Analize

Çfarë do të përfitojë Shqipëria nga Samiti i Londrës?

Pavarësisht trazirave politke dhe dorëheqjes në momentin e fundit të ministrit të Jashtëm britanik, samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër duket se ka sjellë zhvillime pozitive dhe efektive përsa i përket tregtisë dhe afrimitetit ekonomik me rajonin.  Si pjesë e planit të Londrës për të ndërtuar një partneritet afatgjatë me Ballkanin Perëndimor, Britania e Madhe do ta përfshijë rajonin në një nga programet globale që synon të krijojë bashkëpunim midis Mbretërisë së Bashkuar dhe sipërmarrësve ndërkombëtarë dhe do të dyfishojë fondet për vendet e rajonit. Pas largimit nga Bashkimi Europian vitin e ardhshëm, qeveria e Britanisë së Madhe duket se i ka hedhur sytë nga Ballkani, si partnerin e ardhshëm ekonomik të kombit ishullor. Por, çfarë pritet të përfitojë Shqipëria nga Samiti i Londrës?

Investimet e premtuara

Londra ka njoftuar se do të dyfishojë fondet që u ofron vendeve të Ballkanit Perëndimor duke i çuar deri në 90 milionë euro dhe se do të rrisë numrin e personelit të sigurisë në rajon, të cilët do të përpiqen të luftojnë bandat e krimit të organizuar.

"Historia tregon se një Ballkan Perëndimor më i qëndrueshëm nënkupton një Evropë më të sigurt", tha Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, në një deklaratë përpara një takimi të nivelit të lartë me disa nga liderët e Ballkanit Perëndimor.

Duke dyfishuar numrin e punonjësve britanikë në Ballkanin Perëndimor, Londra shpreson të zvogëlojë numrin e rrjeteve kriminale në Britani, sidomos të atyre që vinë nga Shqipëria. Grupet e krimit të organizuar nga vendi ynë kanë shkaktuar jo pak trazira në Britani, madje kohët e fundit u vlerësua se një nga bandat shqiptare kishte trafikuar më shumë se 8,000 kg kokainë në vit në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria britanike do të ofrojë gjithashtu rreth 1 milion paund për trajnim dhe këshillim për sigurinë kibernetike në Shqipëri dhe rajon. Gjatë samitit, u miratua gjithashtu një deklaratë e përbashkët mbi parimet e shkëmbimit të informacionit, masë që pritet të ndihmojnë agjencitë e zbatimit të ligjit në rajon, në mënyrë që të ndajnë informacione mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Një tjetër fond shtesë prej 1 milion paundsh u miratua për të ndihmuar rajonin ne zgjidhjen e çështjeve të trashëgimisë, duke përfshirë mbështetjen e organizatave që punojnë për gjetjen dhe identifikimin e 12,000 viktimave të zhdukur nga konfliktet e viteve 1990.

Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor

Ministri britanik për Europën, Alan Ducman konfirmoi zyrtarisht se qeveria britanike do të dhuronte 10 milionë paund për të ndihmuar në përmirësimin e aftësive dixhitale dhe perspektivave të punësimit për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor. Një pjesë e këtij fondi do të shkojë për një sërë trajnimesh për fëmijët e 4,500 shkollave në Ballkan. Nga ana tjetër, ministrja britanike e Tregtisë njoftoi zgjerimin e Programit të Ndërmarrjeve Globale Tregtare (GEP) në të gjithë Ballkanin Perëndimor, si pjesë e planeve për të ndërtuar një partneritet afatgjatë me rajonin. Ajo theksoi ndër të tjera se GEP ka provuar të jetë jashtëzakonisht i suksesshëm në dhënien e udhëzimeve për sipërmarrës nga mbarë bota. Ai ka bindur më shumë se 900 sipërmarrës që investojnë në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2005, duke krijuar më shumë se 5.000 vende pune dhe duke rritur më shumë se 1 miliardë dollarë kapitalin sipërmarrës. Duke iu referuar këtyre të dhënave, ministrja britanike e Tregtisë tha se Departamenti i Tregtisë Ndërkombëtare (DIT) është i angazhuar për të thyer barrierat dhe për të nxitur rritjen dhe zgjerimin e tregjeve në zhvillim, në mënyrë që të krijojë vende pune, të përmirësojë cilësinë e jetës dhe të sjellë prosperitet për vendet e Ballkanit.

https://twitter.com/InvestInGREAT/status/1016294116945285120

"Përmes disponueshmërisë së ekspertizës britanike, zgjerimi i GEP në Ballkanin Perëndimor është një fitore e favorshme, si për ekonominë britanike ashtu edhe për 6 vendet e përfshira- tha ajo- Duke pasur parasysh rëndësinë e tregtisë për sigurinë dhe stabilitetin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, vendosja e GEP në rajon është një shembulli më i mirë i një strategjie efektive.”

Mediat britanike bëjnë të ditur se samit morën pjesë 20 sipërmarrës nga Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, duke treguar produktet që mund të ofrojnë për tregun e Mbretërisë së Bashkuar. Ato shkruajnë se bizneseve iu dha një shans për t'u takuar me homologët e tyre në Londër, duke ndërtuar kështu një urë mes Britanisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Çfarë është GEP?

GEP është një program që ndihmon kryesisht kompanitë e teknologjive inovative të hyjnë në tregun ndërkombëtar. Nëpërmjet këshillimit të ekspertëve dhe investimeve në Mbretërinë e Bashkuar, sipërmarrësit e teknologjisë arrijnë të çajnë në tregtinë globale. Për t’u ardhur në ndihmë kompanive, programi bën të mundur:

  • -shfrytëzimin e rrjeteve të ndërkombëtare dhe lidhjet me sipërmarrësit e suksesshëm
  • -nxitjen e këtyre rrjeteve për të ndihmuar në zgjerimin e një biznesi të caktuar dhe zbatimin e ideve inovative
  • -Identifikimin e kompanive në shkallë botërore
  • -Rritjen e kapitalit investues me mbi 200 milionë dollarë

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë