Euro 2020

Çështja “Herri Kejn”, Anglia po luan pa liderin e saj

"Do we need to talk about Harry?". A duhet të flasim për Herrin? Përballë titullit të “Times” nuk mund të rrish pa reaguar. Protagonisti i shumëpritur në Europian, tek i cili varet fati i një kombi, ka stonuar deri tani dhe është ky komb që revoltohet kundër djalit të tij. Kapiteni i anglezëve, Herri Kejn, në ndeshjet me Kroacinë dhe Skocinë ka qenë lojtari më i dobët i skuadrës së tij.

Ndoshta është një moment i keq, por reagimet ndaj sulmuesit të Totenhemit dhe kapitenit të kombëtares angleze, nuk kanë munguar, ashtu si dhe zërat e mërkatos për të. Kejn ka thënë më 17 mas se dëshiron të lërë Spurs-at, pavarësisht kontratës deri në 2024-ën. Do të ishte e lehtë të akuzohej se është shpërqendruar nga problemet personale, e ardhmja mes Mançester Junajtid, Mançester Sitit dhe PSG-së, por shtypi britanik preferon të merret me numrat, ku ka pak për të diskutuar.

Kejn lë fushën ndaj Skocisë. Gazeta Si, 20 qershor 2021

Kundër Skocisë, për shembull, Kejn e preku topin 19 herë. Zero gjuajtje në portë dhe vetëm një shkëputje me kokë, edhe ajo në pozicion jashtë loje. I pashmangshëm ndërrimi, i dyti radhazi pas atij me Kroacinë. "Bën pjesë në rregullat e lojës, - ishte komenti i tij pas zëvendësimit. – Trajneri ka vlerësuar se duhej marrë ky vendim dhe duhet pranuar".

Në 2 ndeshje sulmuesi i Totenhemit ka bërë vetëm 3 gjuajtje jashtë kuadratit. E ka administruar keq topin, ka fituar vetëm 2 duele dhe ka humbur 16, ka gabuar shumë në pasime, në 63% të tyre, e ka prekur topin vetëm 45 herë. Kejn nuk shënon prej 5 ndeshjesh, një “agjerim” i papranueshëm për një zotëri goli si qendërsulmuesi anglez, me 35 gola, – edhe kombëtaren përfshirë, - gjatë sezonit 2020-2021, 237 gola në gjithë karrierën.

"Kejn është dukur i lodhur, jashtë ritmit. Nuk mund të evitohej ndërrimi nga Southgejt", - shkruan Herri Uinter te “Times”. “Guardian” është treguar i pamëshirshëm: nota 3 në tabelë dhe titulli: "Kejn po sforcohet të luajë në 2 role, por realisht nuk luan në asnjë". Ky është një problem më vete. Pasi ka luajtur në 2 role gjatë gjithë sezonit, bomber dhe furnizues, siç i ka kërkuar Mourinjo, Kejn nuk po arrin të gjejë veten.

Kapiteni i Anglisë, Herri Kejn. Gazeta Si, 20 qershor 2021

Anglia e re, - formacioni ndaj Skocisë me mesataren 25 vjeç e 51 ditë është më i riu i të gjitha kohërave, – ka reklamuar liderin e saj. Derbi ishte program më i ndjekur në televizor në 2021-shin, me 18.4 milionë spektatorië. Problemi Kejn ka hyrë në shtëpitë e 3/4-ave të Mbretërisë së Bashkuar, me çështjen e kualifikimit që do të vendoset të martën ndaj Çekisë dhe kjo nuk është pak.

Ish-lojtari i Liverpulit, Graem Sunes, opinionist i BBC-së dhe komentator i “Times”, është shprehur: "Kejn është hija e lojtarit që njohim. E çuditshme, duket një lojtar bosh, i lodhur". Elementi lodhje nuk është për t’u nënvlerësuar, sepse ka prekur shumë lojtarë në këtë Europian. Futbolli britanik të konsumon, shtrydh muskujt dhe energjitë mendore. Kejn, që ka kaluar një dëmtim në pranverë, nuk ka fuqinë e zakonshme.

Kejn në një dyluftim ndaj Skocisë. Gazeta Si, 20 qershor 2021

"Paraqitja e Herri Kejn ndaj Skocisë është simbol i frustrimit anglez. Statistikat e tij janë të dhimbshme", - shkruan “Daily Mail”. Roi Kin ka përmendur çështjen e merkatos: "Kejn është në merkato, duhet të zgjidhë çështjen personale, por nëse luan në këtë mënyrë, vlera e tij do të bjerë". Vetëm Xhek Uillsher, ish-shok skuadre me sulmuesin, e ka mbrojtur: "Kejn është një yll i nivelit botëror, nuk ka sens të diskutohet kështu për të. Jam i sigurt se ai, duke njohur rregullat e lojës, nuk do të ndikohet nga shtypi dhe rrjetet sociale". Dhe nëse Kejn do të shënojë ndaj Çekisë, e gjitha kjo histori mund të fshihet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë