Nga Gazeta ‘SI’ - Fundi i 2023-shit për tregun imobiliar duket po aq euforik sa fillimi i tij. Asnjë nga parashikimet për krizë nuk ndodhi dhe kërkesa mbetet e lartë. Specifikisht në muajin e fundit.
Agjenti imobiliar nga “Future Home” Gjergji Benxhaj tregon për Gazetasi.al se edhe këtë fundvit kërkesa për banesa mbetet e lartë, e drejtuar kryesisht nga emigrantët që e zgjedhin atë si formë investimi apo si një dhuratë!
“Duke qenë se shumica e emigrantëve vijnë përgjatë fundvitit për shkak të impenjimeve të tyre, përpiqen të gjejnë kohë dhe për të bërë investime të tipit blerja e një prone, qoftë për ri-shitje në të ardhmen apo dhe të kenë një banesë kur të kthehen. Sigurisht një arsye tjetër, shumë e fortë emocionale, është dhe blerja e shtëpisë për familjarët e tyre, si një dhuratë shumë e bukur për këto festa” shpjegon Benxhaj.
Ai shton se në tregun e qirave momentalisht ka dinamika vetëm në atë afatshkurtër, lloji BnB, pasi shumica e vizitorëve në këtë periudhë të vitit qëndrojnë për një kohë të kufizuar dhe ky është opsioni më i përshtatshëm.
Por një nga profecitë e fillimit të vitit është përmbushur.
Agjenti i “Future Home” konfirmon se ashtu siç pritej që në fillimit të 2023-shit, çmimet e pasurive të paluajtshme janë qetësuar...por jo qiratë.
“Në 3-mujorin e fundit, çmimet për shitje nuk kanë luhatje të madhe dhe mesatarja mbetet 1.300 euro/m2. Qiratë janë rritur më fort me rreth 30% ose dhe më shumë, sipas zonës”, sqaron Benxhaj duke shtuar se kjo ka ndodhur pasi është rritur kërkesa për pallate të reja e mobilim modern.
“Kjo ka bërë që edhe në pallatet e vjetra të rriten çmimet. Faktor vendimtar mbetet kërkesa e cila është e lartë, sidomos në zonën e qendrës. Po shikojmë që edhe zona si Unaza e Re, apo Fresku që dikur nuk ishin në fokus të qiramarrësve, po shikohet një rritje e numrit të kërkesave”, thotë agjenti Benxhaj.
A do të ulen çmimet në 2024-n?
Në një parashikim për 2024-n, ai thotë se përveç kërkesës, do të jenë çmimet e reja të referencës në Tiranë që do të orientojë çmimet, por pritet një rritje më e moderuar se ajo e periudhës 2022-2023.
“Vendimtare për 2024-n do të jenë referencat e reja që do të aplikojë Bashkia Tiranë. Shumë zona do të kenë një rritje të ndjeshme, deri edhe në 54%. Pritet gjithashtu dhe përfundimi i shumë objekteve që janë në faze ndërtimi aktualisht, ku mund të përmendim zonat e Bulevardit të Ri, Don Bosko apo Fusha e Aviacionit me Laprakën, që rrjedhimisht do të sjellë një çmim më të lartë se aktuali. Kërkesa patjetër parashikohet të ngelet e lartë, ashtu siç ka qenë gjithmonë vitet e fundit, si për qira dhe për blerje. Sipas parashikimeve, rritja e çmimeve, për vitin e ardhshëm, pritet të jetë më e moderuar dhe jo me këtë ritëm si vitin që po lëmë pas”, përfundon Benxhaj.
Për ekspertët e ekonomisë, cikli i shtrenjtimit të pronave në Shqipëri nuk do të ndalet për të paktën 5 vite, pasi ai funksionon jashtë logjikës së një tregu ekonomik që ndikohet nga kërkesa, oferta, vlera.
Në një panoramë më të gjerë, edhe ndërtuesit presin një rritje më të ngadaltë të kostove të ndërtimit, lidhur kjo me goditjen e fortë të dy viteve të fundit. Sektori i ndërtimit rezulton i vetmi që e shikon me optimizëm të ardhmen e afërt ekonomike, sipas anketës së besimit në BSH, bazuar kjo në pritshmëritë e tyre për çmimet dhe kërkesën.
Nga ana tjetër, në parashikimin afatmesëm të qeverisë, 2023-2025, ky sektor do të humbasë pozicionin e saj dhe do të zëvendësohet nga shërbimet. Referuar statistikave zyrtare që nxjerrin ndërtimin dhe imobiliaret si shtylla kryesore e ekonomisë së vendit, realizimi i skenarit të qeverisë duket të vonojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.