Lojëra me Dore

Çështja ‘Gjokoviç’, transparenca ka më shumë rëndësi se privatësia

Nuk kishte si të mos përfundonte në një ‘det’ polemikash ajo që ka ndodhur së fundi me Novak Gjokoviç, numrin 1 të botës në tenis, dhe pjesëmarrjen e tij në “Australian Open”. Njoftimi i tij në Instagram për nisjen drejt Melburnit, – ku më 17 janar do të nisë gjuetinë e triumfit të 10-të në “Australian Open”, – ka shkaktuar reagime dhe protesta nga gjysma e botës.

Kjo për vetë faktin se misteri për vaksinimin e tenistit serb ndaj Covid-19 nuk është qartësuar kurrë, ndërsa qeveria australiane e ka pajisur me një lloj rekomandimi për të marrë pjesë në turne. Sigurisht, e gjitha kjo nuk do të kalonte në qetësi.

Novak Gjokoviç, numri 1 në botë. Gazeta Si, 5 janar 2022

Australia, – një nga vendet më të ashpra në masat ndaj pandemisë dhe që pavarësisht mbylljes së kufijve po regjistron raste të shumta pozitive, 50000 në 24 orët e fundit, – lejon të hyjë në vend numrin 1 të tenisit, falë një lloj rekomandimi mjekësor, detajet e të cilit nuk janë bërë të ditura për arsye privatësie.

Vetë fakti që është një rekomandim përjashtues lë të kuptohet se Gjokoviç nuk është në kushtet normale për të hyrë në Australi: cikli komplet i vaksinës dhe negativiteti në testin molekular që bëhet para nisjes. Ky përjashtim për hyrjen e tij në Australi të bën të mendosh për një standard të dyfishtë.

Do të ishte më mirë të thuhej hapur se, duke qenë se bëhet fjalë për një kampion kalibri, është hapur një korridor privilegji falë statusit si mbret i “Australian Open”. Kjo është e kuptueshme nga të gjithë si drita e diellit. Në këtë moment është më mirë të organizohet një konferencë shtypi dhe të shpjegohet me detaje rekomandimi për Gjokoviçin.

Transparenca ka më shumë rëndësi se privatësia. Mbi të gjita në 2022-shin, kur private ka mbetur shumë pak dhe aq më tepër për personazhet publike, për të cilët tashmë njohim mirë çdo fije floku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë