Gazeta Si – Gjykata ka dalë në konkluzionin se pagesat prej 7.5 milionë eurosh nga klubi katalanas për ish-zv.presidentin e arbitrave përbëjnë vepër penale. ‘Guardia Civil’ ka sekuestruar materialet në selinë e Komitetit Teknik të Arbitrave.
Barcelona dhe ish-presidentët e saj në telashe. Gjykatësi i Gjykatës numër 1 të Barcelonës, Joaquín Aguirre, e akuzon klubin për korrupsion për çështjen ‘Negreira’, ish-zv.president i arbitrave. Kompanive të tij, (Nidsal SCP dhe Dasnil 95 SL), nga 2001-shi në 2018-ën, Barcelona u ka paguar më shumë se 7.3 milionë euro.

Bashkë me klubin akuzohen edhe Enriquez Negreira dhe djali i tij, si dhe ish-presidentët e Barcelonës, Josep María Bartomeu dhe Sandro Rosell. Mëngjesin e sotëm, një skuadër e ‘Guardia Civile’ ka shkuar në selinë e Komitetit Teknik të Arbitrave në Las Rozas me një mandat sekuestrimi, duke kërkuar dokumentacionin që ka lidhje me ccështjen ‘Negreira’.
Vëmendja kryesore e hetuesve është mbi të gjitha te faturat e 10-vjeçarit të fundit, që mbulojnë specifikisht dy presidenca: të Sandro Rosell dhe Josep Maria Bartomeu. Sipas hetuesve, ata kanë “arritur dhe zbatuar një akord verbal shumë të rezervuar” me Enriquez Negreira.
Sipas versionit të Barcelonës dhe vetë Negreiras në Prokurori, bëhet fjalë ekskluzivisht për konsulenca. Por, në rindërtimin e skemës nga gjykatësi del se Negreira kishte një rol aktiv në caktimin e arbitrave dhe në karrierat e secilit prej tyre. Po ashtu, pagesat e Barcelonës te kompanitë e tij “nuk kishin asnjë suport ligjor apo shtetëror. Nuk ishte parashikuar kjo gjë në statusin e klubit, apo aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme”.

UEFA më 23 mars hapi një hetim “në lidhje me shkeljen e mundshme të kuadrit ligjor të UEFA-s nga Barcelona”. Hetimi u pezullua më 27 korrik, duke lejuar katalanasit të regjistroheshin në Championsin 2023-2024. Hetimi është pezulluar në fakt me mundësinë e rihapjes në rast se ka elementë të tjerë. Dhe këto elementë zbulohen, mund të sjellin përjashtimin e Barcelonës nga kupat e Europës.
Përtej përgjegjësive të administratorëve (Rosell dhe Bartomeu), klubi mund të përballet edhe me një gjobë, që shkon të paktën në “trefishin e vlerës së përfitimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.