Makina

Çfarë duhet të dini para se të blini një automjet të përdorur elektrik?

Shitësit e paskrupullt mund të falsifikojnë kilometrazhin e një veture elektrike në mënyrë që të fshehin gjendjen aktuale të baterisë dhe të rrisin vlerën e automjetit.

Popullariteti i automjeteve elektrike po rritet vazhdimisht në mbarë botën, gjë që reflektohet edhe në tregun e automobilave të përdorura, pasi gjithnjë e më shumë shoferë janë të interesuar për të blerë një makinë të tillë.

Matas Bouzelis, ekspert në kompaninë e të dhënave të veturave carVertical, thotë se shitësit e pandershëm mund të ndryshojnë kilometrazhin e një veture elektrike në mënyrë që të fshehin gjendjen reale të baterisë dhe të rrisin vlerën e automjetit.

Çfarë duhet të kenë parasysh blerësit kur blejnë një veturë elektrike të përdorur?

Modelet Tesla dominojnë tregun e automjeteve elektrike të përdorura. Vlera e automjeteve elektrike më të shtrenjta zvogëlohet më shpejt, kështu që blerësit shpesh zgjedhin vetura që janë disa vjeçare dhe tashmë kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të vlerës së tyre. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shoferët që marrin me qira një automjet elektrik dhe duan të shmangin pagesat e larta mujore.

Tesla Model 3 është automjeti elektrik i kontrolluar më shpesh në platformën carVertical (16.1 për qind e të gjitha kontrolleve të automjeteve elektrike), dhe njihet për amortizimin e ulët dhe popullaritetin e lartë në tregun e makinave të përdorura.

Modelet e automjeteve elektrike me më shumë kontrolle janë Tesla Model S (11.84 për qind), Nissan Leaf (11.83 për qind), Audi e-tron (9.8 për qind) dhe Volkswagen e-Golf (9.5 për qind).

“Tesla ka një imazh të fortë në tregun e automjeteve elektrike dhe është e preferuara e vozitësve. Këto vetura karakterizohen nga një kombinim i shkëlqyer i paketave të sigurisë dhe teknologjisë, si dhe një distancë e gjatë drejtimi pas një karikimi të plotë”, shpjegon Bouzelis.

Jetëgjatësia e baterisë zvogëlohet me kilometrazhin

Prodhuesit e automjeteve elektrike zakonisht ofrojnë një garanci prej 8-10 vjetësh ose 160 mijë kilometra për bateritë. Sa më i lartë të jetë kilometrazhi i automjetit elektrik, aq më e keqe është gjendja e baterisë.

Megjithatë, zvogëlimi i kapacitetit të baterisë varet edhe nga mënyra se si ishte ngarkuar vetura: nëse pronari përdorte shpesh stacione të karikimit të shpejtë ose e karikonte ngadalë deri në 80 për qind, siç rekomandohet nga prodhuesit.

Automjetet elektrike me kilometrazh të falsifikuar janë një problem i madh, sepse është më e vështirë të vlerësohet gjendja e vërtetë e baterisë.

Të dhënat e disponueshme për carVertical tregojnë se 2.6 për qind e automjeteve elektrike të kontrolluara në platformë kanë ndryshuar kilometrazhin e tyre. Kilometrazhi i automjeteve hibride (4,5 për qind), si dhe i automjeteve me motorë benzinë (5,4 për qind) dhe naftë (6,2 për qind) është ndryshuar edhe më shpesh.

Sa më shumë të përdoret bateria, aq më e shkurtër është distanca që mund të kalojë automjeti elektrik.

Një veturë elektrike e vjetër nuk mund të përshkojë të njëjtën distancë si një model i sapo dalë nga fabrika.

Ndoshta për këtë arsye, disa shoferë ende shqetësohen për distancën e shkurtër dhe shmangin blerjen e një automjeti elektrik.

Mirëmbajtje më e lirë, por riparime më të shtrenjta

Megjithëse shumë blerës kanë frikë se mirëmbajtja e një automjeti elektrik mund të jetë e shtrenjtë, kjo nuk është plotësisht e vërtetë.

Automjetet elektrike në përgjithësi kanë një dizajn më të thjeshtë se makinat me motorë me djegie të brendshme, si dhe më pak pjesë lëvizëse.

Megjithatë, nëse një automjet elektrik përfshihet në një aksident të rëndë trafiku, riparimet mund të kushtojnë mijëra euro.

Nga të gjitha makinat e kontrolluara në platformën carVertical, automjetet elektrike kanë pasur vlerën mesatare më të lartë të dëmtimit prej 7023 euro. Dëmi mesatar ishte më i ulët për veturat hibride (6,793 euro) dhe benzinë (5,957 euro) dhe naftë (4,256 euro).

Krahasuar me automjetet e tjera, makinat elektrike kanë më pak gjasa të përfshihen në aksidente. 45 për qind e hibridëve, 49,1 për qind e benzinës dhe 46 për qind e veturave me naftë janë dëmtuar të paktën një herë, por ky është rasti me vetëm 35,4 për qind të automjeteve elektrike në platformën carVertical.

Buzelis thekson se kjo është për shkak të prevalencës relativisht të ulët të automjeteve elektrike – në shumicën e vendeve ato ende nuk kanë fituar popullaritet të madh, dhe mosha mesatare e tyre është dukshëm më e ulët.

Ai vë në dukje se ky studim është kryer në bazë të të dhënave nga Mbretëria e Bashkuar, Lituania, Estonia, Letonia, Polonia, Rumania, Hungaria, Franca, Ukraina, Suedia, Belgjika, Republika Çeke, Kroacia, Bullgaria, Sllovakia, Serbia, Finlanda, Sllovenia, Gjermania, Italia, Zvicra, Danimarka, Spanja, Portugalia dhe Greqia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë