Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë këtë të premte, më 10 tetor, ankimimin e biznesmenit Kastriot Ismailaj, ish-administrator i kompanisë DIA, i dënuar në vitin 2017 me 11 vite burg për veprat penale “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”, në lidhje me marrëveshjen e shumëpërfolur CEZ–DIA.
Ismailaj kërkonte shfuqizimin e vendimeve të mëparshme të gjykatave, të cilat e kishin lënë në fuqi dënimin e tij: Gjykata e Tiranës, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë. Ai gjithashtu kërkonte anulimin e konfiskimit të shumave të sekuestruara gjatë hetimeve kundër tij.
Kastriot Ismailaj u akuzua për përvetësimin e gati 5 milionë eurove gjatë zbatimit të kontratës me kompaninë CEZ për mbledhjen e borxheve të energjisë elektrike në Shqipëri.
Hetimet zbuluan se fondet e përfituara ishin kanalizuar përmes skemave të pastrimit të parave, duke sjellë pasoja të rënda financiare.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor, Ismailaj u dënua me 11 vite burg, vendim që u konfirmua nga të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Në shtator të vitit 2023, ai përfundoi vuajtjen e dënimit dhe u lirua nga burgu. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese mbyll kapitullin gjyqësor të tij, duke lënë në fuqi jo vetëm dënimin penal, por edhe konfiskimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Ndërkohë, në Gjykatën e Posaçme vazhdon seanca paraprake me 5 të akuzuar, mes tyre edhe ish presidenti Ilir Meta, të cilit i adresohet edhe episodi i dosjes CEZ-DIA, sepse siç thotë SPAK, favorizoi Ismailajn për lidhjen e kontratës. Si argument prokurorët e posaçëm kanë komunikimet e shpeshta midis të dyve.
Por ky qëndrim i SPAK që shton se Meta si ish-ministër i kohës ka pranuar dhurata nga Ismailaj, kundërshtohen nga ish-funksionari, i cili ndodhet në burg prej tetorit 2024 dhe së fundmi nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



