Kryeministri Edi Rama njoftoi që në orët e mëngjesit të së mërkurës se do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme në zonat e prekura nga tërmeti, pra në Tiranë dhe Durrës. Vendimi i paralajmëruar i zyrtarizua në orët e pasdites.
Por çfarë do të thotë gjendje e emergjencës në këto zona? Së pari, nga vetë emri shpallja e kësaj gjendjeje detyron Qeverinë që të vendosë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme në burime njerëzore, logjistike dhe financiare në shërbim të qytetarëve të prekur nga një fatkeqësi që përmbush kushtet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si në rastin e tërmetit në fjalë.
Së dyti, pika A) e nenit 1 të ligjit për emergjencat civile detyron Qeverinë që ose të sigurojë rikthimin në gjendjen e mëparshme të gjendjes për qytetarët e prekur nga fatkeqësia, ose të minimizojë në maksimum efektet.
“Planëzimi dhe përballimi i emergjencave civile janë detyra të shtetit shqiptar që synon parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin nga çdo dëmtim që prek popullatën, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin nga emergjencat civile”, thuhet në këtë nen.
Pika C) e nenit 1 të këtij ligji urdhëron Qeverinë që të garantojë përdorimin e të gjitha burimeve të mundshme të shtetit me qëllim ruajtjen e sigurisë publike, qëndrueshmërinë ekonomike të vendit dhe lehtësimin e pasojave.
Por nuk është vetëm Qeveria. Në nenin 24 të ligjit parashikohet shërbimi vullnetar. Sipas përëcaktimit të këtij ligji, vullnetar mund të jetë çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, që ka kryer arsimin dhe trajnimin bazë në përgjigje të situatave të emergjencës, ose pranon të marrë pjesë vullnetarisht për përballimin e emergjencës civile.
Vullnetarë mund të dalin të gjithë shtetasit që plotësojnë kushtet e këtij përcaktimi, edhe nëse janë në një marrëdhënie pune. Sipas këtij ligji, ata nuk e humbasin vendin e tyre të punës, madje përgjatë të gjithë kohës që shërbejnë si vullnetarë u garantohet pagesa nga punëdhënësi, qoftë ky shtetëror, qoftë privat.
Përveç vullnetarëve, ligji detyron çdo shtetas shqiptar që nëse është e nevojshme të marrë pjesë në përballimin e gjendjes së emergjencës.
Ligji përcakton se në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit, që në këtë rast është ministri i Brendshëm.
Masa e kompensimit, procedurat, afatet dhe strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve dhe të pasurive të viktimave të tërmetit kompensohen gjithashtu pas një miratimi me vendim të Këshilit të Ministrave.
E thënë më thjeshtë, ligji i emergjencave civile lë në dorë të vullnetit të Qeverisë kompensimin financiar të banorëve të prekur nga fatkeqësia e fundit, duke shmangur burokracitë institucionale në një periudhë normale.
Financimi është pjesa më interesante e ligjit. Ai përcaktohet nga neni 31 i tij, ku thuhet se Buxheti i Shtetit është burimi parësor financiar për planizimin dhe përballimin e emergjencave civile. Buxheti përfshihet në buxhetin vjetor të ministrisë për pushtetin vendor, në rastin konkret Ministrisë së Brendshme dhe në çdo ministri parashikohet zë më vete.
A e kanë këto ministri ende në gjendje këtë buxhet aktualisht? Kjo pyetje vështirë se mund të marrë një përgjigje konkrete për momentin. Por, përveç këtyre neni 32 parashikon edhe buxhetin e shtetit, të ardhurat e pushtetit vendor, të ardhurat e krijuara nga shërbimi për të tretët të cilat kalojnë plotësisht në buxhetin e shtetit dhe në fund donatorët e burime të tjera të ligjshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.