Politike

Çështjet e hapura me Greqinë / Hasani: Interesi i vendit parësor, për integrimin kemi mbështetjen e vendeve të BE

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, gjatë konferencës vjetore me gazetarët u pyet për çështjet dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë, mes të cilave dhe një prej temave siç është “marrëveshja e detit”.

Ai tha se negociatat me Greqinë kanë shumë dimensione dhe këto Shqipëria po i trajton me seriozitet dhe vëmendje maksimale.

Hasani pohoi se deri tani nuk është regjistruar asnjë cedim, ndërsa garantoi se në këto procese qëllimi final, është ruajtja e interesit kombëtar.

“Negociata me Greqinë, ka shumë dimensione, shumë vektorë, që vazhdojmë t’i trajtojmë më vëmendjen maksimale në të gjithë këto përpjekje, ajo që prevalon është interes i qeverisë shqiptare për ta çuar vendin tonë sa më shpejt pranë familjes evropiane, duke mos lënë pas ato që janë marrëdhëniet e shëndosha dhe për këtë kemi patur një angazhim serioz me Greqinë. Nuk ka pasur asnjë çedim, në atë që kemi qenë të qartë që në fillim: interesi i vendit është vënë mbi interesin e çdo individi”, tha ai.

Sa i përket rrugës drejt BE, ministri Hasani pohoi se po punohet në nivel teknik dhe politik dhe po tregohet kujdes në çdo hap.

Ai gjithashtu deklaroi se vitin e ardhshëm do të hapen në katër shtete, ambasada të reja të Shqipërisë.

Sipas Hasanit, ambasadat e reja do të hapen në Bosnjë-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia.

“Në 2025 do të kemi hapje të ambasadave të reja në Bosnjë-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia. Këto ambasada përfaqësojnë një angazhim të fortë për të përfaqësuar Shqipërinë në rajone strategjike dhe për të ndihmuar në rritjen e mundësive të bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik dhe do të kenë një kontribut të rëndësishëm në diversifikimin e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Hasani.

Po ashtu në Tiranë, tha kryediplomati do të hapen dy zyra të rëndësishme ndërkombëtare.

“Në vitin 2025, Tirana do të presë hapjen dy zyrave të rëndësishme ndërkombëtare: Zyrën e Bankës Evropiane të Investimeve dhe zyrën e Organizatës për Zhvillim Industrial të Kombeve të Bashkuara”, tha Hasani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë