe trajnuar shumë keq. Duke analizuar dëmin dhe përçarjen e shkaktuar nga Hamasi, disa regjime autoritare mund ta shohin këtë operacion si një mënyrë me një kosto të ulët për të dëmtuar kundërshtarët e tyre. Fakti që nga kjo do të vuajnë edhe njerëzit e tyre, është për ta vetëm një dëm anësor i të bërit biznes.
Burimi:Center for European Policy Analysis/Përshtati Gazeta Si
Shënim:Michael Peck, bashkëpunëtor i rregullt i Foreign Policy, Forbes, Defense News dhe Business Insider. Ai ka një master në shkencat politike nga Universiteti Rutgers, SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




