Nga Gazeta ‘Si’- Për Sali Berishën çështja e kufirit detar me Greqinë mund të zgjidhet shumë lehtë, në frymën e bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve, sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet.
Kështu ka lënë të kuptohet lideri i opozitës shqiptare për median greke “To Manifesto” pas takimit të tij me bashkatdhetarët në Athinë.
“Sigurisht, kjo çështje do të zgjidhet përmes dialogut me frymën e mirë, ashtu siç e bëmë (në vitin 2009) me vullnetin për ta zgjidhur problemin. Këtë synojmë”, është shprehur Berisha, ndërsa në fjalimin e tij para simptizantëve deklaroi se nëse PD fiton zgjedhjet, “marrëveshja do të përfundojë dhe marrëdhëniet Shqipëri-Greqi do të jenë shumë të shkëlqyera”.
Në vijim të intervistës, kryedemokrati ka mbrojtur marrëveshjen që qeveria e tij dhe ajo e Kostas Karamanlis firmosën në vitin 2009 për përcaktimin e kufirit detar, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
“Për sa i përket përcaktimit të zonave detare që nënshkruan qeveritë Karamanlis – Berisha në vitin 2009, kreu i PD ia hodhi fajin zotit Rama, i cili ‘për shkak të tretëve dhe për interesat e tij, ushtroi presion dhe rrëzoi marrëveshjen’, të cilën e quajti ‘marrëveshjen më të mirë’. Ishte një marrëveshje win-win. Sigurisht, nuk kishte arsye që as Greqia as Shqipëria të humbnin”, shkruan media geke.
Berisha ka rrëfyer më tej se rivali i tij politik, Edi Rama, pas refuzimit të marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ka rënë dakord me dy qeveritë pasardhëse greke që ta dërgonin çështjen e “Detit” për rishikim në Hagë.
“Rama i tha qeverisë Tsipras ‘ne kemi një marrëveshje më të mirë’ dhe filloi bisedime të reja shumë të marra. Sepse pas dy apo më shumë vitesh, pas disa raundesh negociatash, kur ishin gati për ta nënshkruar, kërkoi falje dhe tha që ‘vendimi i gjykatës nuk na e lejon’. Sigurisht, Kotzias ishte shumë i zemëruar, ndërsa edhe unë e denoncova. Nuk mund të sillesh kështu. E di vendimin e gjykatës. Duhet të jesh serioz”, shtoi Berisha.
I pyetur për shqiptarët në Greqi, Berisha tha se do të përpiqet të gjejë zgjidhje për çështjet e pensioneve.
Megjithatë, siç e tha ai, shtylla kryesore e politikës së tij do të jetë hapja e rrugës për kthimin e shqiptarëve në atdheun e tyre.
“Do të krijojmë kushtet më të mira të mundshme për t’i kthyer ata, investimet e tyre dhe miqtë e tyre grekë që të vijnë dhe të investojnë në vendin tonë. Në vitet 2009-2010, shumë erdhën dhe investuan në Shqipëri. Marrëdhëniet ekonomike greko-shqiptare po zhvilloheshin shpejt dhe kishte investime shumë të rëndësishme në vendin tonë, shumica e të cilave tani kanë ikur”, tha Berisha.
Çështja e Belerit
“Nëse e keni parë, Beleri u arrestua me fakte plotësisht të rreme dhe të fabrikuara, sepse nuk i lejoi Ramës të kishte Kanionin e Gjipesë. Ky kanion, i cili fillon nga Dhërmiu dhe përfundon në një gji të mrekullueshëm në detin Jon, është një nga më të famshmit në botë. Edi Rama e vendosi nënën e tij të ‘rregullonte’ kanionin për vete dhe kushërinjtë e saj pa asnjë dokument hipotekor, pa asnjë dokument që të tregonte se iu përkiste. Kaluan përmes gjykatës dhe e morën pa dokumente”, theksoi Berisha.
Dhe shtoi: “Kur është për interesat e tij personale, Edi Rama është gati të sakrifikojë gjithçka. Dhe burgosi (Belerin), duke shkelur shtetin ligjor dhe nuk e lejoi të betohej, ndërkohë që çdo shqiptar i burgosur gjatë 34 viteve të fundit, që nuk ishte dënuar, është betuar si kryetar bashkie, deputet, sepse Kushtetuta nuk e ndalon, dhe e shkarkoi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.