Guinea shpalli një shpërthim të virusit Marburg në mes të shkurtit. Ka pasur të paktën nëntë raste të konfirmuara nga laboratori, shtatë prej të cilave rezultuan me vdekje dhe 20 raste të mundshme të individëve të vdekur në këtë shpërthim, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Tani, autoritetet në Tanzani, në Afrikën Lindore, kanë konfirmuar rastin e parë të sëmundjes fatale. Zyrtarët shëndetësorë janë duke hetuar gjithsej tetë raste, pesë prej të cilëve kanë vdekur dhe kanë identifikuar gjithsej 161 kontakte që janë nën monitorim.
Siç e dinë shumica e njerëzve tani nga kulmi i pandemisë Covid-19, një virus mund të përhapet nga një vend në tjetrin dhe të kalojë nga kontinenti në kontinent përmes transmetimit njerëzor. CNN ka folur me mjeken epidemiologe Leana Wen për ta pyetur për virusin Marburg.
Cilat janë simptomat e sëmundjes, çfarë e bën atë kaq të rrezikshme, si përhapet, a ka një vaksinë dhe si trajtohet sëmundja. Dhe së fundi, kush duhet të shqetësohet për virusin Marburg?
Çfarë është Marburg?
Sëmundja shkaktohet nga virusi Marburg, i cili është në të njëjtën familje virusesh me Ebola-n. Ashtu si Ebola, Marburg shkakton ethe që prek sisteme të shumta organesh dhe mund të përfshijë gjakderdhje. Infeksioni viral është një sëmundje zoonotike, që do të thotë se origjina e sëmundjes është transmetimi nga kafshët te njerëzit. Me shpërthimet e mëparshme, lakuriqët e natës janë identifikuar si transmetues të virusit Marburg, të cilët e trnasmetojnë më pas virusin tek njerëzit.
Cilat janë simptomat dhe çfarë e bën këtë sëmundje kaq të rrezikshme?
Virusi Marburg është jashtëzakonisht vdekjeprurës dhe është shumë ngjitës kur je në kontakt të drejtpërdrejtë me një person të infektuar. Me shpërthimet e mëparshme, shkalla e vdekshmërisë së rasteve varion nga 24% në 88%, me një normë mesatare të vdekshmërisë prej rreth 50%. Kjo do të thotë se rreth gjysma e njerëzve që marrin sëmundjen do të vdesin prej saj.
Simptomat shpesh fillojnë papritur, me pacientët e infektuar që përjetojnë temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore. Është gjithashtu e zakonshme të keni dhimbje barku dhe diarre.
Periudha nga infeksioni deri në fillimin e simptomave është e shkurtër sa dy ditë deri në tre javë. Shumica e simptomave fillojnë brenda një jave, dhe pacientët vdesin midis tetë dhe nëntë ditë pas simptomave fillestare.
Si përhapet virusi Marburg?
Ngjashëm me Ebolën, Marburg përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë person me person. Kjo përfshin kontaktin me gjak ose lëngje të tjera trupore ose objekte të kontaminuara, të tilla si shtrat, veshje, gjilpëra dhe pajisje të tjera mjekësore.
Ata që janë më të rrezikuar nga Marburg janë njerëzit në kontakt të drejtpërdrejtë me individë të infektuar. Kjo përfshin anëtarët e familjes, kujdestarët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor. Individët që dyshojnë se kanë Marburg duhet të izolohen.
A ka një vaksinë? Si trajtohet virusi Marburg?
Asnjë vaksinë nuk është zhvilluar kundër virusit Marburg, megjithëse ekziston një vaksinë eksperimentale dhe vaksina të tjera kandidate. Nuk ka trajtim specifik antiviral. Pacientët e infektuar trajtohen me terapi simptomatike dhe mbështetëse, që do të thotë se ata do të marrin lëngje, oksigjen dhe transfuzion gjaku sipas nevojës.
Kush duhet të shqetësohet për virusin Marburg?
Në këtë kohë, raste të sëmundjes së virusit Marburg janë gjetur vetëm në dy vendet, Guinea dhe Tanzani. Po bëhen përpjekje për të frenuar këto shpërthime. Një kontroll i suksesshëm ka ndodhur në të kaluarën. Marburg nuk është një sëmundje e re. Virusi u zbulua në vitin 1967 pas shpërthimeve të njëkohshme në Gjermani dhe Serbi. Shpërthime të shumta kanë ndodhur që nga ajo kohë, duke përfshirë në Ugandë, Republikën Demokratike të Kongos dhe së fundmi, në vitin 2022, në Gana.
Megjithëse virusi Marburg shkakton sëmundje të rënda, ka mënyra për ta frenuar atë. Individët që e transmetojnë atë tek të tjerët janë përgjithësisht simptomatikë. Për më tepër, virusi Marburg nuk është një virus i ajrit. Kjo e bën më të lehtë kontrollin në krahasim me Covid-19, i cili shpesh transmetohet nga njerëz që nuk shfaqin simptoma dhe është aq ngjitës sa nuk kërkon kontakt të drejtpërdrejtë dhe mund të bartet në aerosole mikroskopike.
Dy shpërthimet e Marburgut në Afrikën Perëndimore dhe Lindore duhet të monitorohen nga afër. Punonjësit e kujdesit shëndetësor në këto rajone duhet të jenë në gatishmëri të lartë dhe përpjekjet për të testuar një vaksinë dhe trajtime duhet të përshpejtohen. Në këtë kohë, nuk ka nevojë që pjesa më e madhe e botës të shqetësohet për rrezikun e infeksionit të Marburg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




