Ne rrjet

Çfarë do të thotë të jesh ‘Socialist-Demokrat’ në SHBA?

Ashtu si kandidati për kryetar bashkie i Nju Jorkut, Zohran Mamdani: është ende i pazakontë dhe radikal, për arsye historike dhe kulturore

Gazeta Si – Më 4 nëntor, Nju Jorku do të votojë për një kryetar të ri bashkie. Sipas sondazheve, kandidati kryesor është Zohran Mamdani, kandidati i Partisë Demokratike.

Ai ka disa karakteristika të dukshme: është i ri (34 vjeç) dhe mysliman. Për më tepër, sipas standardeve amerikane, ai është i shquar edhe për diçka tjetër: e quan veten “Socialist Demokrat”.

Për ata që jetojnë në Europë, nuk ka asgjë shumë të çuditshme në lidhje me këtë shprehje, por të pretendosh të jesh socialist është shumë e pazakontë për një politikan amerikan: socializmi është një ideologji që është parë gjithmonë me dyshim të madh, ose edhe me armiqësi të hapur.

Një pjesë e kësaj, varet nga kultura dhe identiteti i Shteteve të Bashkuara, një vend, vlerat themeluese të të cilit kanë qenë gjithmonë të bazuara në lirinë personale dhe iniciativën private.

Një karikaturë amerikane antisocialiste e fillimit të shekullit të 20-të që tregon Xhaxha Samin e armatosur (një ikonë e njohur amerikane), duke mbajtur një tabelë ku shkruhet: “Ky vend është i dëmshëm për shëndetin e çdo lloj bolsheviku, të kuq, agjitatori ose sabotatori të punës dhe punëve tona!”

Një pjesë varet edhe nga historia: në Shtetet e Bashkuara, lëvizjet dhe sindikatat socialiste u shtypën në shekullin e njëzetë; për dekada gjatë të ashtuquajturës Luftë e Ftohtë, kundërshtari kryesor i Shteteve të Bashkuara, ishte Bashkimi Sovjetik, vendi më i madh dhe më i rëndësishëm socialist në histori.

Megjithatë, prej disa vitesh, është bërë gjithnjë e më e zakonshme që politikanët e shquar progresivë, të pavarurit ose ata në krahun e majtë ekstrem të Partisë Demokratike, ta quajnë veten “Socialistë Demokratë”.

Midis tyre janë kongresmenet e Partisë Demokratike, Alexandria Ocasio-Cortez dhe Rashida Tlaib.

Greg Casar, një kongresmen demokrat nga Teksasi, ishte gjithashtu një ish-anëtar i organizatës më të rëndësishme politike socialiste të SHBA-ve, Socialistët Demokratë të Amerikës (DSA).

DSA gjithashtu ka propozime radikale, të tilla si shkurtimi i fondeve për policinë, të cilat nuk janë marrë në konsideratë nga politikanë të shquar kombëtarë.

Ndoshta politikani më i famshëm amerikan që e ka quajtur veten Socialist Demokrat për vite me radhë, është Bernie Sanders, një senator nga Vermonti, i cili është i afërt me Partinë Demokratike, edhe pse formalisht është i pavarur.

Sanders shpjegoi se ideja e tij për Socializmin Demokratik nuk kërkon heqjen e kapitalizmit, por rishpërndarjen e pasurisë për të korrigjuar pabarazitë që ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara – një ide e ndarë nga të gjithë politikanët që identifikohen si Socialistë Demokratë.

Në Shtetet e Bashkuara, qëndrimet e këtij lloji, janë kontraverse dhe radikale dhe kështu ndodh që politikanët që e quajnë veten socialistë, duhet ta bëjnë të qartë se nuk kanë ndërmend të revolucionarizojnë ekonominë amerikane dhe të braktisin modelin kapitalist.

Mamdani është anëtar i degës së DSA-së në Nju Jork, por i ka moderuar ndjeshëm qëndrimet e tij.

Ai shpjegoi se për të, të qenit socialist do të thotë mbi të gjitha të përpiqet të rishpërndajë më mirë pasurinë.

Platforma e tij zgjedhore përfshin disa masa për të ulur koston e jetesës në Nju Jork: për shembull, ai ka propozuar një ngrirje të pjesshme të rritjes së qirasë, udhëtim falas me autobus, rritjen e pagës minimale dhe krijimin e supermarketeve të kontrolluara nga qyteti që shesin produkte me çmime më të ulëta.

Të gjitha këto masa do të financoheshin nga rritja e taksave për bizneset dhe banorët më të pasur të Nju Jorkut.

Megjithatë, këto qëndrime mbeten themelore në debatin politik të SHBA-ve. Sipas disa sondazheve, termi “socializëm” vazhdon të ketë një konotacion negativ për shumicën e amerikanëve, i lidhur me vendet e varfra dhe autoritare.

Shumë politikanë demokratë ngurrojnë të mbështesin kandidaturën e Mamdanit, dhe kundërshtarët e tij politikë e kanë portretizuar atë si një politikan të rrezikshëm dhe ekstremist.

Në botën e MAGA-s, portretizohet si një antikrisht “marksist dhe xhihadist”. Trump e quan atë “komunist” dhe sugjeron parregullsi të mundshme me statusin e tij të emigracionit.

Trump ka kërcënuar gjithashtu të shkurtojë miliarda dollarë në fondet federale për Nju Jorkun nëse Mamdani zgjidhet dhe miraton politika që nuk i pëlqejnë.

Dhe në një intervistë me CBS Neës dy ditë para zgjedhjeve, presidenti amerikan la të kuptohej se do të preferonte ish-guvernatorin Andreë Cuomo ndaj Mamdanit, i cili aktualisht kryeson në sondazhe.

Trump shtoi se “nuk është aspak një tifoz i Cuomo-s”, por ende e konsideron atë “të keqen më të vogël”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë